Vota për Ramën, votë për integrimin: Pse BE dhe SHBA e mirëpritën fitoren e tij

27 Qershor 2017, 16:31Politika TEMA

Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte e para lidere europiane që e uroi Edi Ramën për fitoren.

“Urime të merituara. Mezi pres të takohemi pas pak ditësh”- i shkruan ajo Ramës  një ditë pas zgjedhjeve kur fitorja ishte e dukshme, por akoma jo zyrtare.

Nguti gjerman për të uruar fituesin tregon qartë pritshmëritë që kishte Merkel dhe faktori europian për zgjedhjet në Shqipëri.

Brukseli nuk dukej se donte kokëçarje me një lider tjetër si Basha, që nuk kishte treguar koherencë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

Kur u ngujua në çadër, ai, me një këmbëngulje të fortë refuzoi të gjitha ndërhyrjet europiane, kryesisht ato gjermane, për të dalë nga çadra dhe për t’u futur në zgjedhje. Madje arriti t’i cilësonte deklaratat e miqve të huaj “dokrra”.

Nga ana tjetër, Rama u ka treguar ndërkombëtarëve se ai për hir të integrimit është i gatshëm të pranojë çdo gjë që i kërkohet.

E mbani mend kur e dorëzoi fletën e bardhë me firmën e tij në fund për reformën në drejtësi dhe u tha amerikanëve dhe europianëve: “Unë jam dakord me çdo gjë që propozoni ju!”?

E pra, lider më të bindur dhe më të gatshëm për të pranuar reformat që kërkon Brukseli si kusht për integrimin, duket se ndërkombëtarët nuk do të gjenin në Tiranë.

Ndaj, në deklaratën e tyre përfaqësuesit e lartë të BE-së, Frederica Mogherini dhe komisionari Johannes Hahn folën për vazhdimin e reformave me një lehtësim të madh pas fitores së dukshme të Ramës.

“Pasi të përfundojë procesi zgjedhor, do të angazhohemi me qeverinë e re për të mbështetur procesin e reformave dhe për të vazhduar procesin e integrimit në BE. Vazhdimi i reformës së drejtësisë dhe lufta kundër trafikut të drogës dhe kultivimit do të jetë e një rëndësie të veçantë në këtë drejtim”- thuhet në deklaratën e tyre.

Shumë media europiane po e analizojnë këtë fitore të PS-së si një fitore të BE-së dhe flasin për punët që Rama duhet të bëjë për një integrim të shpejtë të vendit të varfër në skaj të Europës në familjen e madhe europiane.

Reuters shkruan se “Partia në pushtet, sipas numërimit të pjesshëm të votave do të qeverisë e vetme duke e ndihmuar atë që të nxisë reformat ekonomike dhe gjyqësore, të nevojshme për t’u bashkuar me Bashkimin Europian.”

Edhe Euronews i kujton premtimet Ramës, si e drejta e pronës, reforma në drejtësi etj.

1 komente në “Vota për Ramën, votë për integrimin: Pse BE dhe SHBA e mirëpritën fitoren e tij”

  1. Arber Iliri says:

    Pa asnje dyshim, Shqiperia do kete progres ne te gjitha fushat ne keto 4 vite.pa asnje tifozllik, shqiptaret bene nje nga zgjedhjet me te mira ne gjithe historine e shtetit te tyre dhe kjo do ndihmoje ne integrimin europian, zhvillimin e ekonomise dhe sundimin e ligjit.pa asnje dyshim respekti nderkombetar per shqiptaret do te njohe ngritje.Ne luften e Kosoves ne 1999 pati nje rritje te madhe te mendimit per shqiptaret qe perballuan nje fluks emigrantesh qe shkoi me shume se 30% e popullsise.ne qarqet politike te botes u vleresua si nje shprehje e nje populli te civilizuar.Zgjedhjet e tanishme shqiptare ne lekundjet e medha te gjithe situates ne bote i japin nje tjeter vleresim pozitiv popullit te shqiponjave.Vertet urime.Populli shqiptar tregoi mencurine dhe vizionin e tij per te ardhmen.West, West always West.Congratulations my dear people.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje