Vajza e Dritëroit rrëfen marrëdhënien mes dy shkrimtarëve: Pengu me Kadarenë ditën e vdekjes së babait dhe disa të pathëna

6 Gusht 2017, 11:22Kulturë TEMA

Nga Entela Resuli

Lidhjet e Kadaresë me Agollin janë të veçanta dhe i dinë më mirë nga të gjithë vetë ata. Shumë të vërteta midis tyre ndoshta nuk do të bëhen publike dhe të njohura asnjëherë. Secili do ti marrë me vete në varr të fshehtat dhe kjo për mua ka kuptimin dhe simbolikën e vet, shkruan Moikom Zeqo në librin “Liriku i tokës Demoni i fjalës”…

Gjashtë muaj pas ndarjes nga jeta e shkrimtarit dhe poetit Dritëro Agolli, vajza e tij Elona, vjen në një rrëfim të gjatë botuar sot nga gazeta DITA.

Mes të tjerave ajo flet për raportet e Dritëroit me Ismail Kadarenë.

Pyetjes së A keni pasur një mesazh ngushëllues nga Ismail Kadare, apo dhe një vizitë në familje?”, Elona Agolli i përgjigjet:

“Mesazh ngushëllues vetëm. Një kurorë me lule po ashtu”.

Ajo flet më pas për marrëdhënien mes dy shkrimtarëve të shquar.

“Me Ismail Kadarenë im atë ishte një mik i mirë. Mik i mirë që në rininë e tij, kur projektohej e ardhmja e tyre letrare, kur ëndrrat ishin të mëdha dhe sfidat që i prisnin ishin po aq të mëdha. Do të krijonin familje e do të ndërtonin modelet e çifteve siç do të thoshte R. Qosja “Çifte emblematike”, e përsëri do të vijonin shoqërinë dhe raportin e tyre miqësor; do të uronin nëpër festa dhe Ismaili do të bëhej edhe kumbari im, që do të përzgjidhte e propozonte emrin Elona kur unë erdha në jetë.

Nuk do të cenohej ajo miqësi edhe në vitet e vështira kur ishte e zakonshme të bashkëbisedohej nën zë, veçmas fëmijëve e të tjerëve, kur ngjarje të paperceptueshme për shpirtra të lirë, siç ishin im atë dhe miku i tij Ismail, ngjarje të tilla ndodhnin shpesh e më shpesh. Përherë ata të dy e kanë e kanë vlerësuar njëri-tjetrin, kanë njohur gjenitë dhe talentet e shoqi-shoqit, i kanë hapur rrugë kur e ndjenin që duhej hapur rrugë, përgjithësisht janë mirëkuptuar – thotë Elona.

Ajo zbulon madje që subjektin e romanit të famshëm Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Kadaresë ia ka dhënë pikërisht Dritëro Agolli.

“…Ka ndodhur që edhe i kanë dhënë subjekte veprash letrare njëri-tjetrit siç më rrëfente para ca ditësh Sadija, ime më, që ngjarjen e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Dritëroi e kishte dëgjuar në një fshat dhe i kishte thënë mikut të tij: Shkruaje ti këtë roman pasi i shkon mjaft stilit tënd të rrëfimit. Unë nuk do ta shkruaja dot si ti. Merre si ngjarje se ta kam falur si subjekt romani. E njihte mjaft mirë veten Dritëroi, ishte njeri me karakter të fortë dhe i ndershëm. Siç thotë diku për vete: “Unë kam qenë një filiz që, kam dalë nga toka jo nga vazot e luleve të ballkoneve të qytetarëve”.

Elona rrëfen  se Agolli e ka mbështetur vazhdimisht Kadarenë edhe në momentet e vështira:

“Sa i takon mbështetjes, ka ndodhur edhe në situata jo të lehta siç ishte momenti i ikjes së Kadaresë. Kur ikja e Ismailit nga Shqipëria u interpretua keq edhe nga miq e shokë të tij si arratisje e braktisje e vendit, ishte Dritëroi që i doli në krah duke deklaruar që shkrimtari i madh u lodh dhe u zhgënjye nga vonesa e ndryshimeve, e për këtë arsye ai u largua për t’u bërë një shembull. E ka edhe në një nga shënimet e tij këtë gjë” – thotë vajza e gjeniut të letrave.

“Sa i takon lamtumirës, përshëndetjes së fundme dhe ndarjen me mikun e rinisë dhe të pjekurisë edhe letrare, sinqerisht e prisja. U tha që ishte i pamundur për të ardhur, u shkruan në gazeta 2 radhët e formuluara në mënyrë konçize për lajmin e humbjes si një ndër lajmet më tronditës: “Jo vetëm për mua, por edhe për njerëzit e artit e gjithë shqiptarët, Dritëro Agolli do të na mungojë të gjithëve.” – u shpreh Ismail Kadare.Por asaj nuk i ka ardhur mirë që njeriu që i ka vënë emrin u mjaftua vetëm me një mesazh dy rreshta në vdekjen e Dritëroit. Ajo thotë se do të donte që Kadare të ishte personi që do mbante fjalën e lamtumirës.

Do të dëshiroja ndryshe, për të qenë e sinqertë. Dhe ajo fjalë lamtumire mbajtur nga miku në çastin e përcjelljes së fundme (nëse do, do të mbetej në historinë e vendit tonë të bekuar, në historinë e oratorisë së gjeniut të letrave dhe mikut të Dritëroit të madh, Ismail Kadaresë, dhe jo vetëm oratorisë, por edhe në historinë e një miqësie dhe etike morale të shëndetshme…” – thotë Elona.

E pyetur “Kanë folur shumë persona në ditët e ndarjes nga jeta të Dritëroit, por cili ishte reagimi apo personi që të habiti me ato çka kishte thënë?” – Elona përgjigjet:

“Fjalimi apo fjala e lamtumirës e mbajtur nga Edi, kryeministri, më ka bërë shumë përshtypje. Kishte ndjenjë, analizë, nderim, përulje, vlerësim…”

1 komente në “Vajza e Dritëroit rrëfen marrëdhënien mes dy shkrimtarëve: Pengu me Kadarenë ditën e vdekjes së babait dhe disa të pathëna”

  1. Shkrimtari says:

    Nuk eshte e vertete se subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrise se vdekur” Ismailit ja ka sugjeruar Driteroi.Historia eshte keshtu:
    Kane qene duke pire kafe tek Hotel Dajti Ismaili,Dalan Shapllo dhe 2 shkrimtare te tjere.
    Ne muhabet e siper Dalani thote se ka ardhur nje ushtarak Italian me nje prift dhe po nxjerin eshtrat e ushtareve te vrare gjate luftes se II Boterore.
    Ismaili si njeri i zgjuar e kapi ne ajer dhe filloi te shkruaje.
    Mbasi kish filluar ta shkruante romanin Ismaili mund ti ketw thene Driteroit se çkish neper duar dhe ndoshta per te shkembyer ndonje opinion.Por qe Driteroi ti kete sugjeruar Ismailit subjektin e Gjeneralit…..eshte qesharake ta mendosh e jo me ta thuash per te vertete.
    Do i sugjeroja vajzes se Driteroit qe mos nxitoje te tregoje historira te babait apo te jape definicione se kush ka qene Driteroi,Ismaili apo ata qe e rrethonin Driteroin.Le tja lere kohes se ajo i vendos gjetat shume me mire ne vendin e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje