Zotërinj ministra, keni harruar vetëm një detaj!

19 Gusht 2017, 09:05Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Dhe për ta thënë që në fillim të shkrimit se cili është detaji në fjalë, keni harruar të thoni se ishit pjesë e qeverisë po sulmoni! Mbi ju bie një përgjegjësi e rëndë morale dhe politike, për të gjitha shkeljet, manipulimet, blerjet e votave dhe dëmtimet e procesit elektoral, të cilat kanë ndodhur gjatë kohës që ju ndodheshit të ulur në poltronat ministrore. E kotë të përpiqeni të bindni opinionin publik dhe ndërkombëtarët, që paskeshit qenë vetëm një kozmetikë zgjedhore e dalë nga marrëveshja e 17 majit. E kotë të hiqeni sikur jua kanë kaluar ujin nën rrogoz, kurse ju s’keni ditur asgjë. Kur pranuat të hyni në qeveri, pranuat njëkohësisht edhe rezultatin e zgjedhjeve që do të vinte më pas, sepse ofruat për këtë gjë kompetencën, njohuritë dhe profesionalizmin tuaj. Zotërinj ministra, ju ishit pjesë e qeverisë, të cilën sot e gjuani me gur për blerje votash dhe dhunim zgjedhjesh. Mos e harroni këtë detaj!

Që ministrat teknikë patën një rol margjinal në punët e qeverisjes së vendit, që e panë veten të bllokuar në alokime fondesh dhe zbatime politikash e strategjish konkrete, e gjitha kjo mund të qëndrojë dhe bën sens. Ministrat teknikë, të cilët padrejtësisht nuk u pritën as edhe për një kafe nga kryeministri Rama, kanë qenë një “mish i huaj” në ekzekutivin e copëtuar që po ngrys ditët e fundit. Kanë qenë një arnë e qepur me pe të bardhë, që u vendos aty për të ofruar garanci për zgjedhjet, e jo për të korrigjuar qeverisjen katërvjeçare të të majtës.

Por kur këta përfaqësues jopolitikë të opozitës pranuan të ulen në krye të ministrisë së brendshme, financave e drejtësisë etjetj, duhet ta kishin parasysh që me aktin që po kryenin, i kishin hequr thuajse totalisht mundësitë vetes (por edhe Lulzim Bashës që i propozoi), për të kontestuar “pas pilafit” zgjedhjet dhe rezultatin e dalë prej tyre.

Hyrja masive e opozitës në qeveri ka shënuar edhe pranimin de facto paraprakisht të rezultatit të zgjedhjeve nga të gjitha palët. Nga Edi Rama, i cili pranoi të bëjë këtë hapje të paprecedent, por edhe nga Lulzim Basha, i cili pranoi ta gëlltisë këtë “karrem” elektoral të ofruar nga maxhoranca. Nuk mund të anatemosh blerje votash, kur ke pasur ministrin tënd në krye të ministrisë së brendshme. Nuk mund të bërtasësh për komplot elektoral në administratë, kur kemi parë gjatë javëve të fushatës, sesa kapilare dhe e ashpër ka qenë vigjilenca e “teknikëve” për të gjitha rastet e dyshuara të përdorimit të nëpunësve në fushatë. Nuk mund të pretendosh sot se rezultati u shtrembërua, kur u emëruat në postet tuaja pikërisht për të penguar që kjo të ndodhte.

Shqipëria nuk ka shkuar kurrë në zgjedhje, pas vitit 1990, me ministrin e brendshëm të opozitës në detyrë. Pale pastaj që të kishte edhe nja katër a pesë anëtarë të tjerë qeverie nga pakica. Në vitin 2009 opozita kërkonte vetëm rinumërimin e disa kutive në Berat e një dy qarqe të tjera. Nuk ka krahasim standarti zgjedhor mes këtyre dy epokave.

Raportet paszgjedhore për manipulim zgjedhjesh, kur për to ka folur edhe Merkeli, Tillerson e të tjerët pas tyre, tingëllojnë si një këngë vaji e vonuar, që shërben vetëm për të justifikuar tre muajt e kaluar në një zyrë shteti jashtë programit dhe jashtë logjikës normale të ndarjes së punëve mes pozitës dhe opozitës! Këtë detaj ministrat duhet ta mbajnë mirë parasysh, para se të hedhin në letër “mynxyrat” që paskan ndodhur mu nën hundët e tyre…

5 komente në “Zotërinj ministra, keni harruar vetëm një detaj!”

  1. Gjini gunëbardhë says:

    Dhe nuk ishin thjeshtë “pjesë e Qeverisë” , por një qeveri brenda Qeverisë e ngarkuar enkas për Zgjedhjet. Nuk shkuan aty për emërime e tendera, siç vepruan sapo shkelën mbi qilimat e ministrive e deri sa mbathën këpucët, 2 muajtë pas zgjedhjeve, por për të “ruajtur” zgjedhjet. Sa herë iu bë L. Bashës nga media dhe të tjerë pyetja se a do të ishte në gjendja opozita t’i vëzhgonte dhe t’i drejtonte mirë zgjedhjet me masat që kërkonte?
    – Pooooo!!! – ishte përgjigjja e tendosur e tij. Tashti kërkon të na thotë se nuk e paskësh ndier ujin që ia kishte futur Rama nën rogoz – lexo: nën pllakat e bulevardit ku kishte ngritur çadrën e turpit.
    Më e pakta: Qesharakë!

  2. Luli says:

    Përgjigje e saktë,dhe ministrat teknike e kanë të qartë, se për këtë punë e morën rrogën për këto muaj që të garantonin për detyrën që morën. dhe jo të na thonë që u vodhën kur çdo gjë u pa qartë që votimi dhe numërimi ishte transparent.

  3. astrit says:

    Per “menxyrat” qe paskan ndodhur nen hunden e tyre, keta ministruqe te paafte dhe inkopetente, duhet te dergohen per ndjekje pernale per veprimet dhe mosveprimet e tyre.

  4. Shkupi - Prishtina says:

    Tani me opozita eshte per ta vajtuar ! e shkreta opozite , ose Luli eshte i shitur ose jane te pa afte per ta luajtur rrolin . por jam i bindur se e treta e verteta sundon ne opozite dhe ajo eshte qe e kane humbe rrugen ne oborin e tyre , shumica jane te pa afte dhe mendjen e kane vetem te leku , disa qe shtiren si demokrate dhe kopjojne Sali Berishen , me nuk pijne uje sepse kopjen e Sali Berishes se ka mundesi askush , ai ishte i privilegjuari nga berthamat antishqipetareve Serbe dhe Greko- Ruse. dhe pjesa tjeter votash te intersit qofte material , diploma falco , leje ndertimi falco , punesimi pa meritokraci duke na perfshire te gjithe aritem te turperohemi se jemi Shqiptare.

  5. Zgalem says:

    Shkrimi i Minxhozit eshte nje raport real i punes se opozites dhe i Ministrave teknike . Nuk ma merrte mendja se keta Ministra do te firmiosnin nje raport te tille , duke qene vete ne qeverri , madje ku benin shumicen qeverrisese , bashke me ministrat e LSI se .
    Formova pershtypje te mire , per tekniken Zv. Kryeministre dhe per Minisrtin teknik te brendshem . Raporti i tyre , per parregullsine e zgjedhjeve i cvlereson si intelektuale te nivelit te ulet . Si kane firmosur nje raport te tille ? Ky raport , edhe po ishte i vertete eshte kunder teknikeve edhe kur nuk eshte i vertete , perseri eshte kunder tyre . Nuk me kane zene syte nje naivitet te tille intelektual ! Mjer Shqiperia , qe i ka paguar si Ministra . Turp per ta ! Mundet , qe raporti t’u jete diktuar nga Partia. Po qe keshtu , keta nuk jane teknike .Po qe se ky raport ka kaluar nga Berisha , perseri nuk cfajesohen “ tekniket”, sepse Berisha , nuk njeh llogjike . Zgalem

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje