Korrupsioni në drejtësi, dhjetëra dëshmitarë dalin kundër gjyqtarëve

26 Shtator 2017, 08:43Kronika TEMA

Dhjetëra qytetarë kanë mësyrë në dyert e organeve të Vetingut, për të dëshmuar rreth praktikave korruptive të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë ndër vite.

Ndonëse ende nuk ka startuar procesi i kontrollit të trefishtë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale, prej disa muajsh, në dyert e institucioneve të Vetingut kanë trokitur një numër i madh njerëzisht, për të denoncuar me emra konkretë prokurorët dhe gjyqtarët, të cilat u kanë marrë para në këmbim të dhënies së drejtësisë apo në këmbim të vendimeve në favor të tyre.

Interesi i pazakontë për të dëshmuar dhe për t’u bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë është konfirmuar dje nga kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku u diskutua organika dhe pagat e organeve të Vetingut.

Zonja Mulaj u shpreh se që gjatë muajve të verës, në zyrat e Kolegjit të Apelimit kanë ardhur një numër i madh qytetarësh, për të denoncuar abuzimet në drejtësi, bazuar në ligjin e Vetingut, i cili parashikon mbrojtje të posaçme për dëshmitarët kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe marrjen mbrapsht të shumave që kanë paguar në këmbim të vendimeve.

Zonja tha se fluksi i denoncimeve është i paimagjinueshëm. “Po ju them diçka. Populli i ka sytë tek ne. Ka katër muaj që ne të gjithë gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit po rrimë në një zyrë tek Pallati i Kongreseve. Gjatë gjithë verës zyra jonë ka qenë e hapur. Ka aq fluks denoncimesh sa ju nuk e imagjinoni dot. Jam detyruar që të nxjerr gardën, kam kërkuar që të vendos roje tek dera pasi nuk e përballoja dot fluksin.

Ne, me këtë proces, jemi futur në një rrugë, duke luftuar një sëmundje të rëndë të shtetit shqiptar, që është korrupsioni”, tha zonja Mulaj, duke konfirmuar pritshmërinë e madhe të shqiptarëve në këtë proces. Nxitja e denoncimeve konkrete të publikut kundër njerëzve të drejtësisë është stimuluar nga ndërkombëtarët, të cilët këmbëngulën për të parashikuar një bazë ligjore në ligjin e Vetingut.

Bashkëpunëtori
Ligji për Vetingun ka një nen për bashkëpunëtorin e drejtësisë, zbatimi i të cilit mund të ‘djegë’ shumë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët janë përfshirë në veprimtari korruptive.

Neni 54 parashikon mbrojtje të veçantë dhe amnisti për çdo qytetar, i cili ka marrë pjesë në vepër penale me një gjyqtar apo prokuror, por që shpreh vullnetin për të bashkëpunuar me organet e Vetingut, duke dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.

Bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit.

Sipas ligjit, bashkëpunëtori i drejtësisë, në këtë rast nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë.

Ndërkaq, gjyqtari apo prokurori që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka
humbur gjatë kalimit të kohës.

Kontrolli i pasurive, kushti kryesor
Verifikimi i ligjshmërisë së pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kryefjala, deviza dhe objekti kryesor i ligjit të Vetingut. Ligji përmban parashikime të qarta dhe shteruese sa i përket fatit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk justifikojnë pasuritë e deklaruara me dokumentacion ligjor, kanë fshehur pasuri, kanë bërë deklarata të rreme, kanë pastruar para apo kanë falsifikuar dokumente. Neni 61 i ligjit të Vetingut parashikon që Komisioni i Rivlerësimit (organ i Vetingut) vendos të shkarkojë nga detyra gjyqtarin apo prokurorin, kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të. Vendimin e Komisionit të Vlerësimit, gjyqtari apo prokurori ka të drejtë që ta ankimojë në Kolegjin e Apelimit, organit më të lartë të Vetingut, i cili do të thotë fjalën e fundit për dosjen e subjektit të rivlerësimit. Në këtë rast, subjekti i rivlerësimit nuk ka të drejtë të shqyrtojë dhe të gjykojë çështje. Ai është i detyruar të ofrojë një adresë elektronike alternative për vazhdimin e komunikimit me institucionet e rivlerësimit, gjatë gjithë procesit.

Bashkëpunëtori i drejtësisë
1. Personi që ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e
rivlerësimit, ka të drejtë t’i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal.

2. Prokurori mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë personit që shpreh
vullnetin për të dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.

3. Personi ka të drejtë përfaqësohet nga mbrojtësi i tij ligjor.

4. Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë
informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore.

5. Bashkëpunëtori i drejtësisë nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë. Një kopje e dëshmisë dhe e
marrëveshjes së bashkëpunimit i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të
rivlerësimit.

6. Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet në rast se bashkëpunëtori i drejtësisë
nuk dorëzon provat pranë institucioneve të rivlerësimit ose jep dëshmi të rreme, për të cilën mban përgjegjësi penale, sipas legjislacionit penal.

7. Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin.

Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës.

Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt dhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100 000 lekë pa shkak të ligjshëm, që nga 1.1.2006. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë padi regresi ndaj personave të tretë që mund të kenë përfituar shumën përkatëse./shqiptarja.com

3 komente në “Korrupsioni në drejtësi, dhjetëra dëshmitarë dalin kundër gjyqtarëve”

  1. Aliu says:

    Komisioni i vetingut duhet te beje edhe nje portal ku te denoncohen pronat e paligjshme te gjykatesve. Ato qe deklarojne ata nuk jane as 5% e pronave. Psh lokali Amoroso ne Tirane eshte prone e nje gjykatesi dhe eshte e padeklaruar. A nuk duhet te hetohen te tilla raste?

    1. Qyetari Realist says:

      Sa naiv, popull bageti. Vetem per pronat dhe pasurite e gjyqtareve te nje shteti te korruptuar keni merak. Po per pasurite dhe milionat e Likes, Rames kur?

  2. Fiqo says:

    Jam i SIGURT qe ky vetting shqiptar, do te dale vetem nje “fluske sapuni”, ata qe duan mender”t’a bejne vetingun” jane te dhjere per vehte….kush do t’e “hetoje pasurite” e gjasme te korruptuareve, te KORRUPTUARIT?!!!!!. Tani dhe presidenti ne krye te mender “KLD” gjithmone “me qetesi dhe dashuri”, j’u ben fresk njerzve me te “paster” te drejtesise……AH KY VEND MUTI…….!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje