Koço Kokëdhima: T’i përmbysim këta që na kanë marrë peng, me çdo mjet

7 Tetor 2017, 10:26Politika TEMA

Koço Kokëdhima thotë se nukeshte penduar për bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, madje nuk do të përfshihet në zgjedhje të tjera që nuk paraprihen nga reforma zgjedhore, që do t’i clironte zgjedhjet nga thonjtë e dy-tre kryetarëve.

Ai deklaron se armiqtë e zgjedhjeve të lira i di gjithë Shqipëria dhe ata janë Rama, Saliu, Rilindja dhe PD-ja, ndersa ben thirrje per permbysje.

Z.Kokëdhima! Po të ktheheshim në kohë, para zgjedhjeve, keni ndryshuar qëndrim që nuk u përfshitë në zgjedhje?

Ne bëmë thirrje për bojkot dhe nuk jemi penduar për këtë. Nuk ishte një qëndrim i nxituar, por ishte i menduar. E para: Ne ishim të kushtëzuar nga situata kur opozita e vendit ishte në çadër, në një protestë që zgjati 90 ditë, dhe kur ishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Atëherë kemi bërë dy kushtëzime. Së pari thamë që ne nuk përfshihemi në zgjedhje që nuk janë gjithëpërfshirëse, sepse vendi nuk mund të bëjë zgjedhje pa opozitën, sepse ato nuk prodhojnë stabilitet, zhvillim, as zgjedhje, nuk përmbushin as qëllimin dhe shndërrohen nga festa që duhet të jenë për popullin në burim fatkeqësie dhe konfliktesh. Kështu që ne kishim vendosur që në zgjedhje të tilla nuk do të hynim dhe kjo vlen edhe për të ardhmen. Ne nuk do të përfshihemi në zgjedhje edhe në të ardhmen nëse përjashtohet opozita në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim ose në mënyrë të tërthortë, përmes veprimeve ose mosveprimeve nga qeveria. Kushtëzimi ynë i dytë ishte se ne nuk shkojmë në zgjedhje pa standarde, në zgjedhje që nuk paraprihen nga reforma zgjedhore që do t’i çlironte përfundimisht ato, sepse Shqipëria nuk bën zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në Europë që nuk bënë dot zgjedhje me standarde. Këto dy kushte që ne kemi vendosur qëndrojnë edhe sot. Edhe sot ne jemi në të njëjtin qëndrim, sot e në të ardhmen. Politika jonë është e tillë që ne duam çlirimin e zgjedhjeve me qëllim që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira.

Me duket se kjo nuk i ka prishur aspak punë kryeministrit Rama dhe PS-së për t’u rimandatuar edhe me më pak vota se ç’mori më parë dhe për të qeverisur e vetme me një pakicë shqiptarësh që e mbështetën krahasimisht me pjesën tjetër?

Unë nuk mendoj për interesat Ramës dhe një grushti të vogël njerëzisht, klientët e tij me të cilët ai ushtron dhe ndan pushtetin dhe të mirat e tij. Ne nisemi nga pozitat e interesit të popullit shqiptar, nisemi nga parimet e larta dhe nga standardet që duhen të respektojnë zgjedhjet në Shqipëri dhe nga fakti se, a i shërbejnë këto zgjedhje çuarjes përpara të demokracisë, ai i shërbejnë këto zgjedhje përtëritjes së elitës politike, ai i shërbejnë këto zgjedhje përmirësimit të cilësisë së përfaqësuesve dhe lirisë së konkurrencës së individëve, që burrat dhe gratë më të mirë dhe më të zotë të vendit të shkojnë në drejtim e punëve të shtetit, të popullit, të institucioneve, apo jo. Ramës nuk i prishet punë edhe sikur mos të bëjë zgjedhje fare. Madje, ai është më i lumtur të mos bëjë zgjedhje fare, por ne do të nisemi nga interesi publik.

Ndoshta duhet të rregulloni pak shënjestrën e të bërit opozitë, z. Kokëdhima?

Mendoj se jemi shumë të qartë dhe e kemi shënjestrën ashtu siç duhet. I kemi shenjuar armiqtë e zgjedhjeve të lira në Shqipëri, në zemër e në ballë.

Kush janë armiqtë?

Armiqtë e zgjedhjeve të lira i di gjithë Shqipëria. Janë Rama, Saliu, Rilindja dhe PD-ja. Sigurisht që ka edhe bashkëpunëtorë të tyre, ka edhe anëtarë të tjerë të “tepsisë” që janë armiq të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto i kanë degjeneruar zgjedhjet në Shqipëri, në këto 25 vjet. Partia Demokratike fillimisht e instaloi kulturën e vjedhjes, manipulimit, blerjes dhe dhunimit të zgjedhjeve dhe PS-ja, e udhëhequr nga Edi Rama, e sofistikoi dhe e çoi edhe më larg këtë kulturë. Sot zgjedhjet janë të marra peng në Shqipëri. A ripërtërihet elita politike përmes zgjedhjeve? Jo, nuk ripërtërihet! Çdo vend demokratik në botë i ripërtërin elitat politike. Nuk ndodh që një vend për 30 vjet të ketë një apo dy udhëheqës.

Përjashto Gjermaninë, Rusinë, apo Turqinë…

Gjermania ka një koalicion partish që qeverisin. Në fakt për të katërtën legjislaturë rresht ka një koalicion partish dhe jo një parti e vetme që qeveris. Është superfuqia e Europës dhe një nga fuqitë më të mëdha të botës. Flasim për gjëra krejtësisht të ndryshme, nuk flasim për një vend që lëngon në skamje. Është një vend tërësisht demokratik, me standarde të larta të ligjit dhe të demokracisë. Ku ta gjenim ne të ishim si Gjermania, qoftë në zgjedhje, qoftë në ushtrimin e pushtetit, qoftë në zhvillim. Ku ta gjenim ne që të kishim udhëheqës që ta bënin Shqipërinë jo sa Gjermania por thjeshtë sa një e mijta e saj, të përmirësonim gjërat çdo vit dhe ne do i linim të na qeverisnin deri sa të vdisnim, do i shpallnim mbretër nëse do na qeverisnin siç qeveris klasa politike gjermane.

Ju me të drejtët përmendët në gjykimin tuaj PS-në dhe PD-në si dy forcat kryesore të cilat më së shumti në këto 27 vite nuk kanë dashur të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për më tepër po t’i rikthemi vitit 2008 këto dy forca politike miratuan së bashku ndryshimet për reformën zgjedhore. Ka gjasa që pikërisht këto dy forca politike të bëjnë të njëjtën gjë ndërkohë që do diskutohet këto ditë reforma zgjedhore dhe çfarë do të bëni për ta ndaluar që të mos rikthehemi në të njëjtën situatë?

Kur flasim për PD-në dhe për PS-në, kur flasim për Rilindjen duhet të bëjmë një diferencë të qartë mes lidershipit dhe bazës së tyre. Nuk është anëtarësia e këtyre partive ajo që ka prishur zgjedhjet në Shqipëri. Edhe pse unë dëshiroj ta shfrytëzoj këtë komunikim publik me ju për të përcjellë mesazhin se janë shumë njerëz të thjeshtë të Shqipërisë përgjegjës për këtë katastrofë në të cilën ndodhet Shqipëria. Ka shumë servilë të pushtetit në Shqipëri, ka shumë servilë të kryetarëve të partive, edhe në të majtën, edhe në të djathtën, dhe ka shumë njerëz të thjeshtë që, për një interes fare qesharak, shesin interesat e shtetit, të vendit, të komunitetit dhe në fund të fundit, në terma afatmesme dhe afatgjata shesin dhe tradhtojnë interesat e larta të fëmijëve të tyre, të brezave që vijnë në Shqipëri. I bëj apel popullit që të përmirësohet, të marrë përgjegjësi për fatet e veta, të mos vazhdojë t’i bëjë fresk këtyre politikanëve që e kanë marrë në qafë këtë vend, të mos i serviloset këtyre, por të bëjë rezistencë. Edhe anëtarët e partive politike të mos u servilosen kryetarëve, por të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të marrin në dorë fatet e familjeve dhe vendit të tyre. Po nuk u rregullua Shqipëria, nuk do të rregullohen familjet e tyre. Edhe ata njerëz që do të bëjnë sukses, nuk do të kenë familje se do tu ikin fëmijët e tyre. Edhe ata që bëjnë korrupsion do të mbesin këtu si kukudh të vetmuar, do të mbeten pleq të vetmuar në një vend të varfër dhe të falimentuar. Prandaj është koha që t’i thërrasin ndërgjegjes të gjithë. Unë nuk i bëj bashkë njerëzit e partive politike me lidershipin. Kryetarët e partive, Edi Rama, Saliu dhe të tjerët nuk përfaqësojnë anëtarësinë e tyre. Ata thjeshtë e kanë shkelur anëtarësinë e partive të tyre, e kanë gjunjëzuar, e kanë eliminuar si zë, si mendim dhe e kanë kthyer thjeshtë në lolo, në mbështetës vetëm të interesave të tyre. Janë kryetarët e partive që i kanë marrë peng zgjedhjet vetëm për pushtetin e tyre personal. Ata i kanë kapur Shqipërinë, partitë, qeverisjen, institucionet e shtetin dhe prandajë këtu nuk ka as liri ekonomike, as politike. Ka liri politike këtu? Jo! Ka të drejtë ndonjëri të zgjidhet deputet sepse i pëlqen atij? Jo! Deputet zgjidhet vetëm ai që do kryetari i Partisë Demokratike, i Partisë Socialiste, apo kryetari i LSI-së. Nuk futesh në asnjë listë, nëse nuk do kryetari. S’ka asnjë garanci që të përmbushet për ndonjë individ e drejta kushtetuese e Shqipërisë që thotë se “Ke të drejtë të zgjidhesh dhe të zgjedhësh lirisht”. Kjo nuk vlen në Shqipëri, sepse kryetarët e partive e kanë zhbërë këtë liri kushtetuese. Kanë zëvendësuar pushtetin e ligjit e të kushtetutës me pushtetin dhe fuqinë e tyre personale. Prandaj ata i japin hapësirë vetëm servilëve dhe atyre që punojnë për pushtetin e tyre personal. Çfarë duhet të bëjmë ne? Duhet ta zhbëjmë këtë situatë!

Konstatimi është shumë i zymtë, z. Kokëdhima, por duhet të vijmë tek zgjidhja. Është i zymtë, por, fatkeqësisht, ka nota të së vërtetës.

Nuk ka nota të së vërtetës, është thjeshtë e vërteta dramatike e këtij vendi. Janë shkatërruar plotësisht liritë politike dhe liritë ekonomike. Ka ndonjë kompani sot në Shqipëri që mund të fitojë një tender me garë? Asnjë kompani nuk e fiton dot një tender me garë. Në të shkuarën si ishte? Kishte shumë korrupsion, shumë ndërhyrje, por nuk ishin kaq keq sa tani. Çdo tender e ndan kryeministri me ekipin e tij të ngushtë, me 2-3 njerëz të tij, e ndajnë ministrat dhe kryetarët e bashkive. Nuk mundet të marrësh një tender nëse nuk paguan kryetarin e bashkisë, ministrin ose ekipin e kryeministrit. Po nuk u pagove këtyre 20 përqindëshin, nuk bëhet fjalë që të fitosh tender. Nuk mund të marrësh në Shqipëri një licencë po nuk pagove taksën tek sekserët e qeverisë. Nuk mund të bësh një investim të huaj po nuk i dhe pjesë në kapital ministrave dhe sekserëve të kryeministrisë. Prandaj nuk ka investime në Shqipëri. Nuk ka këtu liri konkurrence, as ekonomike, as politike, nuk zgjidhesh e nuk zgjedh.

Ju nuk është se nuk e njihnit z. Rama, përkundrazi. Jeni nga radhët e miqve të zotit Rama që nuk do u mjaftonin besoj katër vjet për të arritur në këto konkluzione.

Nuk jam duke folur për Ramën këtu, e as për Saliun. Jam duke folur për mënyrën se si këta ushtrojnë pushtetin dhe mënyrën se si këta e kanë ushtruar pushtetin. Për përgjegjësitë e tyre politike. Unë kam qenë në politikë vetëm 30 muaj dhe gjithë jetën time jam marrë me punët e shtëpisë time, familjes time, me detyrat e mia si biznesmen, si qytetar, si prind, etj. Në politikë gjithmonë kam këshilluar në mënyrën më të drejtë dhe institucionale vetëm gjëra të shëndetshme për vendin. Asnjë politikan, as Rama, nuk mund të thotë që unë kam këshilluar diçka të ndryshme nga këto qëndrime që mbaj sot. Kushdo që është këshilluar, nga PS-ja, nga PD-ja që nga 1991 e deri më sot ka marrë nga unë vetëm këshilla korrekte, parimore, koherente me këto qëndrime që unë shpreh këtu sot. Askush prej tyre nuk ka ndarë pushtetin me mua. Për 30 muaj që qëndrova deputet, isha energjia kryesore reformuese në PS, isha njeriu që kërkonte të çante moçalin e politikës së vjetër, isha deputeti i parë në historinë e 26 vjetëve të politikës në Shqipëri që i trazova ujërat e politikës si askush tjetër. Gjysmën e kohës opozita e harxhonte duke u marrë me mua dhe 50 për qind të kohës pushteti dhe qeveria jonë e shpenzonte me truke e komplote për të më eliminuar mua e zërat e tjerë si unë në atë Partinë Socialiste. Unë mbajta qëndrimet që i takonin të mbante një burri të përgjegjshëm që donte ti ndryshonte gjërat për mirë, e jo thjeshtë të fliste. I ftova ndershmërisht këta njerëz të reformonim sistemin politik në Shqipëri, të reformonim zgjedhjet. Edhe sa i përket zgjedhjeve atje ku drejtova unë, shkoni e pyeteni kundërshtarët, nuk lejova të numërohej gabim asnjë votë e vetme. Rama nuk ka ndarë asnjë ditë pushtetin me mua. Në 30 muaj si deputet, i jam imponuar atij në gjërat që kam bërë, me forcën e argumentit dhe me vlerën e parimeve mbështesja. Nëse do të ndante me mua pushtetin dhe interesa nga ato për të cilat ai rri në pushtet, nuk do të bashkëpunonte me Saliun dhe me kryetarët e tjerë të partive kundër mandatit tim e nuk do komplotonte me ta për të më përjashtuar nga politika pa asnjë shkak e motiv. Nga kjo politikë që ndoqa unë përfituan shumë njerëz në zonën time. 16 mijë të reja e të rinj solla në poste kyç në parti dhe në institucione dhe i hapa rrugën reformimit të Partisë Socialiste në zonën ku isha drejtues politik. E njëjta gjë do të ishte bërë në kudo nëse PS-ja do e kishte zbatuar atë reformë në të gjitha rajonet e Shqipërisë. Do ta kishim hapur konkurrencën që djemtë dhe vajzat më të mirë e më të përgatitur të vinin në pushtet dhe nuk do të vazhdonim akoma, në vitin 2017, ta zgjidhnin Gramoz Ruçin, sekretar të Përgjithshëm të PS-së pa konkurrencë. Po të më dëgjonte Edi Rama do të ishte bërë tjetër, ajo që ia propozova që posti i Ruçit të zgjidhej me konkurencë mes njerëzve të tjerë.

Ju nuk keni qenë kundër, por thjesht të zhvillohej garë brenda PS-së për zgjedhjen e Ruçit?

Jo, nuk kam qenë kundër. As nuk e kam aspiruar postin e Ruçit asnjëherë. Dhe të ma dhuronin nuk e merrja kurrë, nuk e doja dhe nuk ishte ky qëllimi im. Sa i përket Gramoz Ruçit unë kam qenë kritik me punën e tij. Ai për mua nuk e bënte detyrën e tij, nuk e drejtonte PS-në. PS-ja ishte blozë, ishte shkatërruar plotësisht nga brenda, nuk kishte as demokraci, as standarde, as procedura, as nivel, as organizim dhe për këtë ky zotëria nuk mbante asnjë përgjegjësi. E kishin partinë 200 veta nëpër xhepa si letra bakalli, dhe nuk kishte asnjë bazë të dhënash. Ai nuk bënte asnjë punë dhe nuk mbante asnjë lloj përgjegjësie, ishte gjithmonë fitues. Humbte apo nuk humbte partia, ai gjithmonë fitonte. Propozimi im për Edi Ramën ishte shumë i thjeshtë: Unë nuk kam interes, por ky post duhet të zgjidhet me konkurrencë. I kam propozuar lidershipit të PS-së kandidatë konkretë që të garonin me Gramoz Ruçin. I propozova Lindita Nikollën dhe Blendi Çuçin për t’u bërë sekretar të Përgjithshëm të PS-së dhe ta rinovonim atë parti. Gramozi nuk ishte asnjë arsye që të vazhdonte pa konkurrencë të emërohej sekretar i përgjithshëm aq më pak kryedeputet i Shqipërisë. Qëndrimet unë i kam mbajtur njësoj, si atëherë edhe tani.

Keni këshilluar shumë deputetë të majtë e të djathtë, siç thatë. Do t’u jepni një këshillë edhe qytetarëve në lidhje me zgjidhjen?

Kush është zgjidhja, thoni ju, për ta kapërcyer këtë histori?

Së pari, ne duhet ta zhbëjmë pushtetin e këtyre individëve. Këta individë kanë marrë peng Shqipërinë. Janë 3-4 njerëz që e kanë marrë peng Shqipërinë, pasurinë e njerëzve, buxhetin e popullit, të drejtën për të punuar në këtë vend. Kanë marrë peng të drejtën për të përfaqësuar në këtë vend, të drejtën për t’u zgjedhur, të drejtën e popullit për të ripërtërirë elitën politike, kanë eliminuar të drejtën e popullit për të qenë sovran, për të zgjedhur vetë përfaqësuesit e tij, për të vendosur me referendum fatin e mjedisit të tij, për të vendosur me referendum fatin e zhvillimit të tij, e kështu me radhë. Pushteti i këtyre njerëzve duhet zhbërë. Kryesore është ta zhbëjmë pushtetin e këtyre uzurpatorëve që janë 3-4 kryetarë partish, tu a marrim pushtetin dhe t’ia kthejnë qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë.

Ju pyes sepse jo më larg se dy ditë më parë kanë nisur aplikimet për lotarinë amerikane. Shifrat ishin të frikshme. Rreth 200 mijë qytetarë donin të largoheshin. Po të ishin të kënaqur në këtë vend nuk do të ishte kjo shifra e largimit nga vendi apo azilkërkuesit në Europë? Si zgjidhet kjo?

Keni shumë të drejtë. Është gjëja që më dëshpëron më shumë. Ikja e forcave të afta, e njerëzve të kualifikuar, të ndershëm, e veçanërisht të rinisë. Ikja e tyre është duke e tharë këtë vend. Nuk e di se kush do e bëjë këtë vend kur ikin njerëzit e mirë, të zotë e të aftë. Sa më shumë njerëz të tillë të largohen, aq më pak shpresë dhe energji reformuese ka në Shqipëri. Por unë nuk jam tip që kapitulloj, as që tërhiqem, as që dorëzohem dhe unë i ftoj njerëzit që të mos ikin. Ata që duan të ikin nga Shqipëria janë shumë më tepër se sa këta që mbajnë peng Shqipërinë dhe që i detyrojnë këta njerëz të ikin nga Shqipëria, janë shumë më tepër nga këta që kanë uzurpuar dhe i kanë shkatërruar institucionet e shtetit shqiptar, kanë çnderuar shtetin tonë dhe e kanë bërë popullin tonë aspak krenar që të thotë se “jam shqiptar”. Kështu që, këta që janë më të shumtë duhet të bëjnë një gjë tjetër. Duhet të bashkohen që t’i përmbysim këta që na kanë marrë peng, me çdo mjet. Sot këta pengmarrës na rrezikojnë ekzistencën si popull, jetën e gjithçka dhe ne kemi të drejtën e Zotit ta udhëheqim popullin jo vetëm në një rezistencë, por në një goditje me çdo mjet ndaj tyre. Nëse këta do të bëjnë një marrëveshje të re për të mbajtur peng zgjedhjet tani e mbrapa, për të mos lejuar reformimin e zgjedhjeve, nëse këta do të refuzojnë që ti lëshojnë nga thonjtë e tyre zgjedhjet, atëherë duhet të përballen me zemërimin e njerëzve, me energjinë e kësaj pjese që nuk do ta lërë atdheun, por që është e gatshme të vdesë këtu për ta ndriçuar Shqipërinë. Kanë shekuj shqiptarët që luftojnë për një vend të begatë, sovran, për një vend ku mund bëjnë pasuri dhe jetë të lumtur. Ne kemi përgjegjësi si për brezat e shkuar edhe për gjeneratat që vijnë dhe këtë përgjegjësi do ta ushtojmë. Nuk do të trembemi këta dinosaurë të cilët e kanë forcën vetëm te pushteti dhe paraja. Ata, pa pushtet dhe pa paratë e vjedhura janë asgjë, janë frikacakë, janë tigra prej letre. Ata janë njerëz pa kulturë, pa aftësi, nuk janë burra shteti, janë burracakë pushtetit dhe ne do t’u tregojmë këtyre burracakëve se ky vend nuk do të vdesë në këmbët e tyre.

Nëse do të ndodhte një përmbysje, do të sillte në krye të vendit burra shteti?

Pyetja është shumë e drejtë. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri?

Çdo herë kemi hequr një qeverisje dhe kemi sjellë një më të keqe se e para. Çfarë deklaronte Fatosi (Nano) në ‘97? Deklaronte se do t’u largoheshin të gjitha sjelljeve të këqija të pushtetit të Saliut, do t’i largoheshin manipulimit dhe vjedhjes së votës, do t’i largoheshin përfshirjes së të fortëve dhe të dhunshmëve nga punët e shtetit. Çfarë bënë kur erdhën në pushtet? Bënë thagmat që ia kaluan edhe Saliut. Çfarë thoshte Saliu përpara vitit 2005? Do i zhbëj privatizimet dhe konçensionet e Fatosit, thoshte, do i vë rruspën ministrave të korruptuar të Nanos. Në qeveri ia kaloi edhe Fatosit. Me çfarë shprese erdhëm ne në 2013?..

S’po thoni asgjë më shumë se çmendojnë qytetarët, të zhgënjyer nga klasa politike?

Shiko çfarë ndodh! Ne kemi rënë gjithnjë e më keq. Fundi i Ramës është i qartë. Ditët e tij numërohen mbrapsht. Ju them në mënyrë të sigurtë se, me këtë politikë që ai bën, i ka ditët e numëruara. Por nuk është ky problemi kryesor. Problemi është çfarë vjen mbrapa. Çdo kryeministër që është bylmez, në kuptimin e ushtrimit të përgjegjësive, si burracak pushteti, e gjen vetë rrugën e humbjes dhe e çon vetë në humbje pushtetin e tij. Rikthehemi tek argumenti i sipërpërmendur. Ai meriton një meditim të fortë nga populli ynë, nga inteligjenca. Si shpjegohet se gjithmonë biem nga një qeveri e keqe në një tjetër akoma më të keqe? Duhet të prodhojmë alternativa të mira. Ato parti politike që mund të sjellin burra shteti. Sovrani ka aftësinë për të zgjedhur mirë. Por, ne kemi rënë nga një fatkeqësi në një tjetër sepse nuk zgjedh populli, zgjedhin kryetarët. Vetëm Fatos Nano ka ikur nga pushteti, të tjerët janë këtu prej 30 vitesh.

Z. Kokëdhima ju ku e shihni veten të pozicionuar në këtë revolucion qytetar?

Nuk dua që të flas për veten, por them këtë gjë: Kurrë unë nuk abuzoj me pushtetin. Unë nuk shkoj në politikë për të bërë para apo padrejtësi. Unë nuk shkoj në politikë që të ngre njerëzit e mi. Kam kulturë institucionale dhe do të sillem si burrë shteti dhe do ta udhëheq ZGJIDHJA-n si një parti tërësisht demokratike. Dua që të rivendosen kolonat e demokracisë në Shqipëri. Zgjedhjet e lira janë kolona e parë dhe demokratizimi i partive politike është kolona e dytë. Duhet liria e plotë e konkurencës politike dhe ekonomike. Çdo individ duhet të fitojë me mbështetjen e popullit. Populli ta zgjedhë, jo kryesia, ajo koka e mafies së partive. Populli duhet të votojë për përfaqësuesit, qoftë për deputetë, këshilltarë, kryetarë bashkie, qoftë për kryeministër apo president. Populli të zgjedhë kandidatët dhe pastaj le të funksionojnë proçedurat dhe sistemi elektoral sidoqoftë, por gjithmonë mbi kandidaturat që zgjedh populli. ZGJIDHJA është një projekt i ri që ka dy shtylla, dy objektiva themelore. I pari: të zhbëjë pushtetin e kapur të këtyre burracakëve të pushtetit që mbajnë peng Shqipërinë dhe së dyti të krijojë një strukturë tërësisht demokratike dhe moderne që t’u japë mundësi qytetarëve që të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre, të çajë këtë moçal dhe t’i japë popullit mundësinë që të ripërtërijë klasën politike që burrat dhe gratë e këtij vendi ta qeverisin popullin modestisht, jo si të fortë, por si njerëz të dalë nga ky popull, jo të vijnë këtu si pushtues, por të sillen si njerëz me njerëzit. Këtë do të bëjmë ne, këtë gjë do të bëjë ZGJIDHJA.

Rama tani e ka vetëm timonin. E shikon si rrezik të shtuar apo si një zhvillim të mirë?

Nuk pres më asnjë të mirë nga qeverisja e Ramës. Rama ka vetëm degradim në të ardhmen dhe asgjë tjetër. Ai ka vetëm një shans: të dëgjojë me kujdes. Por ai nuk dëgjon. Ai, kur është në opozitë, sillet si dëgjues i mirë. Për dy arsye e kam mbështetur unë Ramën në të shkuarën. E para: sepse hiqesh si dëgjues shumë i vëmendshëm në opozitë, konsultonte njerëzit etj. Por, ai këtë nuk ka kulturë dëgjimi. Shtirjen si i tillë e ka instrument manipulimi dhe teknologji për të përfshirë të tjerët në mbështetjen ndaj tij. E dyta: Në atë periudhë kur pushteti i Saliut dhe Fatosit nuk respektonin liritë, nuk e donin sipërmarrjen e vendit, ishin xhelozë dhe të pamëshirshëm, i vinin taksa, pengesa, i shihnin si pula që duhet t’i shkulnin pendët sipërmarrësit që shkonin nëpër zyrat e shtetit, i shikonin me armiqësi, Rama sillej si mik dhe mbështetës ndaj biznesit vendas. Nuk manifestonte urrejtje, por një qasje të re. Por, këto ishin vetëm sjellje të jashtme, jo të brendshme. Të këqijat e Saliut janë ku e ku me këto të Ramës. Njerëzit duhet të thonë o të keqen o Sali me atë degjenerim që iu bëri shefi i Rilindjes këtyre treguesve. Rama nuk ka vesh të dëgjojë. Shkatërroi çdo institucion në parti. Nuk dëgjon asnjë njeri. Ju kujtoni se ai dëgjon njerëzit në ato takimet që bën poshtë e lart nëpër Shqipëri?! Nuk dëgjon asgjë! Ai shkon vetëm për të folur. Flet në televizion dhe thotë dëgjesë publike. Ai insertin që dhatë këtu është bërë në kishën e Vunoit. Aty ishte edhe ministrja e kulturës. Ata e quanin dëgjesë publike për prishjet në Dhërmi. E konsideronin se kjo ishte dëgjesë. Foli Kumbaro, foli Rama, iku dhe tha bëra dëgjesë publike. Dhe në atë komunikimin që u bë më prapa unë i them: dëgjesë publike nuk është të flasësh ti në televizion dhe të ikësh. E shihni? Shkon në OKB. E keni parë ndonjëherë të mbledhë grupin parlamentar ose të bëjë një seancë në parlament ose të miratojë fjalimin që do të mbajë Shqipëria në OKB? Keni dëgjuar ndonjëherë që të shkojë ky të konsultohet me presidentin e vendit dhe të thotë që do iki në OKB do themi këtë, apo atë gjë, kush do flasë? Asnjë! Shkoi firmosi procesin e Berlinit dhe nuk u tha asgjë shqiptarëve. Ua mbante të fshehta. Kur ishte reforma në drejtësi thoshte se unë nuk e lexoj kushtetutën dhe e firmos në të bardhë çdo letër që do perëndimi!!. Kush është ky? Ky e konsideron plaçkën e tij, partinë, qeverisjen dhe shtetin. Ky i konsideron sh.p.k.-në e tij këto dhe nuk dëgjon askënd. Unë për të mirën e tij dhe të popullin po i them dhe një herë sot: Dëgjo me kujdes, me vëmendje dhe çliro Shqipërinë, çliro zgjedhjet nga thonjët e tua! Reforma zgjedhore duhet të jetë e tillë që PS dhe PD nuk duhet të kenë asnjë të drejtë për të administruar zgjedhjet në Shqipëri. Pa çlirimin e zgjedhjeve nga këto dy parti nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do ketë kurrë ekonomi, ndalim eksodi apo një shoqëri më të mirë. Të çlirojë zgjedhjet, është çështja e parë dhe çështja e dytë është të miratojë projektligjin që kemi përgatitur ne për të demokratizuar partitë politike. Nuk mund të votojnë më shqiptarët në zgjedhje listat që bën ky zotëria dhe Saliu nga krahu tjetër. Nuk do të shkojnë më shqiptarët që të votojnë oborrin e tij, të votojnë sulltanatin e tij, çifligun e tij. Jo! Duhet të votohen përfaqësuesit e popullit. Këto janë këshillat. Dhe sa për qytetarët e këtij vendi, unë i them që të mos jeni servilë të pushtetit! Njerëz, mos e keqtrajtoni vendin tonë dhe mos i vishni këtij populli këtë marketing të zi që i vishet sot! Këta ju tradhtojnë, këta ju fusin fadromat, këta votoni! Jo! S duhet të jetë kështu. Të mbështesni projektin e ZGJIDHJA-s. Jo se dua unë të më mbështesni mua. Unë, do të mbështes qytetarët e Shqipërisë në çdo aspiratë të drejtë, nuk do të më mbështesin ata mua. Unë po mbështes ZGJIDHJA-n nuk do të më mbështesë ZGJIDHJA mua. Do të mbështes popullin tonë, përpjekjen e qytetarëve të vendit, njerëzit e lirë, inteligjencën, gazetarët, shkrimtarët, krijuesit dhe njerëzit e thjeshtë që duan një Shqipëri tjetër, që janë gati t’i vënë përpara këta horra, që po i marrin shpirtin këtij shteti dhe këtij mileti! Të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë. Ta mbështesim ZGJIDHJA-n, të mbështesim idetë e mira të saj! Mos shikoni dhe mos u ndikoni nga urithët që ka mbledhur Rama në bodrumet e kryeministrisë dhe i lëshon nëpër rrjetet sociale, ata që paguhen me paratë e popullit dhe i çon që të nxijnë gjithë kundërshtarët, të sulmojnë Kokëdhimën, familjen e tij, ta cënojmë moralisht, ta bëjmë këtë njeri që të tërhiqet etj. Gjithë këta njerëz parazitë, s’bëjnë asnjë vepër të mirë. Çfarë rritje mund të pësojë një njeri që ne e vëmë të shpifë dhe të shajë ditë e natë?! Profesioni i këtyre njerëzve të Ramës është “sharës”, “pisbërës”, “fëlliqës”. Ky është profesion?! Çfarë u mëson këtyre njerëzve Rama? Çfarë të mirash publike, çfarë të mirash për shtetin ka kjo që ai paguan portale dhe killera të tillë që sulmojnë këdo? Asgjë! Ja, asgjënë sjell ky kryeministër. Ky e bën Shqipërinë pis me këto gjëra, pa asnjë vlerë, pa asnjë standard. Nuk sillet si burrë shteti. Nuk përballet me kundërshtarët. Nuk është pronë e tij, Shqipëria. S’ka parti të vogla dhe parti të mëdha. Duhet t’i dëgjosh gjithë zërat në këtë vend dhe të reflektosh. Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, habitati ku jetojmë, vendi ynë dhe kemi të gjithë të drejta dhe detyrime për të.

Kërkoj gjithë vëmendjen tuaj dhe gjithë mediabërësve të tjerë: të mos blihen nga pushteti, të mos ndikohen, sepse sa shohim moderatorët e emisioneve e kuptojmë kush ja ka bërë gungën popullit përmes Ramës. Të përqëndrohemi te çështjet e mëdha. Shtypi e di shumë se çdo të thotë të reformohen zgjedhjet në Shqipëri, e di shumë mirë të vërtetën e këtyre gjërave që them unë për uzurpimin dhe kapjen që u kanë bërë partive, qeverisë dhe institucioneve. Shtypi duhet të luftojë me këto të këqia. Mbështeteni ZGJIDHJA-n, sepse është rruga që në këtë vend pushteti të mos jetë më në duar të këqija. Projekti i ZGJIDHJA-s është për këtë gjë: të ndalojë rënien e mëtejshme të pushtetit nga një palë maskarenjsh në një palë maskarenj të tjerë dhe të mundësojë që përfaqësuesit e popullit të zgjidhen ata që përpiqen me mish e shpirt për të bërë më të mirën për të.

4 komente në “Koço Kokëdhima: T’i përmbysim këta që na kanë marrë peng, me çdo mjet”

  1. @Kokedhimi says:

    Kokedhimi – Kokrra e hajdutit.
    Hajduti therret kapni hajdutin
    Kokedhimi, njeriu me I urryer ne jugun e vendit.
    Kokedhimi po e kupton sa shume I dhime eshte.

  2. dymi says:

    Na u nxi bytha po nuk mori pjese ne zgjedhje koqua. O Mero, po si ke kohe ore burre qe i kushton vemendje edhe plehrave si ky koqua?!?!

  3. sadedin says:

    Kokedhima te na thote si e privatizoje nish kimiken,si privatizoje frigoriferin ne rrugen siri kodra dhe magazinat e shkozetit.A e di zoteria se miljoner nuk eshte bere me djersen e ballit por me pronat dhe parate e shtetit.

  4. bregdetari says:

    Ky K.K-ja s’ka per te marre pjese ne asnje zgjedhje me “Zgjidhjen” e vet.
    Ne fushen e politikes shqiptare “Zgjidhja” ka qene shakaja me e forte dhe humori i munguar ne vend.
    Eshte per te qeshur,por eshte dhe per te vene duat ne koke.
    Ooo milet ! Degjoni dhe merrni vesh.Ky e thote troc “nuk marre pjese”,ngaqe me troc akoma e di fort mire se nuk fiton asnje vote dhe per kete ja ka fajin Edi.
    Prandaj e sulmon ky Edin.
    C’faj i paska Edi !
    Pse e beri deputet !!!
    C’faj i ka Edi pse ,edhe perse nuk ofroi asnje ide per fuqizimin ekonomik apo te jepte ndonje kontribut te vecante ne PS persa kohe ishte ne te por dha ide te cmendura,te pakuptimta,te paperceptueshme,te papertypshme per masen e gjere,ne kundershtim me vete platformen e forces politike ku militonte e megjithkete, e zgjodhi ne Asamble dheee,ky qejfmbeturi,i ktheu koken menjane ,beri te perkedhelurin se medemek meritonte me shume me idete e tij “gjeniale” te kultivmit te hashashit.
    Hajde politikan hajde.
    Nga foltorja e “Zgjidhjes” le te flase per hashashin,por ta kete te qarte se as nga burgaxhinjte e hashashit ska per te marre ndonje vote.
    Tani del dhe behet njesh me Paloken.Ky eshte nje turp i madh.
    Del e gerthet te rrezohet Edi dhe qeveria me cdo mjet.Ky eshte nje skandal.
    Ky eshte nje bukeshkale dhe mosmirenjohes.
    Hej milet!!!
    Shikoni si e nderrojne lekuren keta palopolitikane qe e duan politiken dhe kostumin e politikanit e veshin ne mengjes per tu dukur me pushtet por ama qellim i vetem eshte perfitimi personal dhe jo sherbimi me zell ndaj vendit dhe shqiptareve dhe ne darke e heqin kostumin e politikeberesit dhe bejne llogarite e berjes se milionave me cfaredolloj menyre qofshin ato qofte dhe me trafik lendesh narkotike “te ligjeruara”.
    E ci do vendi keta lloj.
    Keta s’fitojne se nuk kane mbeshtetje.E para.
    E dyta keta jane njerez te semure qe kushedi cu duket vetja dhe dalin njehere ne kaq per te thene qe ja rrojme edhe ne.
    Me e mira eshte qe ne kete kohe krize ky te nis ate rubriken “si te behesh milioner” ngaqe njerezit kane nevoje per pak para dhe mund ti ndihe njerezve edhe per te bere leke dhe te ule disi emigracionin ekonomik…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje