Pengohet pavarësia e Katalonjës, opozita kritikon tërheqjen e Puidgemont

11 Tetor 2017, 09:57Bota TEMA

Partitë opozitare katalanase morën hov nga veprimi i Presidentit Carles Puigdemont për tu tërhequr nga shpallja zyrtare e pavarësisë nga Spanja nën argumentin se e ka mandatin për shkëputje, por se do ta shtyjë një lëvizje të tillë me qëllimin që t’i lërë hapësirë dialogut me Madridin.

Nga foltorja e Parlamentit, ata i kujtuan sesa gabim e kishte që në fillim. Ines Arrimadas, lidere e partisë CIUDADANOS, tha: “Askush në Europë nuk e mbështet atë që ti bëre, zoti Puigdemont”.

Përçarje pati edhe mes partive pro pavarësisë, disa prej të cilave kërkojnë veprime radikale, ndërsa të tjerat luhaten në tone më pajtuese.

Miquel Iceta, lideri i partisë socialiste PSOE, deklaroi: “Nga ky pozicion është krijuar paqartësi dhe këtë nuk ia lejojmë dot vetes. Shtyrja e diçkaje që nuk po arrijmë ta mësojmë se ç’është, vetëm sa e shton pasigurinë, një pasiguri që prek kompanitë, por edhe familjet tona”.

Krerët katalanas u tërhoqën në minutën e fundit nga shpallja e pavarësisë dhe vendosën t’i lënë kohë negociatave me qeverinë qendrore. Duke folur para Parlamentit të Katalonjës, Puigdemont i bëri thirrje Madridit që të hyjë në dialog, duke ia kujtuar sidoqoftë se rajoni e ka fituar të drejtën për mëvetësi.

Një sërë biznesesh, përfshirë dy banka kryesore të Spanjës, një kompani e rëndësishme e telekomunikacioneve dhe një grup ndërtuesish, si dhe një protestë masive gjatë fundjavës në Barcelonë nga 350 mijë katalanas që kundërshtonin shkëputjen, patën ndikim të fortë mes të moderuarve të shqetësuar nga perspektiva e një kolapsi ekonomik dhe trazirave civile.

Edhe vetë kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau, ishte shprehur më herët kundër pavarësisë, duke thënë se do të kërcënonte bashkëjetesën sociale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje