Ujë, Ujë...!

12 Nëntor 2017, 14:03Blog TEMA

Nga Gjon Ndreja

Ky është refreni migjenian i kohëve moderne, që “këndohet” prej kohësh në pallatin tim. Mungesa e ujit të pijshëm ose që të jemi më të saktë furnizimi i kufizuar me këtë produkt jetësor, bën që ky refren të dëgjohet dita ditës. Ky refren shoqërohet me “simfoninë“ e pompave të cilat fillojnë punën menjëherë sapo dëgjohet thirrja e parë e këtij refreni. Dhe nuk është një pompë e vetme që furnizon pallatin por çdo familje ka një të tillë dhe ato ndizen të gjitha menjëherë, duke krijuar atë që e quajtëm më parë “simfoni“ por një simfoni të padurueshme. E kur vjen uji, kohë që nuk është e shpeshtë por në rastin më të mirë, dy herë në ditë, të gjithë banorët dalin në korridoret e shkallëve duke vështruar matësit në se ato po rrotullohen, shenjë kjo që do të thotë në se uji është duke furnizuar depozitat që ndodhen në tarracën e pallatit, të cilat janë në kundërshtim me çdo rregull dhe që përbëjnë një burim rreziku të shtuar për jetën e banorëve.

Por të gjithë e kanë pranuar këtë rrezik përfshi edhe organet shtetërore, sipas filozofisë “bane o zot andërr”. Dhëntë zoti që asnjëherë të mos i provojmë pasojat e rreziqeve që mund të shkaktohen nga lëkundjet sizmike, që bart vendosja e depozitave mbi tarraca, përndryshe ato rreziqe që vijnë nga ndotja dhe mungesa e higjienës së tyre që janë jashtë çdo kontrolli po i pranojmë. Dhe kjo nuk ndodh në ndonjë lagje periferike të Tiranës që gjithsesi nuk do të ishte e pëlqyeshme por në Njësinë Administrative Nr.5 që është në zemër të kryeqytetit.

Asnjëherë nuk i kam kuptuar shkaqet e mungesës së theksuar të furnizimit me ujë, kjo edhe për shkak të informacionit të kufizuar dhe njohurive që kam në këtë fushë. Nga ana tjetër ndonjë premtim elektoral për furnizim me ujë njëzet e katër orë më ka “ndihmuar” të kapërcej këtë vështirësi me shpresën se së shpejti kjo do të rregullohet. I solla këto fakte në fillim të shkrimit për të kuptuar se sa e domosdoshme është ajo që ka ndërmarrë qeveria lidhur me furnizimin me ujë të qytetarëve si dhe ultimatumin e saj, që brenda 90 ditëve të gjithë ata që vjedhin ujin, duhet të lidhin kontratat përndryshe do të përballen me ligjin. Kryeministri përmendi disa fakte që në gjykimin tim janë tronditëse, kur ai thotë se vetëm një përqind e burimeve tona ujore do të mjaftonte për të furnizuar me ujë të pijshëm gjithë banorët e vendit, ndërkohë që ky furnizim aktualisht është në nivele mjaft të ulëta. Ai përmendi dhe faktin se vetëm një e treta e ujit të konsumuar paguhet, ndërsa pjesa tjetër shpërdorohet. U ndjeva i frustruar për faktin se asnjëherë nuk ka ndodhur që unë të mos paguajë faturën e ujit por kur mendova se unë paguaj edhe për tre familje të tjera që nuk paguajnë atëherë u ndjeva vërtet “i tradhtuar”. Kjo edhe për faktin se nga UKT por edhe Bashkia, shpesh artikulohet problemi i ngritjes së çmimit të ujit si nevojë për kryerjen e investimeve dhe personalisht e kam përkrahur këtë ide pa hyrë në analiza të hollësishme të këtij problemi. Nga ana tjetër kur mendon se vetëm 1/3 e ujit paguhet dhe se Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve për vitin 2016 ka realizuar një fitim prej 5 milionë dollarë, atëherë kjo situatë më duket totalisht absurde dhe jo vetëm por edhe krejtësisht e padrejtë. Në se ky aktivitet siguron një fitim të tillë dhe me pagesën e ujit nga të gjithë qytetarët mund të sigurojë trefishin, burimet e investimeve nuk duhen kërkuar te rritja e tarifave por te huazimi i përkohshëm i burimeve (kredia bankare) .

Referuar kësaj situate dhe mundësive që ofron reforma për furnizimin me ujë të banorëve, nuk besoj se gjendet ndonjë qytetar normal që nuk i mbështet nismën e qeverisë për ndërmarrjen e reformave në këtë drejtim. Këtu nuk e kam fjalën për atë kategori njerëzish, që për fat të keq ndonjëherë paraqiten edhe në rolin e ekspertëve, dhe e lidhin këtë situatë me kanabisin, duke fajësuar pikërisht atë dhe qeverinë për këtë gjendje. Këndvështrimi im lidhur me këtë, ka të bëjë me faktin se një reformë e tillë është shumë e vonuar dhe se duhet të jetë shumë dimensionale dhe se asnjë arsye të shëndoshë nuk ka që ajo të ndërmerret me kaq vonesë. Synimi parësor i kësaj reforme duhet të prezantohet jo me sanksionet për ata që vjedhin, gjë e cila duhet të ndodhë pa as më të voglin hezitim dhe duhej të kishte ndodhur edhe më parë por me përmirësimin e shërbimit të furnizimit me ujë të qytetarëve nga ana sasiore dhe cilësore. Kur themi edhe nga ana cilësore kemi parasysh se 80 përqind e banorëve e përdorin këtë ujë vetëm për nevoja sanitare dhe jo për t’u pirë, për faktin se ai është mjaft i ndotur, rrjedhojë e rrjetit të amortizuar dhe e interferencës së ujërave të zeza në rrjet.

Përveç nevojave të padiskutueshme për investime, që kërkohen për rikonstruksionin e rrjeteve të shpërndarjes, reforma duhet të vërë në provë edhe performacën e menaxhimit të ndërmarrjeve të ujësjellësit. Këto ndërmarrje janë kthyer në “oaze” për militantët, që kryebashkiakët i përdorin si shpërblim. Numri i madh i punonjësve si dhe mungesa e profesionalizmit të tyre janë një kosto e drejtpërdrejtë që rëndojnë tarifat e ujit që paguhen nga qytetarët. Të njëjtin profil kanë edhe të ashtuquajturat këshilla mbikëqyrës, veprimtaria e të cilëve lë shumë për të dëshiruar si do që pagesat e tyre dhe e stafit janë të majme. Reforma e qeverisë për ujin duhet të përfshijë edhe një seri çështjesh që kanë të bëjnë me funksionimin e këtyre ndërmarrjeve që megjithëse janë tërësisht shtetërore administratorët e tyre sillen si të ishin privatë në kuptimin e lirisë së vendimmarrjes, e cila nuk duket se ka qenë kurdoherë efektive konkluzion ky i certifikuar nga struktura profesionale. Në kuadër të rritjes së përgjegjshmërisë menaxheriale duhet të shqyrtohet edhe mundësia e privatizimit shkallë-shkallë e këtyre ndërmarrjeve nëpërmjet shitjes së aksioneve.

Nga ana tjetër kjo reformë duhet të përfshijë edhe rishikimin e funksioneve të Entit Rregullator të Ujit, i cili në gjykimin tim është kthyer në një organizëm parazitar dhe funksionet mbikëqyrëse të tij duhen forcuar edhe më tej. Veçanërisht një rol edhe më të madh duhet të ketë ky ent në përcaktimin e tarifave të ujit. Ndryshe nga Enti Rregullator i Energjisë, ekzistenca e të cilit ka pothuajse të njëjtën funksion me atë të ujit, ky i fundit ka një rol të zbehtë në ndërmarrjet e Ujësjellësit dhe kanalizimeve dhe tarifat e ujit përcaktohen nga Këshillat Mbikëqyrëse. Në se do të shikojmë tarifat e ujit nga njeri qytet në tjetrin, ato janë shumë të ndryshme dhe nuk janë rrjedhojë e studimeve dhe e kostimit real të veprimtarive që shkaktojnë kosto. Shembulli i Tiranës e tregon më së miri këtë. Tarifa e ujit është e tillë që mbulon 67 përqind humbje që në fakt është një ngarkesë e padrejtë për ata qytetarë që paguajnë. Por jo vetëm tarifa e ujit të pijshëm por edhe ato të ujërave të përdorura janë krejtësisht empirike dhe nuk bazohen mbi kostime reale të veprimtarive. Nga ana tjetër të shtrënguar nga mos pagimi i faturave, Këshillat mbikëqyrës pranojnë edhe propozime absurde për disa tarifa suplementare shumë të larta, si për lidhjet e reja apo të ashtuquajturat tarifa shërbimi të cilat në të vërtetë janë pjesë e kostos dhe si të tillë janë edhe pjesë e tarifës që paguan klienti për konsumin e ujit. Në këtë kuptim unë e mirëkuptoj edhe disiplinimin e shfrytëzimit të burimeve ujore (qoftë edhe me puse) si pjesë e pasurisë kombëtare por një gjë e tillë mund të sfazohet duke vendosur në këtë fazë pagesën për shfrytëzimin e ujërave për qëllime industriale dhe më vonë për ato familjare.

E në këtë kuptim kjo reformë duhet të konceptohet në të gjithë komponentët e saj me një vizion të qartë e objektiva të mirëpërcaktuar, në mënyrë që ajo të sigurojë një shërbim cilësor për banorët si dhe të synojë ndryshime afatgjata, pa u kufizuar vetëm në masa të tilla si vendosja e sanksioneve për pagesën e ujit apo vjedhjen e tij. Këto elementë edhe pse nuk janë parësorë, duhet ta shoqërojnë këtë reformë si pjesë e rëndësishme e saj, dhe që janë një mbështetje e rëndësishme si nga pikëpamja financiare por ajo që është më e rëndësishmja ka të bëjë me edukimin e qytetarëve për trajtimin e ujit si çdo mall tjetër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje