Theresa May sulmoi ashpër Rusinë: Moska kryen spiunazh kibernetik, ndërhyn në zgjedhje e kudo

14 Nëntor 2017, 10:05Bota TEMA

Theresa May sulmoi mjaft ashpër Rusinë duke akuzuar Moskën se ndërhyn në zgjedhje dhe kryen spiunazh kibernetik.

Gjatë një darke gala në Londër, kryeministrja britanike tha se qeveria e Vladimir Putin po përpiqet të dëmtojë shoqëritë e lira, ndërsa shtoi se rusët krijojnë histori të rreme për të shkaktuar mosmarrëveshje në perëndim.

Komentet e May-t janë në kontrast të fortë me ato të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se i beson mohimit të presidentit Putin për ndërhyrjen në zgjedhjet e 2016s në SHBA. Fjalimi i May ishte mjaft i rëndësishëm për politikën e jashtme dhe kryeministrja britanike sqaroi se ndërsa Britania nuk kërkon përballje me Rusinë, do të mbrojë pa as më të voglin ngurrim interesat e saj.

May tha se presidenti rus duhet të zgjedhje një rrugë tjetër dhe të mos vazhdojë atë që solli aneksimin e Krimesë, nxitjen e konfliktit në Ukrainë apo sulmet kibernetike ndaj qeverive dhe parlamenteve në Evropë.

“Unë kam një mesazh shumë të thjeshtë për Rusinë. E dimë se cfarë po bëni dhe nuk do të keni sukses. Ju nënvlerësoni rezistencën e demokracive tona, tërheqjen e fortë të shoqërive të hapura dhe angazhimin e vendeve perëndimore ndaj aleancave që na bashkojnë”, tha Theresa May, kryeministrja e Britanisë.

May tha se ndërsa Britania largohet nga BE dhe nis rrugën e saj të re në botë, ajo mbetet e angazhuar plotësisht ndaj NATO-s dhe arritjes së një marrëveshje për Brexit që forcon vlerat liberale evropiane. Sipas May, një partneritet i fortë ekonomik mes BE dhe Britanisë do të ishte një mburojë ndaj trazirave që Rusia shkakton në Evropë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje