Në kushtet e përkeqësimit të motit kur priten edhe përmbytje, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, kërkoi nga të gjitha bashkitë marrjen e masave për t’i paraprirë situatës problematike.
Gjatë një deklarate për mediat, Xhaçka tha se FA janë në krye të detyrës në gatishmëri për të qenë pranë banorëve në çdo moment.
“Ministria e Mbrojtjes po ndjek më vëmendje situatën e krijuar në vend për shkak të përkeqësimit të motit.
Tre ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, tanimë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, përmes një shkrese zyrtare ka porositur në mënyrë të veçantë, të gjithë prefektët e qarqeve, drejtuesit e bashkive, drejtuesit e institucioneve qendrore rajonale dhe vendore, për marrjen e masave urgjente për përballimin e çdo situate emergjente, si dhe sigurimin e kushteve për jetën normale të komunitetit.
Jemi në komunikim të vazhdueshëm me pushtetin vendor, me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave për sigurimin e ujësjellësave dhe rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm, për problemet që mund të shkaktohen nga përmbytjet; kontrollin e argjinaturave të lumenjve në bashkëpunim me Drejtoritë e bordeve të kullimit dhe subjektet kontraktore shfrytëzuese të inerteve të lumenjve; monitorimin e akseve rrugore dhe mbajtja hapur e tyre për qarkullimin normal të mjeteve.
Pushtetit vendor i është kërkuar sigurimi i bashkëpunimit me OSHEE për mirëmbajtjen e linjave të furnizimit me energji elektrike të komunitetit dhe në mënyrë të veçantë të furnizimit të hidrovorëve, ujësjellësave të qyteteve dhe fshatrave.
Në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, i bëj apel të gjithë qytetarëve, veçanërisht në zonat të prekura nga reshjet, që të ndjekin udhëzimet që po i jepen, dhe do të vazhdojnë t’i jepen nga zyrat e emergjencave civile, pranë prefekturave dhe bashkive përkatëse. Parandalimi i pasojave dhe siguria e jetës së çdo qytetari është detyrë parësore për të gjithë përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe për çdo efektiv të Forcave të Armatosura.
Ndaj, edhe një herë, i drejtohem çdo qytetari, që të bashkëpunojë e të respektojë udhëzimet e strukturave përkatëse për të kapërcyer vështirësitë e për të përballuar çdo situatë, që, sipas parashikimeve mund të përkeqësohet gjatë ditëve në vijim.
Efektivët e Forcave të Armatosura janë në krye të detyrës dhe do të vazhdojnë të jenë të pranishëm pranë komunitetit, siç kanë bërë deri më sot, për t’i ndihmuar në rastet e ndërhyrjeve të mundshme”, deklaroi ministrja Xhaçka në një komunkim me mediat.