Ta bëjmë Shqipërinë si Turqia

15 Dhjetor 2017, 09:18Turizëm TEMA

Qeveria shpjegon në relacionin e ndryshimeve që ka propozuar në ligjin për turizmin “planin” e saj për faljen e taksave për dy-tre biznesmenë që synojnë të ndërtojnë resorte turistike përmes kontratave “franchise” duke argumentuar se ky është “modeli turk” dhe duke pranuar haptazi se kjo është një politikë diskriminimi ndaj bizneseve të vogla e të mesme në pronësi familjare në sektorin e turizmit.

Nga Gjergj Erebara

Qeveria shqiptare dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë një propozim për ndryshime në ligjin për turizmin, duke argumentuar faljen e shumëfishtë të taksave për “resortet turistike me status special” me argumentin se ky është modeli turk, malazez dhe maqedonas dhe sipas relacionit, kjo do të sjellë investime, rritje të numrit të turistëve dhe rritje të punësimit. Në një rast, relacioni, i publikuar në faqen e internetit të Kuvendit, pranon haptazi se modeli i marrë nga këto vende përbën “diskriminim” të hoteleve me më pak se tre yje të cilat në Shqipëri, ashtu si edhe në të gjithë botën, janë nën pronësi të bizneseve familjare.

Pak javë më parë, qeveria ndryshoi disa ligje njëherësh duke dhënë mes kritikave për favoritizëm, falje të taksës së pronës, falje të tatimit mbi fitimin dhe falje të taksës për ndikimin në infrastrukturë të “hoteleve me 4 dhe 5 yje me status special” si dhe uljen e TVSH-së për të gjitha shërbimet në hotelet me 5 yje në masën 6 për qind, ndërkohë që në hotelet dhe restorantet e tjera të vendit paguhet TVSH në masën 20 për qind për të gjitha shërbimet me përjashtim të shërbimit të akomodimit. Ndryshimet u kritikuan si klientelizëm në një shkallë të paimagjinueshme, për shkak se nga kjo falje taksash nuk përfiton një sektor i ekonomisë, por vetëm një numër i vogël biznesmenësh që numërohen me gishtat e njërës dorë. Kjo lloj politike e ka bërë Shqipërinë një vend me dy standarde ligjore, një për një grusht të vogël të favorizuarish nga qeveria dhe një palë ligjesh të tjera për pjesën tjetër të popullsisë.

Qeveria në relacionin e saj nuk tregon të ketë kryer ndonjë studim të mirëfilltë mbi kostot dhe përfitimet e kësaj politike, por shorehet në terma përgjithësisht propagandistikë dhe josasiorë. Sipas qeverisë, heqja e taksave për disa biznese do të sjellë “rritjen e turistëve dhe të punësuarve”, pa dhënë ndonjë shifër konkrete, fjala vjen, sa është numri i turistëve të pritshëm në këto “resorte”, sa pritet të jetë numri i të punësuarve dhe me çfarë kushtesh do të punësohen këta njerëz. Nuk ka as ndonjë përpjekje për të shpjeguar se çfarë efektesh negative mund të kenë masa të tilla për pjesën tjetër të sektorit të turizmit.

“Përse të mos i akordohen disa lehtësi dikujt që do të kontribuojë shumë jo vetëm për rritjen e punësimit në një sektor jetik si turizmi, por mbi të gjitha do të përmirësojë imazhin dhe prestigjin e vendit?”, pyet në mënyrë retorike qeveria në relacionin e vet.

Në argumentet e qeverisë përmendet me shumicë “modeli turk”, i përbërë nga lehtësi fiskale të shumta për investime të caktuara si dhe dhënia e tokave publike falas. Qeveria harron të thotë se Turqia nuk është një vend demokratik, ka një histori ekonomike të dominuara nga interesat thuajse-feudale dhe kontrollin e procesit ligjvënës nga të pasurit në kurriz të pjesës dërrmuese të popullsisë. Gjithashtu jepet edhe shembulli i Malit të Zi, vend ku sipas relacionit të qeverisë, investimet e turizmit të luksit përfitojnë falje të taksave vendore e të tjera.

Shembulli më goditës duket se është marrë nga Maqedonia.

Në Maqedoni, thotë qeveria shqiptare, investitorët kanë mundësi të marrin tokë falas për investime në “zonat turistike”, por nuk shpjegon se çfarë zonash turistike ka në vendin tonë fqinj, i cili nuk ka dalje në det.

Biznesmenë shqiptarë me “Franchising”

Në relacion, qeveria pranon se përfituesit nga këto ligje nuk do të jenë vetëm “grupet hoteliere ndërkombëtare”, gjithmonë në rast se këto të fundit do të shprehin interes për të investuar në Shqipëri, por edhe investitorë të tjerë “të huaj ose vendas”, të cilët do të posedojnë “kontrata menaxhimi” apo “kontrata franchising”.

“Është e rëndësishme që të theksojmë se investime kaq të rëndësishme në struktura hoteliere me 4 apo 5 yje realizohen kryesisht në dy forma,” shpjegon qeveria. Në formën e parë, investimi për ngritjen e strukturës akomoduese kryhet nga grupi hotelier i mirënjohur botërisht ose;  “grupi hotelier i mirënjohur i huaj bashkëpunon me një investitor të caktuar, vendas apo të huaj, (nëpërmjet kontratave të qirasë, të tipit “management contract” apo “franchising” apo të ngjashme)”.

Ky shembull i dytë i dhënë nga qeveria do të thotë se një biznesmen “vendas apo i huaj” thjeshtë paguan një rrjet ndërkombëtar hotelerie për t’i përdorur markën dhe rrjedhimisht kjo pagesë i mundëson përfitimin e lehtësive të pafundme fiskale në Shqipëri. Kontrata të tilla të njohura si Franchising, ofrohen nga shumica e rrjeteve të hotelerisë, të tilla si Hilton apo Sheraton etj. Tarifa fillestare e përdorimit të emrit kushton vetëm 100 mijë euro ndërsa operimi i një hoteli nën një emër të tillë zakonisht kushton 8-13 për qind të të ardhurave bruto të hotelit.

Qeveria pranon haptazi kur flet për “shembullin malazez” se kjo politikë përbën “diskriminim” të hoteleve me më pak se 4 yje.

“Malin e Zi vendosi një taksë progresive me taksimin më të lartë për hotelet me 3 yje në zonat rezidenciale, duke i penalizuar ato në mënyrë që të favorizohen hotelet luksoze”, thuhet në relacion.

Qeveria nuk shpjegon se mbi çfarë strategjie dhe mbi çfarë studimi apo konsultimi ka vendosur të ndjekë “modelin turk” të turizmit në vend të, fjala vjen, modelit italian, spanjoll apo grek, ku qeveritë mbështesin në veçanti bizneset familjare, të cilat sigurojnë mirëqenie shumë më të lartë për popullsinë vendëse se sa bizneset e mëdha.

Aktualisht bizneset në sektorin e turizmit vuajnë pasigurinë e titujve të pronësisë, mungesën e lejeve të ndërtimit apo të titujve të pronësisë të përfituar nga legalizimi si dhe mungesën e shërbimeve publike bazë, përfshirë furnizimin me ujë, kanalizime apo me shërbim të transportit publik. Të gjitha këto biznese i nënshtrohen taksave aktualisht, përfshirë taksën për ndikimin në infrastrukturë, e cila synon pikërisht mbulimin e kostove të shërbimit të infrastrukturës bazë si ujë, rrugë e kanalizime. Përkundrejt kësaj, “investimet strategjike” të mbështetura nga qeveria do të përfitojnë këto shërbime pa paguar as edhe taksën e ndikimit në infrastrukturë.

BIRN zbuloi në nëntor se qeveria shqiptare ka shënjuar disa njolla në hartë përgjatë të gjithë bregdetit të jugut ku ka në plan të kryejë të ashtuquajturat “investime strategjike” duke i dhënë bizneseve të ndryshme avantazhe të shumëfishta në krahasim me banorët vendas.

 

17 komente në “Ta bëjmë Shqipërinë si Turqia”

  1. pro says:

    ..nuk e di kush do te perfitoje ,por zhvillimi e kerkon kete sakrifice e cila sjell zhvillimin..nje resort puneson nje rrjet njerezish qe nga prodhuesi perpunuesi,transportuesi…e deri tek njeriu i shtrire ne shezlong, i cili i paguan{!},sjell te ardhura ne ekonomi.

    1. Ρολο Τομασι says:

      Te gjitha keto te ardhura 1nuk shkojne as ne shtet as ne pushtetin lokal,por shkojne direkt jasht shtetit . populli dmth te punesuarit shfrytezohen ne kulm atehere?????????????????

  2. Alkion says:

    Jam shume i zhgenjyer nga kjo qeveri qe vazhdon ne rrugen katastrofike te shkaterrimit te bregdetit shqiptar.Njerez pa fantazi qe nuk punojne per popullin, shif lungomaren e Vlores per te cilen aq shume u fol. Beton kudo.Vetem ne Tirane e ne Korce kane punuar mire.Nga modeli turk i rizorteve all-inclusive perfitojne shume pak vendasit. Ne vend te kopjoni turqit hidhini syt nga greket sa bukur e kane mbajtur bregdetin e tyre dhe sa perfitojne nga kjo.

  3. Alban Hamzai says:

    Ne bregdetin e jugut ,pra ne ate te Himares, qeveria shqiptare,ne bashkepunim me boshtin islamik Turqi-Arabia Saudite ,nen etiketen “fshatra turistike” ,do te ndertoje komplekse banimi jo per turiste ,por qe do ti blejne islamike nga keto dy shtete e shtete te tjera dhe do ti kene si shtepi banimi .Ata do te regjistrohen si banore te Himares dhe si numer do tja u kalojne banoreve orthodhokse te Himares dhe pasojat dihen . Pra nuk do te kete turiste qe do vijne te pushojne e do te largohen per te ardhur te tjere .Keta jane ato qe artikullshkruesi I quan “njolla ne harte” dhe “investime strategjike”.

  4. Vladimir says:

    Le t’ ju bejne lehtesira investitoreve strategjik, mire behet.
    Por strategjia e investimeve turistike te vendit eshte Turizmi Familjar, qe çel vende pune, çliron energji e fonde te lena kot ne banka te huaja , ben te kthehen ne vendlindje mijera emigrante.(Eshte fakt: Shqiptaret kane kursyer leke, por nuk kane hapsire dhe siguri per ti investuar)
    Nuk eshte veshtire qe me fonde qeveritare te behen plane te detajuar per ndertime familiare gjate gjithe bregdetit, duke respektuar distancat, hapsirat e perbashketa, infrastrukturen e nevojshme dhe brenda ketij plani te nxiten vendasit dhe krejt shqiptaret kudo jane qe sipas mundesise te ndertojne (edhe te mbeshtetur nga shteti) ambjente komodimi famijare per te qendruar vet dhe per te pritur turiste deri 10 apartamente. Keshtu do ndertojme, jo vetem Dhermiun e ri apo Palasen, Vunoin, Himaren, Borshin, por edhe Radhimen, Tragjasin, Dukatin e Ri buze detit e pse jo Novoselen, Poron, Akernine Semanin e Ri e tj deri ne derdhje te Bunes.
    Duket nje enderr, por nuk eshte e pamundur, ne se qeveria Rama e merr seriozisht.

  5. lavdosh says:

    Nje korigjim: Hotel si Sheraton, Hilton etj etj e kane franchasing fee (pagesen initiale per te drejten e emrit) me disa miliona dollare dhe jo 100,000

  6. Yzmir says:

    Hall me ba investime , hall mos me ba . Ne s mirena vesh si popull

  7. Manjola says:

    Investime te tilla jane te mira per ekonomine pasi krijojne me shume vende te reja pune .

  8. Ina says:

    Biznesi i mesem dhe i vogel turistik sot ka nje cilesi sherbimi tejet te dobet . Ai biznes i cili ka ofruar sherbim dhe cilesi te mire nuk do preket pasi mundesite e konsumatorit shqiptar nuk ndryshojne sa hap e mbyll syte.

  9. Strazimir says:

    Duke marre nje shembull te sukseshem si ai turk dhe duke e implementuar sipas menyrave tone , mendoj se mund te arrihet dicka e vlefshme.

  10. Armir says:

    Po shyqyr , te sjellin ndonje mark te huaj ktu se kta hotelet vendase na ndrisin……

  11. Luan says:

    Konkurenca i ben mire tregut !

  12. Joni says:

    Erdhi koha qe te marrim dhe ne sherbimin e duhur per ate cka ofrojme :/

  13. Juli says:

    Turizmi eshte nje dege me potencial ekonomik teper te madh ne Shqiperi prandaj investime te tilla duhen perkrahur.

  14. Dardan Gashi says:

    Shqiperia duhet bere si SHQIPERIA e jo si qenefat e turqise

  15. Ρολο Τομασι says:

    Te gjitha keto te ardhura 1nuk shkojne as ne shtet as ne pushtetin lokal,por shkojne direkt jasht shtetit . populli dmth te punesuarit shfrytezohen ne kulm atehere?????????????????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje