Turqia dhe NATO, dy partnerë që kanë ngecur në një “martesë” pa lumturi

3 Shkurt 2018, 19:32Bota TEMA

Angazhimi i Donald Trump-it ndaj NATO-s dhe këmbëngulja e Rusisë te potenciali ushtarak mbeten dy shqetësimet kryesore në axhendën e aleancës. Por shumë pranë tyre qëndron edhe problemi i Turqisë gjysmë të shkëputur, një vend që është jo vetëm e dyta forcë e armatosur e NATO-s për nga potenciali, por gjithashtu përbën edhe një pikë gjeopolitike mes Lindjes dhe Perëndimit.

Turqia nuk është vetëm e paparashikueshme. Ajo gjithashtu ndjek një axhendë nacionaliste, që mund ta vendosë në kundërshim me obigimet që ka ndaj aleatëve. Burimi më i fundit i tensionit është “përplasja” mes Amerikës dhe Turqisë në lidhje me sulmin e kësaj të fundit në Afrin, një rajon kurd në veriperëndim të Sirisë. Për të qenë korrektë, kjo nuk është çështje për NATO-n. Megjithatë, trupat amerikane mund të gjejnë veten shumë shpejt nën sulmin direkt të aleatit të NATO-s, nëse presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, mban premtimin “të vrasim para se të lindë” për forcën e sigurisë dhe kufirit. Kjo e fundit është një njësi prej 30 mijë trupash, e mbështetur fort nga amerikanët dhe e përbërë kryesisht nga luftëtarë kurdë, të cilët Turqia nga ana e saj i konsideron terroristë.

Me shumë gjasa, Erdogan ka llogaritur se mund të përballet me Amerikën, e cila ka më pak interes në këtë rajon sesa ai vetë. Ndoshta mund të ketë të drejtë, por përplasja e interesave në Siri është vetëm një element i marrëdhënies së trazuar të Turqisë me vendet anëtare të NATO-s. Para grushtit të shtetit që ndodhi në Turqi në verën e vitit 2016, brenda NATO-s pati shqetësime në lidhje me prirjen e Turqisë drejt autoritarizmit. Pas grushtit të dështuar të shtetit, këto shqetësime u rritën akoma më shumë. I irrituar edhe nga fakti se nuk gjeti mbështetje nga Perëndimi për atë që ndodhi brenda 24 orësh në vendin e tij (në kontrast me përkrahjen e Putinit), Erdogan ka nisur një spastrim brutal të atyre që dyshon se nuk janë besnikë të tij. Mes 50 mijë të arrestuarve dhe 110 000 të larguarve nga puna për lidhje me Fetullah Gylen, që ai e cilëson si ideatori i grushtit të shtetit, janë edhe rreth 11 000 oficerë, ushtarakë dhe pilotë.

Sipas një analisti të çështjeve të ushtrisë, 38% e gjeneralëve të Turqisë janë shkarkuar. Shumë u tërhoqën për shkak të ideve properëndimore. Rreth 400 ushtarakë turq në NATO u pushuan nga puna dhe u detyruan të ktheheshin në shtëpi. Shumë prej tyre zgjodhën të linin Turqinë, për t’i shpëtuar burgut. Ata u zëvendësuan nga besnikët e Erdoganit, më pak të kualifikuar, madje disa prej tyre edhe armiqësorë ndaj NATO-s dhe admirues të kundërshtarëve të saj. Gjenerali Curtis Scaparrotti, komandat suprem i Aleancës, është ankuar për “degradim” të cilësisë së stafit.

Në një tjetër episod vitin e kaluar, një grupi deputetësh gjermanë iu refuzua leja për të vizituar ekipet ajrore gjermane që fluturonin në misione mbështetëse në Irak nga dy bazat turke, Incirlik dhe Konya. Kjo u pa si përgjigje ndaj vendimit të autoriteteve gjermane për të mos lejuar mbështetësit e Erdoganit të mbajnë tubime atje në mbështetje të fushatës së Erdoganit për shtimin e kompetencave të presidentit (në ato kohë, ai e quajti këtë vendim një praktikë naziste). Pas ndërhyrjes nga shefi civil i NATO-s, Jens Stoltenberg, turqit i lejuan deputetët gjermanë të vizitonin ekipet AWACS në Konya. Megjithatë, gjermanët i zhvendosën forcat e tyre Tornado nga Incirliku turk në Muwaffaq Salti, një bazë ajrore në Jordani, të cilën SHBA-të po e zgjerojnë me një kosto prej 143 milionë dollarësh, si një masë paraprake nëse u duhet të largohen nga Incirliku.

Intensifikimi i marrëdhënieve Turqi-Rusi, veçanërisht që pas grushtit të shtetit, është një shqetësim tjetër. Erdogan e shikon homologun e tij në Kremlin si një aleat me të cilin mund të bëjë biznes në Siri. Ai sheh te Putin një udhëheqës të fortë dhe me synime të qarta. Duke u afruar me Putinin, ai i dërgon NATO-s mesazhin se ka edhe opsione të tjera. Nga këndvështrimi i Putinit, Erdogan është mjeti që mund t’i shërbejë për të përçarë dhe dobësuar NATO-n dhe Perëndimin, çka është edhe qëllimi i tij strategjik më i madh.

E kuqe në blu

Demonstrimi më flagrant i politikës së jashtme abigue të Erdoganit është njoftimi në dhjetor se Turqia ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e dy baterive të raketave të përparuara S-400 nga Rusia. Sistemi S-400 nuk mund të integrohet me sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s dhe të paktën në fillim, ato duhet të ngrihen dhe të përdoren nga rusët. Nëse Turqia nuk është përjashtuar nga shkëmbimi i informacionit të NATO-s mbi masat kundërthënëse që synojnë të mposhtin S-400-at, Rusia duhet të presë një rënie të efektivitetit të shërbimeve të saj të inteligjencës.

Më shqetësues akoma është fakti se Turqia është partnere në programin F-35 dhe do të marrë dorëzimin e 116 avionëve luftarakë, që do të jenë shtylla e kapacitetit ajror luftarak të NATO-s për 30 vitet e ardhshme. Turqia do të ketë ketë privilegjin për të “mprehur” S-400-at kundër F-35-ave, njohuri nga të cilat mund të përfitojë Rusia. Disa ekspertë të sigurisë kombëtare në SHBA thonë se Turqia ose duhet t’i anulojë S-400-at, ose asaj duhet t’i thuhet se nuk mund të blejë F-35-a. Konfrontimi në këtë pikë mund të çojë në tërheqjen e Turqisë nga NATO-ja.

Zyrtarët e NATO-s po bëjnë çmos për të shfaqur anën e guximshme të Aleancës. Ata theksojnë se Turqia ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje me Eurosam, një konsorcium evropian që ndërton raketa mbrojtëse ajrore dhe se S-400 mund të jenë vetëm një zëvendësues i përkohshëm. Ata gjithashtu thonë se, me fjalë të tjera, është thjesht çështje biznesi si zakonisht. Turqia po përmbush angazhimet e saj ndaj Aleancës, për shembull duke ruajtur aeroportin e Kabulit dhe duke mos penguar një marrëveshje sigurie NATO-BE, të cilën ajo mund të kishte bllokuar. Po ashtu, ka keqardhje për dobësinë e Turqisë përballë terrorizmit dhe vlerësim për përballimin e barrës së rëndë të refugjatëve. Por, edhe nëse do të kishte një mekanizëm për ta pezulluar apo larguar Turqinë nga NATO-ja, gjë që nuk ekziston, rëndësia e saj gjeopolitike mbetet më e madhe se kurrë.

Mendohet se Erdogani është në dijeni se Rusia po e përdor Turqinë për qëllimet e veta dhe nuk mund të gjejë zëvendësues tjetër të NATO-s si partner afatgjatë në aspektin e sigurisë. Ka gjasa që paranoja e lindur pas grushtit të shtetit të zbutet, edhe pse për këtë ka pak prova. Por, si në shumë martesa të palumtura, fakt është se sado e brishtë marrëdhënia e tyre, Turqia dhe NATO-ja nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse ta bëjnë atë të funksionojë.

The Economist – Përgatiti: Gazmira Sokoli, TemA TV

1 komente në “Turqia dhe NATO, dy partnerë që kanë ngecur në një “martesë” pa lumturi”

  1. opinion. says:

    analiz e forte dhe me afrimin e turqis me rusin,evropa e usa e konsiderojn vrgel ruse.ka zera qe dhjet vite per ta perjashtuar turqin nga nato.e njejta eshte me serbin,se rusi ju ka then serbve,ose me rusin,ose me nato,a mos llogaritni ndihmen ruse,dhe serbet ju kane betuar babes putin,se kurr nuk hyjm ne nato.turku gjithom ka qen pro rusis.turku tradhton te gjithe boten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje