Ndërsa zgjedhjet parlamentare po afrojnë, votuesit italianë janë të mirëinformuar në lidhje me borxhin publik përmes iniciativës së një grupi ekspertësh.
Në stacionet e trenit në Milano dhe Romë, në ekranet gjigante shfaqen të përditësuara të dhënat e borxhit publik.
Ndërsa premtimet elektorale janë në kulmin e tyre, shifrat janë aty për t’u kujtuar votuesve rëndësinë që ka borxhi publik për sistemin ekonomik të një vendi.
Iniciativa e lançuar nga Instituti Bruno Leoni ka për qëllim t’u kujtojë udhëtarëve votues se çdo premtim elektoral është borxh.
“Që nga nisja jote, borxhi publik është rritur me… Mbi 2 000 miliardë që i paguan edhe ti. Mendohu mirë.
Çdo premtim është borxh”, dëgjohet në sfond, ndërsa shifrat përditësohen çdo tre skonda në bazë të të dhënave nga Banka e Italisë.
Instituti Bruno Leoni është një grup ekspertësh (think tank) me qendër në Torino dhe Milano.
Qëllimi kryesor i krijimit të këtij grupi është përhapja e ideve për tregun e lirë.
Përgatiti: Gazmira Sokoli