Qeveria daneze ka njoftuar se po punon për një ligj që parashikon dyfishimin e dënimeve për krime të kryera në të ashtuquajturat zona geto.
Këto zona janë kryesisht të populluara nga emigrantët.
Ministri i Drejtësisë, Soren Pape Poulsen, i ka thënë gazetës daneze “Berlingske” se “vandalizmi, vjedhjet apo kërcënimet mund të bëhen subjekt i këtij ligji. Kjo do të thotë që çekiçi do të godasë fort në këto zona”.
Ndryshimet në ligj janë pjesë e një strategjie kombëtare për të eliminuar zonat geto deri në vitin 2030.
Sipas qeverisë, në Danimarkë janë 22 të tilla.
Në mënyrë që të quhet e tillë, një zonë e populluar duhet të plotësojë të paktën 1 nga 5 kriteret: popullsi të përbërë mbi 50% nga emigrantë joperëndimorë, të dënuar për krime në masën 2.7%, papunësi mbi 40%, zona ku mbi 50% e popullsisë nuk ka më shumë se arsimin bazë dhe zona ku të ardhurat janë më pak se 55% e mesatares rajonale të të ardhurave.
Gjithashtu, pjesë e kësaj strategjie janë gjobat për personat që mbulojnë fytyrën në vende publike, që do të thotë ndalim i veshjeve të grave myslimane.
Poulsen e ka cilësuar veshjen e grave myslimane si “të papërputhshme me vlerat e shoqërisë daneze”. “Me këtë masë, ne vendosim kufirin që tregon se këtu në Danimarkë ne i besojmë njëri-tjetrit dhe takohemi duke u parë në fytyrë”, tha ai.
Përgatiti: Gazmira Sokoli
Kane plotesisht te drejte . Islamiket e ndyne Evropen .