“Jam duke punuar intensivisht me kolegët e partive politike, në mënyrë që të arrijmë konsensusin e përbashkët që kur të shkojmë në seancë, ta përfundojmë çështjen e Demarkacionit”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Ai tha se pret reflektim nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe ata të Listës Serbe, në mënyrë që Kuvendi t’i sigurojë 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit.
Zoti Veseli, kur pritet të vazhdojë seanca për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi?
Kadri Veseli: Presim që këtë javë të përfundojë ratifikimi i Marrëveshjes së shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Nuk ka asnjë arsye të kemi vonesa, mjaft jemi vonuar. Në të njëjtën kohë, besoj se kemi arritur tek ajo pika e konsensusit, që të krijojmë edhe besimin që me dy të tretat, ta votojmë një çështje e cila është aq me rëndësi, siç është çështja e shënjimit të kufirit, e cila e forcon sovranitetin e shtetit tonë dhe në të njëjtën kohë i hap edhe perspektivën qytetarëve tanë për lëvizje të lirë drejt Bashkimit Evropian. Vërtetë një dëshirë, por edhe një e drejtë e cila aktualisht ju mungon qytetarëve tanë.
A do të ketë pra seancë këtë javë apo javën e ardhshme?
Kadri Veseli: Jam duke punuar intensivisht me kolegët e partive politike, në mënyrë që të arrijmë konsensusin e përbashkët që kur të shkojmë në seancë, ta përfundojmë. Jemi në fazën përfundimtare, do të thosha. Shpresoj edhe në një reflektim pozitiv edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të njëjtën kohë edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mënyrë që kur të futemi në seancë ta votojmë, dhe ta votojmë vërtetë pa ua shtuar shqetësimet qytetarëve tanë nga salla e Kuvendit, dhe t’u japim shpresë, zgjidhje. Kjo është ajo çka besoj shumë se do të ndodhë këtë javë.
Sa keni arritur të vendosni kontakte me Listën Serbe për t’i siguruar votat e këtij subjekti politik për ratifikimin e Marrëveshjes?
Nuk do t’i ndaja kolegët deputetë. E rëndësishme është vendimmarrja për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Për të gjithë kolegët deputetë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, ne presim reflektim të Lëvizjes Vetëvendosje për arsye se votimi i kësaj marrëveshjeje forcon sovranitetin e shtetit të Kosovës, krijon perspektivë të qartë drejt integrimeve euro-atlantike dhe në të njëjtën kohë, krijon perspektivë për lëvizjen e lirë për qytetarët tanë, pa dallime etnie, shqiptarë, serbë dhe të gjitha etnitë tjera, rom, turq, ashkali, egjiptian, goran. Do të thotë, ky është një interes, i cili në të vërtetë është i madh për qytetarët tanë dhe në të njëjtën kohë, është edhe interes strategjik i shtetit tonë dhe duhet të ratifikohet.
I keni votat e tyre apo jo për ratifikimin e Demarkacionit?
Kadri Veseli: Besoj shumë në reflektimin e çdo kolegu deputet, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje që ta votojë forcimin e shtetësisë dhe në të njëjtën kohë mosizolimin e qytetarëve tanë.
Radio Evropa e Lirë: Llogarisni edhe në votat e Listës Serbe?
Kadri Veseli: E thash, unë besoj shumë se do të kemi një shumicë, e cila do të tejkalojë limitin e dy të tretave (të votave), në të cilën jo vetëm se do të jenë mbi 80 deputetë të cilët do ta votojnë, përfshirë edhe Listën Serbe, por besoj shumë në reflektimin, i cili është pozitiv. Se sa ka guxim nga Lëvizja Vetëvendosje, nga një pjesë e tyre që ta votojnë, por ka lëvizje bukur të mëdha në kuptimin e pozicionit, ngase asnjë arsye më nuk është që të bllokohet votimi i shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Në qoftë se flasim për sovranitet, në qoftë se flasim për integrim euro-atlantik, aty është. Në qoftë se flasim për liberalizim të vizave, aty është. Përndryshe, cila është logjika e bllokadës?
A besoni më shumë në votat e Lëvizjes Vetëvendosje apo ato të Listës Serbe?
Kadri Veseli: Kam besim në votat e Partisë Demokratike të Kosovës më së shumti, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës, komunitetet joshqiptare dhe joserbe, komunitetit të Listës Serbe, komunitetit serb, dhe në të njëjtën kohë atyre që e duan Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Më shkurt nuk i ka votat dhe shumë mirë që nuk i ka. Nuk ecën përpara Kosova në veselin e thaqin e bashibuzuket e luftës. Janë bere si sali Berisha, deri në vdekje në pushtet.
demarkacioni per delimitim me veting,,,, hajde shqypo hajde, nuk mbaheni dot…