Pesë persona kanë humbur jetën të dielën mbrëma si pasojë e përplasjes së një helikopteri në Lumin Lindor të Nju Jorkut.
Në momentin e rrëzimit të helikopterit në bord ndodheshin 6 persona ku vetëm piloti ka mundur të mbijetojë.
Helikopteri është rrëzuar rreth orës 19 (ora lokale), rreth mesnatës me orën tonë.
Mbeten ende të paditura shkaqet e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që autoritetet përjashtojnë pistën e rrëzimit nga moti i keq, pasi kushtet meteorologjike në Nju Jork gjatë kohës së aksidentit kanë qenë optimale.
Sipas raportimit të policisë, dy nga viktimat u shpallën të vdekur në vendngjarje dhe tre të tjerët u transportuan në spital në gjendje kritike, për t’u shpallur të vdekur në orët e para të së hënës.
Skuadrës së shpëtimit i është dashur të zhytet në 15 metra thellësi për të mbërritur tek helikopteri.
Piloti i helikopterit ka mundur t’i shpëtojë fundit tragjik, duke u çliruar nga helikopteri pas përplasjes në ujë.
Ndërkaq, identitetet e pilotit dhe viktimave nuk janë bërë publike. (TemA)