Leku thyen rekord shumëvjeçar, shkëmbehet për 129 lekë për euro

21 Mars 2018, 19:39Ekonomia TEMA

Leku shqiptar vijoi tendencën forcuese të dy viteve të fundit duke shënuar kuotën më të fortë që nga viti 2009, ndërsa fondamentat ekonomike nuk janë në gjendje të shpjegojnë origjinën e pranisë së bollshme të euros në tregun shqiptar.

Nga Gjergj Erebara

Euro u shkëmbye mesatarisht për 129.05 lekë të mërkurën në tregun e Tiranës, duke shënuar kuotën më të ulët që nga viti 2009, ose nëntë vjet më parë, bëhet e ditur nga kursi mesatar fiks i llogaritur dhe i publikuar nga Banka e Shqipërisë. Në krahasim me të martën, leku u forcua me 0,7% ndërsa në krahasim me një vit më parë, leku është forcuar me 4.7%.

Leku pati ruajtur një kurs stabël nga fillimi i vitit 2010 deri në vitin 2015, duke lëvizuar pak qindarka plus dhe minus kuotës 139.5 lekë për euro. Por nga fundi i vitit 2016, leku filloi të forcohet gradualisht, tendencë që vijoi edhe në vitin 2017.

Themelet e ekonomisë shqiptare, të tilla si shkëmbimi tregtar i vendit apo bilanci financiar, nuk sugjerojnë për ndonjë bazë ekonomike që të shpjegojë forcimin e lekut përgjatë dy viteve të fundit. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka qenë përgjatë të gjithë kësaj periudhe “lehtësuese”, gjë që nënkupton dëshirën e bankës qendrore për të furnizuar më shumë lekë në treg, pra me tendencë nënçmuese për monedhën kombëtare. Po kështu, bilanci i tregtisë së jashtme të Shqipërisë flet për deficit në zgjerim.

Supozimi kryesor i shkaqeve të forcimit të lekut lidhet me një burim eurosh me origjinë të panjohur, që mund të lidhet me aktivitetin kriminal të shqiptarëve nëpër Europë, të tillë si trafiku i lëndëve narkotike. Eksporti i narkotikëve është i pamundur që të matet, por duke parë sasitë rekord të kanabisit dhe të kokainës të sekuestruara në Shqipëri, Itali e Greqi, kjo mund të sugjerojë që sasia reale e prodhuar apo eksportuar e drogëve mund të jetë rritur ndjeshëm në krahasim me disa vite më parë, aq sa valuta e sjellë nga ky aktivitet ka shkaktuar forcim të lekut. Prania e shumave të mëdha të eurove vërehet edhe në elementë rastësorë. Një bankë e rëndësishme në tregun shqiptar publikoi një njoftim në sportelet e veta muajin e kaluar, ku bëhej e ditur se ajo nuk do të pranonte depozitimin e shumave mbi 50 mijë euro, në rast se këto shuma paraqiteshin kesh në sportel dhe nuk shoqëroheshin me një dokument për të treguar origjinën e tyre, fjala vjen, tërheqja nga një bankë tjetër ose të ardhurat nga një aktivitet biznesi. Në Shqipëri sot është shumë e vështirë që një person të ketë 50 mijë euro kesh nga burime të ligjshme. Megjithatë, prania e shumave të tilla duket se është kaq e shpeshtë sa një bankë detyrohet të “refuzojë klientët”.

Forcimi i lekut sjell disa përfitime dhe disa kosto. Përfitimi kryesor është që importet e Shqipërisë, qoftë për mallra konsumi, qoftë për makineri e pajisje, bëhen pak më të lira. Po kështu bëhet më i lirë edhe shërbimi i borxhit publik të jashtëm të vendit, si dhe shërbimi i kredive të marra në euro nga bizneset apo nga konsumatorët familjarë. Por gjithashtu forcimi i lekut i bën më të shtrenjta eksportet shqiptare, si dhe shërbimet turistike.

Vuajtësit më të mëdhenj duket se janë sektori i fasonëve, të cilët importojnë lëndë të para për veshje, këpucë e mallra të tjera të gatshme dhe i rieksportojnë pasi shtimit të punës fizike të pakualifikuar ose gjysmë të kualifikuar. Grupi tekstile dhe këpucë ishte përgjegjës për 43% të të gjitha eksporteve të Shqipërisë gjatë vitit 2017, si dhe industria me një numër të madh të punësuarish. Megjithatë, e gjithë industria e fasonëve punon me norma shumë të ulëta fitimi për shkak të konkurrencës së egër për punë të lirë që vjen nga vende ku niveli i pagave është edhe më i ulët se sa në Shqipëri. Duke qenë se fasonët i kanë të ardhurat në euro dhe shpenzimet kryesore në lekë, një zhvlerësim i lekut qoftë edhe me 5% gërryen një pjesë të konsiderueshme të fitimeve të kësaj industrie. Eksportet e tjera kryesore të Shqipërisë si nafta apo mineralet, nuk pritet të vuajnë njësoj nga forcimi i lekut për shkak se këto industri kanë norma fitimi më të larta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje