Presidenti amerikan Donald Trump i ka telefonuar të martën presidentit rus Vladimir Putin dhe e ka uruar për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, theksoi se ata të dy do të takohen shumë shpejt.
“Kishim një telefonatë të mirë”, u tha Trump reporterëve në Zyrën Ovale, ku ai kishte një takim me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman.
Ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët, që të diskutojmë për armët, mund të diskutojmë mbi garën e armatimeve,” u tha Presidenti Trump.
Ai tha se gara e armatimeve ka dalë “jashtë kontrollit“, por SHBA nuk do të lejojë askënd të ketë diçka qoftë edhe të përafërt me atë që ne zotërojmë. Sipas BBC, çështje të tjera që do të diskutohen gjatë takimit dypalësh do të jenë edhe temat më të nxehta si Ukraina, Siria dhe Koreja e Veriut.
Putin u rizgjodh me më shumë se 76% të votave, për një mandat të katërt gjashtëvjeçar.
Por nuk kishte asnjë sfidues të fortë gjatë garës, pasi udhëheqësi kryesor i opozitës, Aleksei Navalny, iu ndaluar pjesmarrja në zgjedhje.
Por Trump gjatë bisedës me kreun e Kremlinit, nuk përmendi çështjen që ka ngjallur tensionet perëndimore në rritje me Moskën, për helmimin e ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në Britaninë e Madhe.
Qeveria e Theresa May fajësoi Rusinë dhe Putinin për sulmin me agjent nervorë ndaj ish-spiunit. Megjithatë Moska vazhdon që të mohoj çdo përfshirje të sajën në këtë ngjarje.
Edhe Moska në një deklaratë zyrtare, bën me dije se Trump dhe Putin diskutuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit në problemet e terrorizmit ndërkombëtar, në kufizimin e armëve bërthamore dhe për çështjet ekonomike.
Por menjëherë pas komenteve të bëra nga Trump në Zyrën Ovale, ka reaguar senatori republikan John McCain i cili e kritikoi ashpër presidentin gjatë një postimi në “Twitter”.
“Një president amerikan nuk e udhëheq botën e lirë duke përgëzuar diktatorët për fitoren në zgjedhjet farsë”, shkruante McCain. “Duke vepruar kështu me Vladimir Putinin, Presidenti Trump fyen çdo qytetar rus të cilit iu mohua e drejta për të votuar në zgjedhje të lira dhe të drejta”, shruan senatori Arizonës. (TemA TV)