"Korridori blu", qeveria do të garantojë borxhin e koncesionarit të rrugës Thumanë-Kashar

20 Prill 2018, 14:15Ekonomia TEMA

Dokumentet e tenderit për autostradën Thumanë-Kashar zbulojnë se qeveria e qendrës së majtë e kryeministrit Edi Rama do të ofrojë garanci qeveritare për kreditë që do të marrë koncesionari për ndërtimin e rrugës – duke minimizuar risqet për fituesin e tenderit dhe duke ia ngarkuar ato taksapaguesve.

Nga Besar Likmeta

Propozimi i pakërkuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen me partneritet publik privat të rrugës Thumanë – Fushë Krujë – Kashar është pjesë e planit infrastrukturor për të ashtëquajturin programi ‘1 miliardë’ i qeverisë shqiptare.

“Prioriteti për realizimin e këtij projekti është përfshirja e bankave dhe e garancive qeveritare,” shkruhet në raportin teknik të publikuar me dokumentet e tenderit ndërkombëtar për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar. “Supozohet se qeveria do të japë garanci në mënyrë që të merren kredi nga bankat dhe bankat do të japin kredi me interesa të ulëta,” shton dokumenti.

Tenderi për ndërtimin e rrugës Thumanë – Kashar nëpërmjet një partneriteti publik-privat u hap zyrtarisht të martën nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës. Në një konferencë për shtyp me gazetarët për projektet infrastrukturore, ministri Damian Gjiknuri u shpreh se kjo rrugë ishte pjesë e korridorit Ionian-Adriatik – i cili ndryshe quhet ‘korridori blu.’

Qëllimi i projektit të rrugës Thumanë-Kashar është që të krijojë një lidhje me standarde ndërkombëtare nëpërmjet Rrugës së Kombit midis Kosovës dhe portit të Durrësit, si dhe të reduktojë trafikun në aksin nacional midis Thumanës dhe Fushë Krujës. Rruga që do të ndërtohet përfaqëson një gjurmë të re infrastrukturore me shpejtësi dhe kapacitet të lartë e cila do të integrohet me aksion Milot-Morinë për tranzit të lehtësuar veri-jug.

E pyetur nga BIRN mbi barrën që garancitë qeveritare për kreditë e koncesionarit do t’i ngarkojnë taksapaguesit, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se fituesi i tenderit do të merrte riskun teknik, operacional dhe një pjesë të riskut financiar në formën e kapitalit të investuar në subjektin për qëllime të veçanta që do të krijohej për zbatimin e projektit.

“Në rastin e PPP-ve të rrugëve sektori privat merr përsipër tërësisht riskun teknik dhe operacional, si dhe një pjesë të riskut financiar. Kjo do të thotë që sipërmarrësi, kryen të gjitha studimet dhe projektet me shpenzimet e veta dhe siguron ndërtimin e rrugës brenda standardeve të kërkuara dhe në kohë rekord,” tha MEI.

MEI dha si shembull koncesionin për rrugën e Arbrit, duke shpjeguar se investimet në kapitalin e subjektit për qëllime të veçanta nga fituesi i tenderit janë dhe pjesa e riskut financiar e marrë nga kompania fituese. Sipas dokumenteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania Gjoka Konstruksion – fituese e koncesionit prej 240 milionë euro për rrugën e Arbërit, ka themeluar një subjekt për qëllime të veçanta të quajtur Gjoka87 Sh.p.k, i cili ka një kapital prej 80 milionë lekë. Ky kapital përbën dhe riskun financiar që kompania ka marrë për projektin, ndërsa pjesa tjetër do të financohet me kredi që do të lëshohen në bazë të garancive të mbështetura në kontratën koncesionare.

Qeveria ka parashikuar një fond limit prej 245.7 milionë euro për tenderin e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar, projekti i së cilës ka një gjatësi prej 21 kilometra dhe një kohëzgjatje 13 vjeçare, nga të cilat në 11 vite parashikohet mirëmbajtja e saj. Pagesa e koncesionarit do të bëhet me këste vjetore nga qeveria shqiptare dhe kësti i parë pritet të paguhet kur koncesionari të ketë mbaruar 25 % të ndërtimit të rrugës.

Vlerësimi i ofertuesve, të cilët kanë deri më 11 qershor për të dorëzuar ofertat, pritet të bëhet mbi një shkallë prej 100 pikësh, ku projekt-propozimi teknik për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës do të marrë peshën  kryesore me 35 pikë, i ndjekur nga oferta financiare me 25 pikë, ndikimi në mjedis me 20 pikë, si dhe ndikimi social dhe afati i përfundimit me 10 pikë.

Përtej tenderit ndërkombëtar dhe ofertave që mund të vijnë nga ofertues të ndryshëm, qeveria tashmë ka shpërblyer me një bonus prej 8.5 pikësh kompaninë ‘Gener 2’, si operatori që ka sjellë propozimin e pakërkuar për koncesionin e ndërtimit të rrugës. E udhëhequr nga biznesmeni Bashkim Ulaj, ‘Gener 2’është një nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri, me investime në fusha të ndryshme si ndërtimet publike, hidrocentralet dhe telekomunikacionit.

Kjo kompani është denoncuar shpesh nga Partia Socialiste në të shkuarën si e lidhur ngushtë me ish kryeministrin e qendrës së djathtë Sali Berisha. Në mënyrë të veçantë projekti i Gener 2 për të ndërtuar një kompleks rezidencial te diga e Liqenit Artificial në Tiranë është kontestuar fort nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili e ka paditur kompaninë në Gjykatën Administrative. Veliaj gjithashtu ka udhëhequr një seri protestash kundër projektit të kompanisë në vitin 2016-të, duke e shtyrë kompaninë të reagojë se kryebashkiaku socialist po ndikonte në mënyrë të paligjshme mbi gjykatën.

Programi ‘1 miliardë’ i qeverisë shqiptare ka ngrysur vetullat e zyrtarëve të FMN-së, të cilët i kanë cilësuar projektet e PPP-ve me propozime të pakërkuara si ‘të papërshtatshme’, duke i kërkuar qeverisë që të heq dorë prej tyre.

“Kuadri i punës së qeverisë për përzgjedhjen dhe priorizimin e projekteve të investimit, si dhe për vlerësimin e kostove dhe rreziqeve fiskale, mbetet i pamjaftueshëm sipas vlerësimit të FMN-së. Deri sa ku kuadër pune të mund të fuqizohet në mënyrë thelbësore, është më mirë që të mos firmoset asnjë kontatë e re e madhe PPP,” i tha BIRN në mars përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë Jens Reinke.

“Ne rekomandojmë që qeveria të tenderojë të gjitha projektet dhe të mos mbështetet në propozimet e pakërkuara”, përfundoi ai. /Brin/

4 komente në ““Korridori blu”, qeveria do të garantojë borxhin e koncesionarit të rrugës Thumanë-Kashar”

  1. Premtime fallco says:

    Dikur oligarket e leshit mbeshteteshin nga e djathta, kurse tani suportohen plotesisht nga e majta , duke shkaterruar bizneset e tjera, pra jo vetem nje shtrese injorante qe drejton kete shtet por mbi te gjitha nje qeveri qe na premtoj te tjera ne fushate por tani vetem vjedhin dhe vetem vjedhin

  2. mirel says:

    E moret vesh o shoke rilindas?
    Kompania qe punon Ramuti eshte ndertuar nga Berisha.
    FMN i ka kerkuar qeveriae qe ti anulloje keto praktika me propozim te “pakerkuar”.
    Dmth qeveria nuk ka asnje studim dhe vleresim te sajin per rruget.
    Patjeter kur ne financat kane nje hajdut qe nuk merr vesh nga financat dhe kur Gjiknuri eshte ushtar i Financierit dhe Piktorit, qe kane garantiar zbatimin e ketij propozimi te Gjoka kampani me ane te dores se hekurt te Xhafes.
    Propozimi pakerkuar. FMN po reagon njelloj si me Rrugen e Kombit dhe Arbrit.
    Jane keto praktika qe futen shtetin ne borxh, po me sa duket. Ramuto po nxiton te vendose oligarkine dhe te vjedhe sa mundet per vete dhe miqte e Berishes.
    Hapni gojen tani dhe shajeni populline kukesit.
    Pse? Sepse Gjoka kompani ka oreks te marri 1 miliarde leke nga qeveria ne forme koncesioni, dhe per kete ve garanci vetem 80 milione leke.
    Garanci..
    Rrugen do e paguaje populli dhe borxhet qe qeveria po merr nga FMN per tja dhene Gjokes.
    Taxapaguesi te tundi xhepat dhe ti shkundi mire per Gjoken.
    Se keshtu ka vendosur Partia e RiPisave.
    Pushoi protesta ne Kukes e zgjati doren me shume Ramuti.
    Dele popull.

  3. May plague reign upon U says:

    Hesape te “bukura” paska bere timonieri me benin e anglishtes??!!: mbro privatin e zhytja qytetarit! Dhe kulmi eshte se s’qenka as pjese e ndonje strategjie per zhvillim, por propozim privati! Po nuk na the o timonier? 245 milione euro per 21 km? Me flori do ta shtroni?! Se ajo hapesire eshte e gjitha fushe! Po kur eshte kaq e shtrenjte perse m… e miratoni si projekt?! Apo rruga ne leter e paret ne xhepat tuaj!!! ptuuu ju …. grate mos i gezofshi ato para!

  4. Lili says:

    Vjedhja e radhes, borxhin do e paguajme ne se keta do kundesen mire per kete,mbasi kete nen e paskan futur aty,e kur jo rastesisht po sepse planin e falimentimit per t’ia fakturuar taxpaguesit shqiptar qe ne start e kane bere.
    Pse atehere te marrim nje koncesionar?
    Vetem se keshtu eshte skema e vjedhejes me marifete…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje