Luftëtari-Flamurtari, që luhet të shtunën, është një nga ato sfida që do të vendosin jo pak në lidhje me objektivin e Europës për të dy ekipet. Gjirokastritët mbajnë vendin e tretë dhe janë më afër, por gara është mjaft e fortë në këto javë të mbetura.
Lejdi Liçaj, i cili në janar la Flamurtarin për t’u kthyer në Gjirokastër, në një intervistë enkas për “Vipsport.al”, ka folur para ballafaqimin me skuadrën e qytetit të tij, duke lëshuar shumë batuta. Vlonjati shpreson shumë që me Luftëtarin të hyjë në histori, duke qenë pjesë e grupit që do ta çojë këtë ekip për herë të parë në Europë. Ja intervista e plotë e Liçajt:
Gjysmë sezoni me Flamurtarin dhe tani gjysma tjetër me Luftëtarin. Ku është më mirë?
Po, ky sezon është i ndarë në dy gjysma për mua dhe duken dy gjysma si nata me ditën sa i përket aktivizimit. Te të dy ekipet është shumë mirë. Jam ndierë shumë mirë te Flamurtari dhe e kam ndihmuar me hapësirat që kam pasur. Te Luftëtari ndihem mirë, po bëj mirë për momentin.
Të shtunën vjen Flamurtari në Gjirokastër, në një sfidë Europe. Një mesazh për patriotët e tu?
Më vjen keq për Flamurtarin, që pati atë krizë, sepse janë një grup i mrekullueshëm futbollistësh në këtë ekip dhe meritojnë më shumë se vendi që kanë tani në renditje.
Duket paradoksale, por më shumë vlonjatë ka Luftëtari tani se Flamurtari…
Po, është e vërtetë që jemi më shumë vlonjatë te Luftëtari. Epo, po të duash Europën, duhen vlonjate në ekip.
Si ndiheni për faktin që mund të hyni në histori, duke e çuar Luftëtarin për herë të parë në Europë?
Me Zotin përpara dhe ne prapa, shpresojmë të shkojmë në Europë, është një kënaqësi dhe emocion i veçantë të bëhesh pjesë e historisë së një klubi.
Rivalë janë edhe Partizani apo Laçi. Si e shihni garën deri në fund të kampionatit?
Rival shikoj Partizanin dhe Flamurtarin, sepse Laçi ka një kalendar të vështirë, por ka shansin e artë në Kupën e Shqipërisë për të shkuar në Europë.
Në Vlorë mendojnë se Flamurtari u dëmtua nga largimi i Liçajt dhe Jakovljeviçit në janar…
Jo, nuk besoj se është dëmtuar nga largimi im dhe i Jakovljeviçit. Flamurtari ka mbrojtës shumë të mirë, por thjesht është sulmuar nga arbitrat dhe ka pasur fatin kundër.
Luftëtari ka filluar po shet lojtarë jashtë vendit, me Abazajn të parin. Cili nga shokët e tjerë mendon se duhet të luajë jashtë?
Abazaj na bëri krenarë të gjithëve dhe u dha një stimul çunave të tjerë që me punë dhe me besim mundesh të arrish aty ku dëshiron. Them se ka disa lojtarë, si për shembull Bregu, Rroca, Shkurtaj dhe Ramadani që mund të luajnë jashtë. Se harrova, edhe unë s’jam keq…
Ku e sheh te ardhmen?
Momentalisht mendoj të bëj mirë me Luftëtarin dhe ishallah e çojmë në Europë.
Po ndonjë gol me roveshiatë, kur do të shohim, se na ka marrë malli?
Kam hequr dorë nga roveshiatat, vetëm me kokë këtu me Luftëtarin.