“Shqiptarizimi” i një debati europian në Gjermani

27 Prill 2018, 08:55Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Ka mjaftuar një vizitë e Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Berlin, si pikënisja e një turi Europian në vendet anëtare të unionit për ti bindur se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit, për të kuptuar sesa të zotë jemi për ta “shqiptarizuar” çdo gjë që na del përpara.

Kemi “shqiptarizuar” debatet që gjoja janë bërë në Komisionin e Bundestagut për çështjet e BE, duke i sjellë ato në një pjesë të mediave të Tiranës sikur të kishim zbardhur proces- verbalet e komisioneve parlamentare të Shqipërisë.

Kemi “shqiptarizuar” darkën që Kryeministri dhe delegacioni ynë kanë shtruar në një nga restorantet e Berlinit për një pjesë të deputetëve të Bundestagut gjerman.

Kemi “shqiptarizuar” çdo media sado të parëndësishme që ka qenë, mjafton të shkruante gjëra me dy kuptime apo kritike në gjuhën gjermane për vizitën e delegacionit qeveriat shqiptar, duke i përkthyer sipas një fjalori që do ti kishin zili edhe portalet tona të panumërta.

Kemi “shqiptarizuar” çdo fjalë të deputetit të CDU Gunther Krichbaum i cili është ekspozuar shumë pranë qëndrimeve të liderit të opozitës shqiptare në raport me qeverinë për çështjet e detyrave të shtëpisë në procesin e integrimit. Deri në atë pikë sa Krichbaum është bërë më popullor në Shqipëri sesa në Gjermani, aq sa më kollaj qytetarët tanë shqiptojnë emrin e tij, sesa emrat e pjesës anonime të Parlamentit tonë.

Kemi “shqiptarizuar” çdo gjë që lidhej me vizitën dhe deri edhe takimin me dyer të mbyllura të Ramës me Kancelaren Merkel, vetëm e vetëm në funksion të luftës së brendshme politike në Tiranë për të sfumuar dhe zhbërë suksesin politik të mazhorancës qeverisëse, për marjen e rekomandimit për çeljen e negociatave nga Komisioni Europian, sa me siguri qytetarët ndoshta pyesin:

Përse u dashkan kaq shumë përpjekje për tu anëtarësuar në BE, kur edhe vetë Gjermania që është lokomotiva e saj, e bëkërka luftën, debatin dhe intrigën politike alla shqiptarçe?

A po përpiqemi të integrohemi që të bëhemi pak më shumë “gjemranë” dhe “europianë”, apo sa më shumë avancojmë në këtë proces, aq më shumë i “shqiptarizokemi” ne ata?

Vërtetë debati politik në Gjermani,- siç është paraqitur nga një pjesë e mediave tona,- është as më shumë e as më pak, por thjeshtë një “copy paste” e debateve tona të përditëshme? Apo e gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse thjeshtë një sforcim i jashtëzakonshëm propogandistik për të kamufluar kulturën e opozitës sonë të të përjetuarit e kësaj fitoreje, si të ishte një humbje. Dhe kritikat normale gjermane, të vërteta ose të shpikura për konsum në Shqipëri, te perjetuara si një fitore?

Pas kësaj pyetjet që shtron një qytetar i zakonshëm mund të jenë të natyrës:

Nëse opozita jonë e dashka integrimin siç edhe thotë publikisht, përse atëherë nuk iu “gëzua” asaj për ta përshëndetur me tonalitetin që meritonte në momentin e marjes së rekomandimit për çeljen e negociatave?

Nga ana tjetër, përse opozita jonë dhe mediat rrotull saj ekzaltohen sa herë që dëgjojnë apo shkruajnë se është thënë ndonjë fjalë apo është mbajtur ndonjë qëndrim kundër integrimit të Shqipërisë?

Në gjithë këtë kakofoni, kryepyetja e tyre mund të jetë: Opozita jonë, a është realisht pro apo kundër çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?

Këto dhe shumë pyetje të tjera, mund ti lindin vetëvetiu gjithkujt që ka ndjekur orët e fundit, mënyrën sesi është përcjellë vizita e Ramës në Berlin. “Shqiptarizimi” i një debati Europian në Gjermani për procesin e zgjerimit, i cili nuk ka asnjë lidhje të posaçme me Tiranën zyrtare, mund ti shërbejë ushqimit të politikës së ditës me oksigjenin e munguar të kauzave dhe halleve të vërteta të opozitës sonë.

Europianizimi i këtij debati në Shqipëri, është shumë më i thjeshtë se kaq. Gjë që mund të kursejë shumë energji të konsumuara deri më sot në mënyrë të padobishme. Mjafton që gështenjat politike që po mundohen ti nxjerrin me duar gjermane, të nisin e ti nxjerrin vetë. Thjeshtë duke thënë: Jemi kundër hapjes së negociatave. Pak rëndësi ka se çfarë argumentash do të japin pas kësaj. Kjo ndoshta mund ti jepte edhe më shumë zë dhe lidership politik, një debati real mes atyre që janë pro dhe kundër integrimit europian të Shqipërisë.

Ky është një debat i vërtetë, që bëhet në çdo vend tjetër anëtar ose aspirant, krejt hapur, përveçse në Shqipëri. Euroskeptikët janë zëra dhe grupe në rritje në kontinent dhe e thonë këtë hapur, pa asnjë kompleks dhe pa u fshehur prapa gishtit të vet. Kjo ska pse të mos ndodhi edhe në Shqipëri. Ndërsa sa për vota, nuk di nëse marin dot më, pas kësaj./Alpenews.al

 

3 komente në ““Shqiptarizimi” i një debati europian në Gjermani”

  1. 2025 Albanian Youth Mass Migration says:

    Shqiptarizmi do vertetohet ne 2025 kur i madh dhe i vogel, nena shtazane, te semure fizik e mendore do perjetojne lirine dhe fitoren e vertete kur te udhetojne neper EVROPE.

  2. Mere says:

    Hapja e negociatave per anetaresim ne BE te Shqiperise nuk nderpret reformat
    Mos celja e negociatave do te sjelle:
    1-nenvleftesimin e ekonomise
    2-te rinjte ne pergjithesi e tediplomuarit ne vecanti te mos shohin perispektive ne vend
    3-brain drain largimine trurit , nuk eshte e drejte per Shqiperine qe pret 3 dekada
    4-c’kakordimi i shoqerise civile ne mes Evropes
    5-te pa pranushme sjelljen e opozites ne parlament , duke mos perdorur instrumentet demokratike
    6-shoqeria civile humbet durimin ne perfshirjen drejt evropes
    7- ndikimi rus, turk, apo kinez
    Nqse Gun ther Krich baum dhe ata qe u solidarizuan nga deputetet e Bundestagut e mendojne se artikujt qe akuzonin si pro- rus, pro- serb, vegel e disave nga opozita shqiptare nuk qendron atehere pse e bejne si loja me se ma potise gomarin, kur dihet qe ato jan botuar para takimit apo vizites shqiptare ,Pse nuk dolen pro celjes se negociatave, ndryshe nqse akuzat do beheshin pas vizites e nuk mbeshteten Shqiperine
    Shpresa e Shqiptareve eshte per nje te ardhme me te mire dhe anetaresim ne BE, ata qe nuk duan jan antishqiptare eperpiqen te pengojne per antaresim , ujku mjergulle kerkon

  3. Mario says:

    Ato taksat i pagove? Pastaj ajo e restorantit nuk eshte dhe aq pa gje per Europianrt qe jetojne me page.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje