Liverpul-Real Madrid është finalja e madhe e këtij sezoni në kompeticionin e “Uefa Champions League” që do luhet nesër në mbrëmje në Kiev të Ukrainës.
Liverpuli do të synojë marrjen e këtij trofeu që i mungon që prej vitit 2005 pas atij triumfi spektakolar në Stamboll kundër Milanit.
Përballë “The Reds” në finale do të jetë Reali i Madridit kampioni në fuqi i këtij kompeticioni që do të synojë ta fitojë për herë të tretë rradhazi këtë trofe.
Në konferencën për shtyp trajneri i Liverpulit, Jurgen Klopp, është besimplotë te triumfi i skuadrës së tij.
“Reali i Madridit ka më shumë eksperiencë se Liverpooli, por në fushë kjo vlen pak. Ne do të luajmë futbollin tonë do të përdorim taktikat tona dhe deri sa të kemi qoftë edhe një shans mua më mjafton për të besuar. Reali i Madridit është një skuadër fenomenale por ne jemi gjithashtu me meritë në finale dhe do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë sfidë”, tha trajneri Gjerman i Liverpulit.
Ndërkohë, trajneri i Realit të Madridit, Zinedine Zidane, theksoi se ekipi i tij nuk është favorit për këtë takim duke shtuar se shanset janë të barabartë.
Zidane në rast fitoreje të trofeut të Championsit do ta bënte atë trajnerin e parë që arrin të fitojë tre tituj rradhazi të në këtë kompeticion.
“ Nuk jemi ne favoritët, duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe nëse dëshirojmë të fitojmë. Në finale shanset janë gjithmonë 50 me 50. Jemi të lumtur që ndodhemi këtu dhe që do të luajmë këtë sfidë, ndërkohë që për mua si trajner do të jetë shumë e vështirë të zgjedh 11-shen titullare dhe futbollistët e dinë këtë.Klopp? Kam shumë respekt për të, është një trajner me shumë eksperiencë, çdo teknik është i ndryshëm dhe ka stilin e tij.
Cristiano Ronaldo është mirë, nëse nuk është në 150% të formës së tij, është në 140% dhe më besoni , kjo nuk është pak. Këtë të shtunë luajmë ndeshjen e fundit të sezonit dhe Cristiano jeton për këto lloj sfidash”, tha Zidane. (TemA)