Kanabisi e plak trurin para kohe

26 Gusht 2018, 19:06Shëndeti TEMA

Problemet mendore si skizofrenia apo ato më të lehta si ankthi, por edhe përdorimi i kanabisit dhe alkoolit e plakin trurin në mënyrë të parakohshme.

Ky është përfundimi i një prej studimeve më të mëdha të kryera me anë të skanimit të trurit.

Në funksion të tij janë analizuar imazhet cerebrale të 31 227 personave.

Truri i njeriut përbën vetëm 2% të masës trupore, por furnizohet nga rreth 20% e gjakut që pompohet nga zemra dhe kalon nëpër enët e gjakut që arrijnë gjatësinë 370 milje.

Ka prova se problemet që lindin në këto enë të holla gjaku u paraprijnë ndryshimeve në indin cerebral dhe aftësitë konjitive.

Studimi i kryer nga hulumtuesit e Amen Clinics, Google, John Hopkins University, University of California Los Angeles dhe University of California San Francisco, është përqendruar pikërisht në këto ndryshime.

Ekipi ka analizuar modelet e qarkullimit të gjakut në 128 zona të trurit duke përdorur tomografinë e kompjuterizuar dhe emetimin e fotoneve (SPECT).

Analizat treguan se plakja cerebrale ka lidhje me ndryshimin e fluksit të gjakut, ndërsa konsumimi i kanabisit lidhet me një plakje të parakohshme prej 2.8 vitesh më shpejt.

Faktorë të tjerë që ndikojnë në plakjen e parakohshme të trurit rezultuan skizofrenia (4 vjet), çrregullimet bipolare (1.6 vjet), çrregullimet ADHD (1.4 vjet), konsumi i alkoolit (0.6 vjet), por edhe ankthi.

Studiuesit thonë se analiza të mëtejshme do të zbulojnë se si çrregullimet psikiatrike e ndryshojnë skemën sipas të cilës lëviz gjaku në tru.

Por ata theksojnë se zbulimi që abuzimi me marijuanën ndikon në plakjen e trurit ka rëndësi të veçantë, në kohën kur kultura moderne ka nisur ta shohë këtë lëndë si padëmshme. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje