Në prag të duelit të së premtes në derbi në “Selman Stermasi” Tirana dhe Partizani kanë luajtur këtë të martë ndeshjet e tyre të Kupës së Shqipërisë.
Të dyja skuadrat kanë arritur kualifikimin për në fazën tjetër duke zhvilluar ndeshje mjaft të mira dhe me gola.
Bardheblutë e drejtuar nga trajneri, Ze Maria, triumfuan me rezultatin e pastër 4-0 kundër Ilirisë, sfidë që u zhvillua në kompleksin sportiv “Skënder Halili”.
Autorët e golave për 24-herë kampionët e vendit ishin Sentamu që shënoi një tripletë dhe Ngoo që vulosi shifrat në 4-0, ndërkohë që takimi i parë ishte mbyllur me rezultatin 1-4 po në favor të Tiranës.
Me të njëjtin rezultat të thellë 4-0 fitoi dhe Partizani në kompleksin “Internacional në Pezë” kundër Tërbunit.
Një 90-minutësh shumë pozitiv për të besuarit e Skënder Gëgës ku shënuan dhe sulmuesit.
Një dopietë e Çinarit dhe golat e Bardhit dhe Hebajt i dhanë suksesin ekipit 15 herë kampion të vendit.
Dy teste pozitive për skuadrat kryeqytetase që të premten do të masin forcat me njëra tjetrën në orën 19:45 në “Selman Stermasi” në sfidën më të bukur të Kategorisë Superiore. (TemA)