DEBATI kur miratohej Kushtetuta në ’98-n, pas rastit Meta-Lleshi: Dekretimi i ministrave nga presidenti, është detyrim

12 Nëntor 2018, 12:15Politika TEMA

Prej pothuajse dy javësh, politika shqiptare është përfshirë në një debat të panevojshëm, pas refuzimit të Ilir Metës për të dekretuar si ministër të Brendshëm, kandidatin e propozuar nga kryeministri Edi Rama, Sandër Lleshi.

Deri më tani, Ilir Meta nuk ka dhënë asnjë argument se përse nuk e dekretoi Lleshin.

Ai i dërgoi një letër me katër fjali kryeministrit Edi Rama, në të cilën thoshte se si “komandant i përgjithshëm”, nuk kishte krijuar “bindjen” për të dekretuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm.

Por këtu nuk kemi të bëjmë me një çështje bindjesh, por zbatimi të Kushtetutës.

Vetë Ilir Meta, në një dalje publike disa ditë më parë, tha se ai kishte zbatuar Kushtetutën, duke mos e dekretuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm.

Sot, me anë të një deklarate, Meta shprehet se “në zbatim të neneve 69,103,167/1 të Kushtetutës, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese.

Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhjen ose emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.

Gjë që në fakt është qartësuar, pasi Sandër Lleshi i ka shkëputuar marrëdhëniet ushtarake, në kohën e qeverisjes së PD.

Për të qartësuar presidentin ndërkohë, por edhe opinionin publik, gazeta TemA po sjell diskutimet e e zhvilluara në mbledhjet e Komisionit Parlamentar për Hartimin e Projekt-Kushtetutës, mars-shtator 1998, Volumi 1, e cila më pas u bë edhe Kushtetuta e Shqipërisë.

Në debatin e zbardhur nga anatëtarët e Komisionit, ku ndër të tjerë bënin pjesë Spartak Braho, Arben Imami, Sabri Godo, etj, thuhet qartë se dekretimi i ministrave nga ana e presidentit, është një detyrim, kur plotësohen kriteret e kandidaturave.

Më poshtë, një pjesë e debatit:

Spartak Braho: Tek pika një, emërimi i Presidentit është pothuaj një detyrim. Në këtë drejtimi Presidenti është krejt pasiv, apo jo?

Krenar Loloçi: Në asnjë Kushtetutë nuk gjejmë të thuhet që Presidenti ose mbreti është i detyruar të emërojë personin që propozohet nga Kryeministri, megjithëse refuzimi është një fenomen i rrallë.

Spartak Braho: Domethënë edhe mund të mos e emërojë?

Artan Imami: Është i detyruar!

Krenar Loloçi: Arsyet për të cilat mund të mos e emërosh një ministër janë të gjitha ato që e ndalojnë një person të bëhet deputet.

Spartak Braho: Pra, është i detyruar të emërojë një kandidaturë të propozuar nga Kryeministri.

Krenar Loloçi: Ndryshe, Presidenti do të përfshihej në jetën politike.

Spartak Braho: Kur nuk ka shkaqe të ndalojë dike që të bëhet ministër, presidenti do të bëjë emërimin që i kërkohet nga kryeministri. Nuk mund t’i thotë kryeministrit se nuk e dua personin që propozohet për ministër.

Krenar Loloçi: Pastaj është gjithë parlamenti që ia jep ose ia heq besimin.

Sabri Godo: Përfundimisht ne e lamë të pandryshuar nenin 5.

Arben Imami: Kam përshtypjen që po.

Nga debati i mësipërm, del qartë që presidenti nuk mund të refuzojë kandidaturat e ministrave të kryeministrit, në rast se ata plotësojnë të gjitha kriteret që duhet të plotësojë dikush për t’u bërë minister.

Dhe në rastin e Sandër Lleshit, ky i plotëson të gjitha kriteret.

Ndaj dhe, në mungesë të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, presidenti dhe këshilltarët e tij, mjafton të lexonin këtë debat, dhe do të kishin të qartë se në rastin e refuzimit të kandidaturës së Sandër Lleshit, kanë shkelur Kushtetutën. (B.Lumani-TemA)

6 komente në “DEBATI kur miratohej Kushtetuta në ’98-n, pas rastit Meta-Lleshi: Dekretimi i ministrave nga presidenti, është detyrim”

  1. Shqiperia dhe Sali-Meta-Basha jane cudia shqiptare! Si ka mundesi qe nje krimineleshte president dhe po mundohet te shpetoje duke bere pazare! Pse Rama nuk e hedh ne gjyq Liken si Qeveri e Shqiperise! Pse nuk hedh ne gjyq Saliun Lulin? Pergjigjet jane te veshtira per te mos thene te pamundura! Nuk e kuptoj pse Rama luan ne mbrojtje! Eshte koha qe politika shqiptare te pastrohet!

    1. Edkari says:

      askush nuk mund te detyroje te hedhesh firmen.

  2. Fidel says:

    Pretendimi i presidentit se Lleshi apo Lleshaj ( rrumpalle kjo si edhe mbiemri i vete Metes ne METAJ) eshte akoma me graden GJENERAL aktiv eshte skandaloz!
    Ushtaraku konsiderohet AKTIV vetem ne se eshte pjestar i ushtrise ne detyre,ndersa kur ushtaraku del ne lirim ,graden e mban,por quhet “ne rezerve”!
    Cfare ka ketu per te mos kuptuar?
    Edhe kekesa e vete Lleshit per t’u DEGRADUAR tani nga Meta si gjeneral tregon nje interpretim te gabuar te tij dhe te vete Rames!
    Deri sa te vdese ushtaraku e mban graden qe ka patur ne ushtri,ndersa qenia aktiv apo jo mund te vertetohet lehte jo vetem nga urdheri i nxjerrjes ne rezerve nga ministri i mbrojtjes dhe presidenti,por edhe nga fakti qe ne borderote e ushtrise nuk figuron me emri i tij!
    Cfare do tjeter ky fare presidenti inatcor dhe ngaterresaxhi,qe kerkon te behet interesant ne publik?
    Nga te gjitha pyetjet e presidentit,por qe nuk kane fare lidhje me dekretimin e tij,por per kryeministrin eshte fakti qe Lleshi per periudhen qe gjykata e ka njohur te demshperblehet,ne se ka marre leket edhe per kohen kur ka qene keshilltar i kryeministrit,AI DUHET TE KTHEJE LEKET!
    Edhe shkresa e kryeministrit Rama drejtuar Metes eshte formuluar me RREMBIM me fjale pa lidhje dhe qe nuk tregojne arsyen e sakte te konfliktit!
    Kestu i ben punet Rama,qe vetem pasi i ben gjerat fakt te kryer dhe ndeshet ne hunde lesh fillon dhe ul koken!
    E ka nga deliri i madheshtise dhe mendjemadhesia e tij!
    Shkurt:NUK ESHTE FARE NE CILESITE E NJE BURRI SHTETI!

    1. Bureto says:

      Mos i ngatërroni gjërat! Me vendim gjykate Lleshit i takojnë pagat që ka qenë i pezulluar nga detyra, para kohës (pas vitit 2013) kur Rama e caktoj këshilltar. Pra nuk janë dy rroga, por një, sepse ajo e para është pagë e munguar padrejtësisht. Gjë që ia ka njohur gjykata. Po dhe ta zemë se ka Meta të drejtë. Pse nuk e paraqiti këtë pretendim qysh në atë gjoja refuzimin e parë!? Pse nuk ia tha Ramës në takimin me të? Etj, etj. Kështu pra e gjithë kjo kakofoni nuk është gjë tjetër veçse një mistrecllëk i Metës ( si shumë herë kur do që të bëjë protagonistin apo kur do të kërkojë diçka në kompnesim si pazarxhi që është) dhe tashmë spërdridhet si e si të shpëtojë fytyrën e vet. Por është vonë. Lojën e kanë mësuar edhe naivët dhe si çeçua sa të kthehet nga Parisi, do ta dekretojë. Në të kundërt. Ka dy rrugë: ose do të japë dorëheqjen dhe të kthehet tek LSI, streha e tij e bgrohtë, ose të pranojë t’i nënështrohet procesit të shkarkimit nga parlamenti, që s’mund të realizohet për mungesë votash, por ama Meta moralisht si president në detyrë, diskreditohet përfundimisht si nga brenda ashtu dhe nga faktori ndërkombëtar. Por…sidoqoftë, ai mund të jetë një i paudhë, por budalla nuk është. Instikti i tij politik, si dhelpër që është, do t’ia tregojë shtegun e daljes në qorrsokakun ku e futi veten.

  3. Lennard says:

    E Qarte nuk ka nevoje per Komente te tjera.Dridhe Tashti Like e Merr nje valle me Mona baxhellen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje