Dy vajza binjake të lindura në Kinë janë fëmijët e parë te të cilët testohet korrigjimi gjenetik. Gjenetistët kinezë thonë se ky është rasti i parë në botë. Teknikat e reja dhe teknologjia që bën të mundur korrigjimin gjenetik gjatë dekadës së fundit e kanë shndërruar këtë mundësi nga një ide të fantashkencës në një realitet praktik. Në vitin 2015, studiuesit kinezë raportuan për korrigjimin e parë të kryer me sukses te embrioni njerëzor.
Megjithatë, pavarësisht optimizimit euforik që mund të nxisin zhvillime të tilla, ka nga ata që janë kundër eksperimentimeve në fushën e gjenetikës deri në momentin që teknologjia të jetë më e përshtatshme dhe njerëzimi të ketë ndërtuar kufijtë e rinj të etikës për çështje të tilla.
Ai Jiankui është mjeku gjenetist në Kinë, i cili ka shkelur i pari në këtë terren të ri. Ai thotë se bebet e lindura janë projektuar të jenë rezistente ndaj virusit HIV, pasi ai ka ndërhyrë te një gjen i tyre. Puna e tij shkencore u raportua në dokumentet mjekësore kineze të botuara online. Jiankui thotë se përpjekjet e tij pioniere kanë për qëllim të hapin një shteg për studiuesit e tjerë.
“Ndjej një përgjegjësi të fortë sepse kjo nuk ka të bëjë thjesht me hedhjen e hapit të parë, por edhe me dhënien e një shembulli. Shoqëria do të vendosë se çfarë të bëjë më pas”, u tha ai gazetarëve të Associated Press.
Një mjet i quajtur CRISPR-cas9 lejon korrigjimin relativisht të thjeshtë dhe pa shumë kosto të gjeneve. Metoda është përdorur për të trajtuar sëmundje të caktuara te njerëzit, por ky korrigjim nuk ka ndikuar në atë që mund t’u transmetohej fëmijëve të tyre. Ndryshimi i një embrioni ka një diferencë të rëndësishme: ADN-ja e ndryshuar mund të trashëgohet.
Mjeku kinez thotë se ai zgjodhi virusin e HIV, sepse kjo sëmundje është bërë problem serioz në Kinë, me 500 deri 1.5 milionë të infektuar. Kur sëmundja bëhet e njohur para të tjerëve, i prekuri përballet me stigmën shoqërore. Projekti u ofroi çifteve të infektuar me HIV një shans për të pasur një fëmijë që do të ishte rezistent ndaj sëmundjes së prindërve të tyre, një mundësi që disa ishin të etur të provonin. Pjesëmarrësve iu ofruan falas edhe trajtime të fertilitetit. Prindërit e vajzave binjake nuk kanë pranuar të intervistohen ose madje as të identifikohen. (TemA TV)