KLGJ i hap rrugën ngritjes së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit

27 Dhjetor 2018, 17:07Kronika TEMA
KLGJ i hap rrugën ngritjes së Gjykatës së Posaçme

Anetarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor

Anëtarët e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duhet të kalojnë procesin e vetingut si dhe të japin pëlqimin e vet dhe të familjarëve për kontrollin e llogarive bankare dhe telekomunikimeve. 

Nga Edmond Hoxhaj

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të enjten të nisë procedurat për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i hapur rrugën krijimit të kësaj gjykate.

Një hap i ngjashëm pritet të ndiqet edhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të njohura gjerësisht si SPAK-institucione këto që synohet të rrisin luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Gjyqtarët e gjykatës për krime të rënda kanë mundësinë të jenë përkohësisht anëtarë të Gjykatës së Posaçme, me kushtin që ata dhe familjarët e tyre të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare si dhe të telekomunikimeve vetjake.

Për të marrë emërimin e përhershëm në këtë institucion, gjyqtarët duhet të kalojnë me sukses edhe procesin e vetingut, si dhe të përmbushin kriteret e promovimit në detyrë.

Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” parashikon gjithashtu edhe rastin kur gjyqtari i përkohshëm ngel në veting.

“Caktimi i përkohshëm i tij mbaron pavarësisht nëse është bërë ose jo ankim ndaj vendimit [të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit],” thuhet në ligj.

Përveç nisjes së procedurave për caktimin e përkohshëm të anëtarëve të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi të enjten se ka nisur edhe procedura e verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për magjistratë të diplomuar në vitin 2018.

Këshilli i Lartë Gjyqësor u konstitua më 20 dhjetor. Përveç ngritjes së Gjykatës së Posaçme, ky institucion ka një rol kyç në emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve si dhe në plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje