Vendimi i kryeministrit për të marrë “de jure” edhe portofolin e ministrit të Jashtëm e kapi të papërgatitur Jarin.
Sepse kishte disa ditë që e ushqente veten me taktikat e një lufte të egër, që do të përfundonte me rrëzimin përfundimtar të qeverisë.
Dhe kjo ia prishte të gjitha planet dhe ëndrrat.
Dhe ndërkohë që po mendohej gjatë për situatën e re të krijuar, i doli përpara një shkrim i Lut Dervishit.
Pasi e lexoi 12 herë që ta kuptonte tamam, i shkrepëtinë sytë nga gëzimi dhe nisi të shkruajë mesazhin e mëposhtëm, të cilin nuk ua drejtonte demokratëve, si zakonisht, por vetë “komandantit të Përgjithshëm”:
“I nderuar shkëlqesi, Jari ju këshillon!
Sot keni në dorë më shumë se asnjëherë që të përfaqësoni dëshirat dhe aspiratat e të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.
Nuk duhet të lejoni kurrë që të bëhet shef i diplomacisë sonë, një njeri që nuk ka treguar respektin më minimal për të gjithë komandantët e përgjithshëm që ka pasur Shqipëria, që nga koha e Ramiz Alisë, e deri më sot.
Ndaj do t’ju sugjeroja shumë përunjësisht që si argumente për mosdekretimin e tij të merren të gjitha kriteret që ka renditur sot publicisti i njohur Lutfi Dervishi.
Përvec atyre, më lejoni edhe mua që të jap disa arsye shtesë, që do ta bënin të plotë rrëzimin e atij dekreti fatal për kombin.
1-Edhe kryeministri i qeverisë së krimit dhe drogës e ka mik Baton Haxhiun, njësoj si Gent Sakaj.
Do të ishte standart i dyfishtë që njëri të dekretohej, kurse tjetri jo, dhe do të ishte mesazh shumë i keq për Kosovën.
Se do të kuptohej që Batonin mund ta kesh mik po pate lindur në Shqipëri, por se kjo gjë nuk lejohet po të jesh kosovar.
2-E ka mashtruar keq dhe ia ka futur Lulit gjatë dhe pas marrëveshjes së 17 majit, duke përfituar nga dobësia e tij për lekët dhe për kunatin.
Ajo marrëveshje famëkeqe solli si pasojë një keqkuptim të madh në raportet me LSI-në, aleaten tonë strategjike, prej së cilës tani e tutje vetëm vdekja mund të na ndajë.
3-Ka treguar mungesë respekti dhe mosvlerësim për këshilltarët më të mirë të ‘komandantit të Përgjithshëm’ në kohë lufte, për zotërinjtë Qim Peka dhe Fahri Balliu.
Dhe kjo i ka sjellë një dëm të konsiderueshëm sigurisë kombëtare, sepse roli i tyre është i pazëvendësueshëm.
4-Ministri i ri i Jashtëm nuk ka origjinë alpine si Doktori dhe ‘komandanti i Përgjithshëm’, dhe kjo i vë në dyshim aftësitë e tij diplomatike, sepse nuk është mësuar që botën ta shohë nga lart si dy udhëheqësit e tjerë.
Kjo do ta vinte në pozita inferiore politikën tonë të jashtme, e cila është mësuar të diktojë dhe jo të diktohet.
5-Nuk ka mbajtur qëndrim të qartë për ngjarjet e “Shkollës së Bashkuar”, pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, në vitin 1991.
Të gjithë ne të tjerët në atë kohë e kemi shprehur qëndrimin tonë, ose pro, ose kundër.
Unë, ‘komandanti i Përgjithshëm’ dhe Fahriu kemi qenë atëherë në një linjë, kurse Doktori me Lulin nuk mendonin si ne.
Doktori ishte bërë atëherë kryetar i PD-së, kurse Luli ka thënë se shpërndante gazetën RD dhe punonte si kamarier në Rinas.
6-Nuk ka demonstruar se i tregon vendin të gjithë ambasadorëve amerikanë, përveç Rajersonit (që ishte i pari dhe nuk e njihnim sa duhej), siç ka bërë Doktori, gjithmonë në mbrojtje të interesave kombëtare.
Kjo e ka dobësuar shumë rolin e Shqipërisë në botë dhe na ka kthyer ne në një republikë qesharake, ku qeverisin guvernatorët e paemëruar.
Për të gjitha këto arsye, do t’ju rekomandoja që të mos e dekretonit kurrë si ministër të Jashtëm kryeministrin e drogës dhe të krimit, Noriegën e Ballkanit, këtë armik të egër të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
I juaji, Jari!”