Ministrja e Shtetit për Marrëdheniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se “delegacioni i PE foli troç fare duke rrënuar pikë për pikë cdo pretendim absurd për qeveri tranzitore e parlament jo legjitim”.
Teksa i bëri thirrje ish kolegëve deputetë të reflektojnë dhe të mos humbasin sipas saj më shumë se cfarë kanë humbur, ajo ka theksuar se “shtëpia e përbashkët është në BE dhe jo në oborrin e Bashës dhe Kryemadhit”.
Sipas saj, reagimet e opozitës janë “të papranueshme, reagime të ish deputetëve të opozitës që janë arratisur duke tradhëtuar zgjedhësit, por edhe nga terreni i të folurit normal. Njerëz të dëshpëruar që bëjnë gjëra të dëshpëruara, sipas tyre Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve, kurse ndërkombëtarët janë të mjegulluar”.
“Opozitën nuk e zgjedhin ne, por ne e mbajmë dorën e shtrirë ndaj saj, edhe pse sot ajo është marrë peng nga persona që e kthyen grupin në kuvend në një grup të arratisur nga detyra.
Ne e vlerësojmë mbështetjen që PE i jep vendit dhe i falenderojmë eurodeputetët, që shtëpinë e përbashkët e duan në BE jo në oborrin e Bashës dhe Kryemadhit”- tha ajo.
Sipas saj, “Mes misioneve raportuese dhe mbikëqyrëse, eurodeputetët kanë kuptuar cdo aspekt të progresit, e dinë se kemi ende shumë për të bërë por nuk impresionohen nga fabulat me skandale dhe përmbysje imagjinare, delegacioni foli troç fare duke rrënuar pikë për pikë cdo pretendim absurd për qeveri tranzitore e parlament jo legjitime.
Parlamenti dhe qeveria është zgjedhur me votë dhe problematika e tyre nuk e vë në asnjë diskutim rezultatin. Përgjimet i takojnë gjykatave jo kuvendit, bojkot dhunë dhe djegia e mandateve janë të papranueshme”.