Grupi Parlamentar i PS-së pas mbledhjes së zhvilluar sot është njohur dhe me vendimin që seanca plenare e Kuvendit do të realizohet nesër në orën 10:00.
Edhe pse opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë ditën e martë paradite, të majtët janë të vendosur të vazhdojnë me punimet normale të Parlamentit, pasi bëhet fjalë dhe për miratimin e ligjeve në funksion të ngritjes së institucioneve të reformës në drejtësi.
Gjatë mbledhjes së Grupit të Partisë Socialiste është bërë e ditur se në këtë seancë plenare do të bëhet betimi i 4 deputetëve të rinjtë, cilët pritet të marrin mandatin sot nga KQZ.
Katër deputetët e rinj do të jenë kandidatët nga radhët e LSI-së. Mësohet se në Parlament do të marrë mandatin, Ylli Shehu kandidati i LSI-së në Tirane, Aurora Mara, kandidate e LSI-së në Dibër, Enver Roshi, kandidat për deputeti i LSI-së në Elbasan dhe Edmond Rrushi, kandidat për deputet në Tiranë.
Burime pranë PS bënë të ditur se në mbledhjen e Grupit Parlamentar i është kërkuar Ministrisë së Brendshme të ketë kujdes për deputetët.
Deputetët kanë kërkuar që të t’u garantohet siguria fizike, duke qenë se në seancën e fundit ministri i Turizmit Blendi Klosi dhe deputeti i PS-s, Paulin Sterkaj u përballën me turmën e protestuesve.