Ambasada Amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje gjithë shtetasve të saj që të shmangin disa zona të kryqytetit nesër, ku do të mbahet dhe protesta e opozitës.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Ambasada njofton qytetarët amerikanë që të shmangin zonën te Kryeministria, Parlamenti dhe ndërtesat e tjera qeveritare pasi afati përmbyllës i tubimit është i panjohur ende.
Ndërkohë, ajo bën me dije se protestat e mëparshme kanë qenë të dhunshme ndaj duhet të shmanget pikat ku do të mblidhen protestuesit.
“Një demonstrim i madh pritet të zhvillohet pranë Zyrës së Kryeministrit më 8 qershor 2019, duke filluar rreth orës 7:00 të pasdites.
Grupi synon të demonstrojë kundër qeverisë shqiptare dhe mund të lëvizë në vende të ndryshme në Tiranë.
Kohëzgjatja e demonstratës së pritshme është e panjohur.
Demonstrimet e kohëve të fundit kanë përfshirë dhunën.
Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Personeli i Ambasadës së SHBA-së dhe anëtarët e familjes janë drejtuar për të shmangur të gjitha pikat e grumbullimit dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdimësi.
Ndërtesa e Parlamentit (Tiranë) Zyra e Kryeministrit (Tirana) Ndërtesa të tjera qeveritare (Tiranë)”, njofton Ambasada Amerikane në Tiranë.
Kujtojmë se opozita e bashkuar ka lajmëruar dje zhvillimin e një proteste kombëtare me qëllim rrëzimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore e cila do të përgatisë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.