Moisi Habilaj dënohet me 15 burg në Itali

19 Qershor 2019, 18:26Kronika TEMA

Dënohet me 15 vite burg në Itali për trafikun e drogës Shqipëri-Itali, Moisi Habilaj.

Sipas asaj që raporton meridionews, agjensi lajmesh në Katania, Habilaj, i njohur dhe si kushëri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri, u arrestua në tetor të vitit 2017.

Media italiane shkruan se i afërmi i politikanit, që ndodhej në paraburgim që nga tetori i vitit 2017, në muajt e fundit kishte pranuar pjesërisht përgjegjësitë e tij, duke vendosur që t’i përgjigjej pyetjeve të prokurorëve italianë dhe shqiptarë.

Avokatët e tij mbrojtës, Giuseppe Ragazzo dhe Maria Caltabiano, thanë në seancë gjyqësore se Moisi Habilaj ka pasur rol të thjeshtë në këtë organizatë kriminale, atë të transportuesit. Dhe për këtë arsye, ata kërkonin që mbi Habilajn mos të rëndonte edhe akuza e kreut të grupit.

Drejtuesi tjetër i bandës, italiani Antonino Riela u dënua me 14 vjet burg ndërsa Meridian Sulaj mori tetë vjet e katër muaj e Nezar Seitaj mori shtatë vjet e pesë muaj burg.

Vëllai i Moisiut, Florian Habilaj, vijon të jetë i shpallur në kërkim që nga tetori i vitit 2017, ndërsa të paarrestuar nga policia janë edhe tre ish-drejtues të policisë së Vlorës të akuzuar nga prokuroria shqiptare për trafik ndërkombëtar droge.

Habilajt bënë bujë në arenën politike shqiptare në tetor 2017, pasi policia italiane mbylli një operacion katërvjeccar përgjimi me arrestimin e një dyzine personash të dyshuar, shqiptarë dhe italianë dhe i akuzoi ata për trafikimin e tonelatave marijuanë nga Shqipëria për në Itali.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje