ANALIZA: Cila do të jetë e ardhmja e seksit?

4 Korrik 2019, 11:50Lifestyle TEMA

Nga Brandon Ambrosino*

Pse bëjmë seks?

Shumë nga përgjigjet tona ndoshta përfshijnë një referencë për riprodhimin. Seksi është mënyra kryesore falë së cilës bëhen foshnjat.

Por çfarë mendimi do të kishim për seksin nëse nuk do të kishte të bënte fare me riprodhimin?

Që nga lindja e “foshnjes së parë në botë nëpërmjet tubit” në vitin 1978, rreth 8 milionë njerëz kanë lindur nëpërmjet procedurës IFV.

Dhe numri mund të rritet më shumë në të ardhmen, pasi mjetet tona për të identifikuar rreziqet gjenetike në embrion bëhen më të sofistikuara.

“Parashikimi im është që në të ardhmen njerëzit do të vazhdojnë të kenë marrëdhënie seksuale – por jo aq shpesh për qëllimin lidhur me foshnjat”, thotë Henry T Greely, autori i “Fundit të seksit dhe të ardhmes së riprodhimit njerëzor”.

“Pas 20 deri 40 vitesh, shumica e njerëzve në mbarë botën me mbulim të mirë shëndetësor do të zgjedhin t’i pordhojnë embrionet në laborator”.

Libri i Greely eksploron disa nga sfidat ligjore dhe etike me të cilat ballafaqohet shkenca e diagnozës gjenetike të preimplantimit (PGD).

“Si shumica e gjërave, fillimisht do të ketë një reagim negativ të brendshëm, por me kalimin e kohës fëmijët [të lindur nëpërmjet PGD] do të vërtetojnë se nuk kanë dy koka apo ndonjë bisht”, publiku jo vetëm që do fillojë të jetë më tolerant, por do të preferojnë të riprodhohen jo seksualisht.

Dhe në atë botë – një botë ku foshnjat bëhen në laborator; ku shtatzënia nëpërmjet marrëdhënieve seksuale zgjidhet vetëm nga një pakicë e grave; ku etika seksuale nuk ka të bëjë fare me mundësitë prodhuese – çfarë do të thotë seksi?

“Çfarë është seksi?”

Kjo është një pyetje që shtron David Halperin në një ese provokative me të njëjtin emër. Seksi, sipas arsyetimeve, gjithmonë duhet të ketë një arsye.

Arsyetimi i tillë nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Në fund të fundit, të jesh njeri do të thotë të jesh kureshtar, intelektual dhe emocional.

Përjetimi i seksit dhe teorizimi rreth asaj se çfarë mund të nënkuptojë, duket shumë e natyrshme.

Biologjikisht, ekzistojnë shkaqe të dukshme për seksin njerëzor. Ne kemi marrëdhënie seksuale, sepse plotësojnë nevojat biologjike, duke përfshirë nevojën për t’u riprodhuar dhe lidhur.

Në të vërtetë, këto janë dy gjëra që na janë përcjellë nga tradita perëndimore, të cilat janë të organizuara rreth një telos, ose qëllimi përfundimtar.

Ishin stoikët ata të cilët, duke u përpjekur të frenonin vetë-kënaqësinë, u përpoqën të futnin seksin në një skemë të kuptimit: kënaqësia prej seksit ishte pozitive për aq kohë sa ishte për qëllime riprodhimi.

Kjo etikë ka vazhduar rrugën e saj në traditën e krishterë, përmes Augustinit, dhe vazhdon të ketë ndikim të madh në Perëndim.

Sipas kësaj kornize, seksi është etik kur praktikohet kryesisht për riprodhim.

Në të vërtetë, libri biblik Kënga e Solomonit manifeston seksin e egër, të pasionuar, erotik sipas kushteve të veta, midis dy të dashuruarve – jo midis një burri dhe një gruaje, siç u interpretua nga komentatorët e mëvonshëm të krishterë gabimisht.

Pse-ja tjetër e rëndësishme rreth seksit vjen nga Aristoteli, siç thekson Halperin.

Në Prior Analytics nga shekulli IV para Krishtit, filozofi grek ofron silogjizmin e mëposhtëm:

“Të duash, pra, është e preferueshme në marrëdhënie, sipas natyrës së dëshirës erotike.

Dëshira erotike, atëherë, është më shumë një dëshirë për dashuri, sesa për marrëdhënie seksuale.

Nëse është më së shumti për këtë, ky është edhe fundi i saj.

Marrëdhëniet seksuale, pra, ose nuk janë një fund, ose janë vetëm për hir të dashurisë “.

Për Aristotelin, siç shpjegon Halperin, “Dashuria është pasoja e dëshirës erotike. Nuk është dashuria që synon seksin si qëllim të saj … Është seksi që synon dashurinë.”

Arsyeja e vërtetë që kemi seks, sipas provave të Aristotelit, nuk është sepse duam të bëjmë seks, por sepse duam të duam dhe të na duan. Seksi ka të bëjë me diçka më të lartë, diçka më fisnike.

Ashtu si shumë njerëz, Aristoteli e pranon që seksi dhe dashuria shkojnë krah për krah – por ai kurrë nuk kërkon të demonstrojë qëndrueshmërinë e këtij supozimi.

Ajo që tregon ai, megjithatë, të paktën siç e lexon Halperin, është se “seksi nuk është qëllimi përfundimtar i dëshirës erotike”.

Dhe nëse është kështu, atëherë Halperin mendon se pyetja më interesante nuk ka të bëjë me lidhjen midis seksit dhe dashurisë, por lidhjes së habitshme midis seksit dhe dëshirës erotike.

Nëse Aristoteli është i saktë, atëherë seksi nuk ka asnjë qëllim erotik – qëllimi i vërtetë i tij qëndron diku tjetër.

Me pak fjalë, seksi në të vërtetë nuk ka lidhje fare me seksin.

Po atëherë pse bëhet seks? Për pasardhës, sigurisht. Edhe lidhjen.

Por këto janë vetëm dy nga shumë përgjigje të mundshme.

Ashtu si shumë fenomene kulturore, seksi e tejkalon pse-në. Mendoni për ushqimin.

Nga këndvështrimi i mbijetesës, ka kuptim që ne të hamë së bashku – në fund të fundit, ishte e dobishme për paraardhësit tanë të bashkonin burimet e tyre (më shumë për grupin tonë do të thotë më shumë për mua).

Por, kur kalojmë nga ato gjëra tek kultura bashkëkohore e kuzhinës – gatime me copa ari, llogaritë e ushqimit në Instagram, rrjetin e gatimit, orët e lumtura me kolegët- bëhet sa vjen e më e vështirë për të përcaktuar qëllimin e saktë të marrëdhënies sonë me ushqimin.

Dallimi mes nesh dhe shumë kafshëve jo njerëzore është se ne rregullisht kënaqemi duke bërë gjëra të padobishme.

Ne i bëjmë ato sepse pjesëmarrja në aktivitete të tilla na sjell kënaqësi – gjë që na largon nga çdo “pse”.

Është e mundur, shkruan Halperin, se “akti i seksit ka kuptim vetëm kur nuk ka kuptim”.

Ndoshta është koha për të pranuar se kënaqësia është arsyeja kryesore që shumica prej nesh – duke përfshirë edhe më të devotshmit mes nesh – bëjnë seks.

Dekadat e fundit i kanë zbehur pak idetë që seksi duhet të jetë vetëm për qëllime specifike.

Pilula kontraceptive ishte revolucionare në këtë front, duke i dhënë disa njerëzve shumë arsye për t’u frikësuar.

Në artikullin e 1968 Readers Digest, autori Pearl Buck tha: “Gjithkush e di se çfarë është pilula. Është një objekt i vogël – megjithatë, efekti i tij potencial mbi shoqërinë tonë është shumë më shkatërrues sesa bomba bërthamore”.

Ashtu si idetë e shumë konservatorëve, argumenti i Buck duket i bazuar në një histeri se seksi pa “pse” sinjalizonte fundin e qytetërimit.

Për këta njerëz, i ashtuquajturi revolucion seksual ishte fajtori për pikëpamjet moderne mbi praktikat seksuale.

Ndryshimet gjithëpërfshirëse në perceptimet publike të seksit që filluan në vitet ’60 janë vërejtur nga studiuesit.

Në një hulumtim të vitit 2015, Jean M Twenge, një profesore e psikologjisë në Universitetin Shtetëror të San Diego, shqyrtoi qëndrimet amerikane ndaj seksit nga vitet 1970 deri në vitin 2010.

Përfundimi i saj: “Midis viteve 1970 dhe 2010, amerikanët u bënë më mendjehapur për seksin jo-bashkëshortor”.

Në përputhje me gjetjet e hulumtimeve të kaluara mbi rëniet në orientimin fetar dhe rritjen e tipareve individualiste, më shumë amerikanë besojnë se seksualiteti nuk ka nevojë të kufizohet nga konventat shoqërore.

Brezat e fundit janë gjithashtu duke këmbëngulur në këtë besim, duke raportuar një numër shumë më të lartë të partnerëve seksualë dhe më shumë seks rastësor, sesa ata që kanë lindur më parë në shekullin e 20-të.

Twenge vë në dukje se brenda një popullsie, qëndrimet mund të ndryshojnë ende për shumë arsye (varësisht nga mosha, raca, seksi, besimet fetare etj.)

Por hulumtimi tregon se ” kanë ndodhur ndryshime kuptimplota ndër gjenerata rreth sjelljeve seksuale ” me kalimin e kohës.

Pikëpamjet tona mbi seksin, pra, janë produkt i vendndodhjes sonë në një kohë dhe vend të caktuar.

Etika jonë seksuale nuk është e përjetshme: ajo evoluoi dhe do të vazhdojë të zhvillohet. Ndoshta shumë më shpejt se sa pritet.

Çfarë është e natyrshme?

Ashtu si çdo fenomen njerëzor, aktiviteti seksual erdhi nga diku.

Ne kemi arritur tek praktikat tona seksuale, qëndrimet dhe etika nëpërmjet një udhëtimi të gjatë nga kafshët që na paraprijnë, një udhëtim që shkon prapa në jetën më të hershme në univers.

Por edhe nëse përqendrohemi në speciet tona, gjejmë shumë dëshmi se disa ide tradicionale rreth seksit janë më pak të natyrshme sesa menduam.

Për shembull një predikues evangjelist amerikan që dënon homoseksualitetin.

“Nuk duhet t’ju kujtoj se dy burra nuk duhet të jenë së bashku. Edhe kafshët e fermës e dinë këtë”!

Ajo që pastori po argumentonte ishte se homoseksualiteti është i panatyrshëm, prandaj kafshët nuk e praktikojnë atë.

Me përjashtim të disave. Makakët japonezë, mizat e frutave, brumbujt e miellit, albatrosët, delfinët e dobët – këto janë vetëm disa nga më shumë se 500 specie në të cilat respektohet homoseksualiteti, siç ka shkruar Melissa Hogenboom për BBC.

Për të qenë të sigurtë, kafshët nuk identifikohen si homoseksualë, por as si jo-homoseksualë. Që na sjell në faktin jashtëzakonisht të dukshëm, por rrallë të parashikuar – që njerëzit, të paktën për shekullin e fundit, kanë përcaktuar veten në bazë të llojit të seksit që bëjnë.

Seksi heteroseksual ka diçka; në mënyrë specifike, kuptimi i saj është ndërtuar në kundërshtim me seksin homoseksual.

Nëse doni të kuptoni se çfarë kuptimi ka, atëherë mund të filloni duke i bërë vetes një pyetje që Jonathan Ned Katz paraqet në Shpikjen e Heteroseksualitetit:

“Interesat e kujt janë përmbushur nga ndarja e botës në heteroseksualë dhe homoseksualë?”

Ajo që është interesante është të mendoni se për sa kohë do të vazhdojë linja hetero / homo.

Një studim i vitit 2019 JuGov zbuloi se pothuajse katër në dhjetë veta ditët e sotme nuk identifikohen si “plotësisht heteroseksualë”.

Kjo ndoshta thotë më pak për ndryshimin e orientimeve seksuale sesa për ndryshimin e kuptimit të këtyre orientimeve.

Ta themi thjesht, është ndoshta më pak e rëndësishme sot se sa ishte tre dekada më parë për të përcaktuar identitetin e dikujt në bazë të aktivitetit seksual.

Në një botë ku orientimi dhe aktiviteti i gjinisë së njëjtë gjerësisht pranohet të jetë një varietet i shëndoshë dhe natyral i seksualitetit njerëzor, nuk është më edhe aq e rëndësishme të formohet një identitet publik i bazuar në praktikat seksuale.

Gjithësesi kjo nuk do të thotë se seksi homoseksual nuk ka një pse: mund të ketë shumë qëllime, duke përfshirë, natyrisht, dashurinë.

Por kultura homoseksuale, historikisht, ka qenë më e hapur ndaj idesë se nuk mund të ketë gjithmonë një arsye, dhe se nuk është gjithmonë nevoja për të gjetur një të tillë.

Fatmirësisht, kundërshtimi ndaj homoseksualitetit vazhdon të bjerë.

Një studim i kryer nga Instituti Williams në UCLA School of Law shikonte ndryshimin e qëndrimeve të njerëzve në 141 vende.

Tetëdhjetë, ose 57% e atyre vendeve kanë parë një rritje në pranimin e personave LGBT midis viteve 1981 dhe 2014.

Nuk janë të gjitha lajme të mira: ndërsa studiuesit zbuluan se vendet tolerante (Islanda, Holanda, Suedia, Danimarka, Andorra , dhe Norvegjia) janë bërë më tolerante me kalimin e kohës, vendet më pak pranuese (Azerbajxhani, Bangladeshi, Gjeorgjia, Gana) janë bërë edhe më jotolerantë.

Ndërsa qëndrimet e njëtrajtshme të homoseksualëve nuk duhet të anashkalohen, është e rëndësishme të kujtojmë se shumica e vendeve të studiuara tregojnë një tolerancë më të madhe për homoseksualitetin.

Ka shumë arsye për pranimin e gjerë të homoseksualitetit, duke përfshirë portretizimin pozitiv në media të personave LGBT, mbështetjen publike të organizatave mjekësore dhe psikologjike, si dhe faktin se shumica e njerëzve njohin personalisht persona LGBT.

(Është më e vështirë të besohet se njerëzit homoseksualë duan të shkatërrojnë qytetërimin kur një prej tyre mund të jetë mësuesi juaj i pianos, ose luleshitësi, ose zjarrfikësi lokal.)

Sigurisht, njerëzit homoseksualë nuk janë gjithmonë shembuj të një etike seksuale të pastër.

Komunitetet meshkuj homoseksualë vazhdojnë të adhurojnë lloje të veçanta trupash (muskulorë për shembull), që dërgojnë mesazhin se ata që nuk i përmbushin këto standarde estetike (shumica prej nesh) janë më pak të denjë sesa ata që i përmbushin.

Por, pavarësisht nga këto të meta, kultura homoseksuale është duke i ofruar botës mënyra të reja të menduari për etikën seksuale – mënyra që nuk përfshijnë lindjen, martesën, ose dashurinë apo edhe marrëdhëniet monogame.

Thjesht merrni parasysh një studim të vitit 2005, i cili zbuloi se 40% e çifteve homoseksualë mbështesin marrëdhënie të hapura krahasuar me 5% të çifteve hetero.

Nëse këto lloj përvojash seksuale me të vërtetë bëhen normë – siç sugjerojnë disa – do të jenë homoseksualët ata që e hapën atë derë.

Ndoshta disa heteroseksualë mund të hidhërohen nga këto ide, por është e vështirë të pretendosh se kultura e tyre ka një nivel të lartë moral në çështjet seksuale.

Siç kam shkruar më parë, kultura popullore në vitin 2019 është e mbushur me rastet e marrëdhënieve dhe martesave jofunksionale të heteroseksualëve.

Gjatë viteve, futuristë të ndryshëm kanë parashikuar se cila do të jetë e ardhmja e seksit.

Nga pornografia virtuale dhe kontakti i njeriut në largësi, e ardhmja e seksit do të jetë më dixhitale, më sintetike, më pak organike, më pak e çrregullt.

Por, ndërsa e ardhmja pa dyshim do të sjellë ndryshime të mëdha teknologjike, duhet gjithashtu të mendojmë se disa nga ndryshimet më të mëdha në të ardhmen do të përfshijnë ide të reja.

Do të ketë ide të reja rreth riprodhimit. Që nga viti 1978, më shumë se tetë milionë foshnja kanë lindur përmes IVF.

Ky numër është vendosur të rritet në mënyrë drastike sa më shumë të zhvillohet teknologjia.

Kontrolli i lindjes dhe kontraceptivët kanë qenë gjithashtu një ndihmë për seksin.

Nëse parashikimet e Greely për PGD janë të vërteta, atëherë në një moment brenda katër dekadave të ardhshme, do të ketë një ndryshim drastic kur bëhet fjalë për lindjen e foshnjave.

PGD do të bëhet “i lehtë” (i arritshëm dhe i përballueshëm) falë zhvillimeve në gjenetikë dhe hulumtimit të qelizave staminale.

Ja se si Greely përmbledh kërkimin në The Guardian:

“Ciftet që vizitojnë klinikat për të bërë të mundur ardhjen në jetë të një fëmije do të marrin informacion mbi 100 embrione të krijuara nga qelizat e tyre, të gjeneve që parashikojnë të ardhmen e tyre …

Pastaj ata do të zgjedhin embrionet që do të vendoset në barkun e nënës për shtatzëninë dhe lindjen e mundshme”.

Do të ketë ide të reja për monogaminë dhe angazhimin në marrëdhënie.

Të kesh një partner seksual për gjithë jetën, duket si një gjë e lehtë, kur jetëgjatësia është më e ulët.

Por, jetëgjatësia e jetës për njerëzit është në rritje. Nga 1960 deri në vitin 2017, mesatarja u rrit me 20 vjet.

Deri në vitin 2040, vlerësimet thonë se jetëgjatësia e jetës do të zgjatet më shumë se katër vjet.

Ky është një numër konservativ për disa futuristë.

Steven Austad, për shembull, beson se njeriu i parë që do të jetojë deri në 150 vjeç, do të ketë lindur para vitit 2001.

Sa realiste është që dikujt t’i kërkohet të kufizojë veten ose të afërmin e tij me vetëm një partner seksual për 130 vjet?

Edhe tani, shkalla e divorcit dhe rimartesat vazhdojnë të rriten.

Sipas një studimi të Pew 2013, katër në 10 martesa amerikane përfshijnë rimartimin e të paktën njërit nga pjesëtarët e ish-çiftit.

Ndoshta, me pritshmëritë më të gjata të jetës, “deri sa vdekja të na ndajë” do të ndalojë së qeni synimi ynë.

Do të ketë ide të reja për identitetin seksual. Nëse seksi nuk është gje tjetër veçse seks; nëse fëmijët nuk tallen për një orientim seksual “të ndryshëm”; nëse lind një proces në një laborator; a mund të ndjehen të lirë njerëzit të kenë marrëdhënie seksuale me burra dhe gra sipas dëshirës?

Apo a mund të jenë rehat duke kultivuar dëshirat e tyre seksuale? A është koncepti i orientimit seksual dhe i identitetit i lidhur me një nocion arkaik të riprodhimit?

Në të ardhmen, a do të dëgjohen fjalë si “heteroseksual” dhe “homoseksual” vetëm në klasën e historisë?

Ndoshta seksi gjithmonë do të jetë për diçka – por do të jetë për një “kush”, jo për një “çfarë”.

Do të jetë për ne, njerëzit, të cilët e gëzojnë atë.

Kuptimi i seksit nuk do të ekzistojë po vetëm kënaqësia e njerëzve – kënaqësia e ndjesisë fizike, e lidhjes sociale, e eksperimentimit.

Në të ardhmen, kuptimi i seksit do të jetë vetëm seks.

*BBC-Përshtati në shqip për TemA: Diona Çeço

2 komente në “ANALIZA: Cila do të jetë e ardhmja e seksit?”

  1. era! says:

    HA NJE MUT–PO NUK TE MJAFTOI MUND TE HASH EDHE DY APO EDHE TRE ………IDIOT NOTERIK!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

  2. Rrumpalla says:

    Dakort që do tu bëja më fertilizim artificial, po nga kjo gjë evolucioni do bëjë që seksi mos përdoret për riprodhim por vetëm për qejf. Po kur njerëzit për të shpëtuar humanoidët do të udhëtojnë në toka të reja, si do ta bëjnë për riprodhim. Do marrin doktor gjinekolog më vete? Shum studim i zgjuar dhe i goditur.?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje