28 për qind e familjeve shqiptare kanë vështirësi në pagesën e faturave mujore, të tilla si uji, dritat, qira etj për gjatë vitit 2018, sipas gjetjeve të Barometrit të Ballkanit të këtij viti.
Anketa që përfshiu familjet në të gjitha vendet e Ballkanit evidentoi se në Shqipëri përqindja e familjeve që nuk përmbushin detyrimet për shlyerjen e faturave të dritave dhe të ujit është më e madhe se në çdo vend tjetër, madje edhe më e madhe se në Kosovë, e cila për nga niveli i jetesës është në nivele të krahasueshme.
Madje Bosnja dhe Kosova u renditën ndër vendet me më pak vështirësi për përballimin e faturave mujore përkatësisht me nga 9-17% secila. Në Maqedoni shihet se 19 për qind e familjeve e kanë këtë vështirësi, ndërsa në Malin e Zi 20 për qind e tyre.
Pas Shqipërisë nivelin më të lartë të familjeve që nuk i përballojnë faturat e ka Serbia me rreth 23 për qind të familjeve, raporton Monitor.
Sipas anketës numri i familjeve në vështirësi për të paguar faturat mujore erdhi në ulje në raport me vitin 2017, por gjithsesi janë nivel shumë më të lartë se mesatarja Rajonale.
Gjetja e anketës materializohet edhe në arkëtimet e OSHE-së, ku për rreth 24 për qind e energjisë që hidhet në rrjet nuk merret asnjë pagesë.
Çmimet e energjisë u rritën pesë vite më parë me rreth 20 për qind. Teksa Shqipëria ka çmimet energjisë për konsumatorët në nivelet më të larta rajonale, i ka të ardhurat për frymë në nivelet më të ulta.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë periudhës 2012-2017, të ardhurat për frymë të Shqipërisë u rriten me 700 euro, nga niveli 3300 euro arritën në 4000 euro për frymë.
Rritja më e madhe neto e të ardhurave për frymë ka ndodhur në Malin e Zi. Niveli i tyre, nga 5100 euro në vitin 2012 arriti në 6900 euro në vitin 2017, duke u rritur me 1800 euro. Kjo vlerë ishte gati sa dyfishi i rritjes neto të të ardhurave për frymë se në vendet e tjera të Ballkanit. Më pas, për rritjen më të lartë vjen Maqedonia, të ardhurat për frymë të së cilës u rritën me 1100 euro gjatë 2012-2017. Gjithashtu Serbia dhe Bosnja raportuan rritje të njëjtë të ardhurash për frymë, me 900 euro për periudhën në fjalë.
Ne vend te hapen fabrika dhe shkolla inovacioni ketu tek ne hapen xhami dhe hallal