Trukime, shitje ndeshjesh, dënim shëmbullor, baste, penalizim, vendim i prerë… Para pak kohësh, analisti i njohur politik, z. Afrim Krasniqi, shprehu një shqetësim të ndjerë: Ndryshoni emrin e këtij ekipit të futbollit, se po na e marrin Heroin tonë Kombëtar, për bastexhi e bixhozxhi…-tha Krasniqi.
Dhe ka plotësisht të drejtë… Skënderbeu (ekipi i futbollit) është dënuar nga gjithë Komisionet e mundshme të qeverisë së futbollit evropian (UEFA-s) me 10 vjet mos-pjesëmarrje në aktivitetet e veta dhe me 1 milion euro gjobë. Për UEFA-n (i vetmi institucion që organizon kupat e Evropës), ekipi i Skënderbeut ka trukuar si askush më parë në aktivitetin e saj.
Ajo e organizon aktivitetin, ajo përcakton regullat, ajo gjen ata që shkelin regulloren e lojës dhe ajo penalizon në fund të fundit, bazuar në një sistem që e ka ngritur vetë dhe gjithë anëtarët e saj, e kanë votuar (përfshi këtu edhe FSHF-në).
Kjo është historia… Cili mendon, apo pretendon, që UEFA i ka rënë në qafë, shkon në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, bën ankimimin dhe apelimin e çështjes dhe nëse fiton, mund t’i hakërrehet edhe vetë UEFA-s (si në rastin e Shqipërisë me Serbinë, që pastaj shkoi deri në Evropian), por në rast se humbet në CAS, je fajtor dhe kaq…
Nëse gjithë shkallët e drejtësisë sportive kanë konfirmuar që Skënderbeu i futbollit ka trukuar ndeshje, kjo është një këmbanë e fortë për Katedralen e Korçës, që normalisht duhet të dëgjohet mirë deri në zyrat e Bashkisë.
Kur thua Korçë, ke thënë shumë… Ke thënë qytetari, ke thënë shkollën e parë shqipe, ke thënë pastërti e edukatë, kë thënë teatër, ke thënë kulturë, ke thënë muze, ke thënë pazar, ke thënë serenatë, e çfarë nuk ke thënë… Të gjitha të mbushin shpirtin vetëm me ndjesi pozitive, emocion e mirësi…
Po futbolli?! Po kjo historia e vonë e trukimeve, fiksimeve të rezultateve sportive, dënimeve 10 vjeçare, çfarë lidhje kanë me ato u përmendën më sipër?! Po ça lidhje kanë, qoftë edhe me Jani Kaçin e madh…?!
Prandaj z. Filo, përveç pastrimit të qytetit nga plehrat e përditshme, duhet të mendosh të pastrosh edhe emrin e ekipit të futbollit… Duhet ta rikthesh futbollin, aty ku qëndrojnë ato vlerat dhe meritat, të cilat ai qytet i gëzon dhe i ka fituar gjatë gjithë historisë së vet…
Nuk mund të fshiheni edhe Ju z. Kryetar pas historive me “diversantë”… Korçarët e dinë mirë, mjafton të flasësh me ta, pa kamera e mikrofonë dhe t’i thonë të gjitha…
Se si do tja bësh z. Sotiraq, ti e di… Prandaj të kanë zgjedhur aty… Filloje me titujt “Qytetar nderi” të Korçës, sepse po bën pis figurat e tjera, të cilët e mbajnë këtë nderim me meritë, për punën e sakrificat që kanë bërë për atë qytet…
Bëj diçka Sotiraq, vepro… Ndryshe do mbahesh mend si Kryetari i Bashkisë që njollosi emrin e të madhit SKËNDERBE… (TemA)