Vdekja e ngadaltë e Liqenit të Shkodrës

27 Korrik 2019, 18:16Sociale TEMA

Nga Ardian Ndreca

Para pak ditësh na gëzoi pa masë lajmi se edhe pjesa shqiptare e Liqenit të Ohrit ma në fund u njoh si visar i UNESCO-s. Pjesa maqedonase ishte shpall e tillë qysh në të largtin vjetë 1979. Padyshim merita e kësaj arritje, sado të vonë, i takon shumë aktorëve që kanë punue ndër vite, ndoshta të parët janë misët e Drejtorisë Rajonale përkatëse që kanë kujdesue pjesën ma substanciale të çeshtjes.

Aq sa na vjen mirë për Ohrin aq na vjen keq për Liqenin e Shkodrës, i braktisun prej disa dhjetëvjeçarësh në nji degradim total, ku spikasin ndërtimet pa kriter që kanë shëmtue peizazhin dhe kanë rrezikue ekosistemin. Ky mjerim shoqnohet me damtimin e randë të faunës ujore për shkak të gjuetisë me landë eksplozive dhe me korrent elektrik. Nuk mungon as ndotja mjedisore dhe lanja mbas dore e ambjenteve të dikurshme të plazhit, e aty ku s’ka ndërhye arbitrarisht njeriu ka përparue egërsia e natyrës tue e pushtue kudo me vask dhe lapagretha.

Nuk na intereson edhe aq se kush e ka fajin për këto zymtsina që të sheh syni, randësi ka që të kthehet fleta dhe të nisin nji kapitull i ri, gja e mundun kjo edhe për rrokadën e politikës vendore.

Krejt zona e liqenit e deri nalt në Bjeshkët e Nemuna ka randësi të veçantë dhe po të punohej me pasion tue bashkëpunue me palën malazeze, besoj se mbrenda pak vitesh mund të arriheshin rezultate të atilla sa me ia paraqitë edhe UNESCO-s me shpresën e arsyeshme që me gjetë vemendjen e kësaj organizate.

Me randësi ka qenë edhe tradita e ndërtimit të mjeteve lundruese, lundrat, taket, sulet kanë qenë krenaria e liqenit për shekuj, ndërsa sot janë zëvendsue me mjete të shëmtueme llamarine, rruga ma e shkurtë për njerëz që nuk kanë rranjë dhe s’e duen traditën. Dikur Faik Konica shkruente për të se asht si nji  “detë i vogël i rrahur tej e këtej me lundra të motshme sa Shkodra e në anë të cilit gjallojnë malësore të rreptë”. Nga ana tjetër, sot në liqen nuk ekzistojnë lidhje të transportit turistik as me lokalitetet e brendshme e jo ma me pjesën e Malit të Zi. Fauna e liqenit asht tepër e pasun me rreth 50 specie, 18 prej të cilave janë endemike. Ndër 270 speciet e zogjve që ka liqeni i Shkodrës, pelikani kaçurrel (pelecanus crispus) asht nji pasuni e rrallë që gjen strehë në atë zonë prej shekujsh, aq sa dikur shirokasit e quenin laradashi. Edhe flora e liqenit e deri nalt në bjeshkët e Malsisë së Madhe dhe të Dukagjinit asht tepër e pasun aq sa e gjithë kjo trevë mund të konsiderohet me interesë të veçantë fitologjik. Botanisti bolonjez Antonio Baldacci pat zbulue në Malin e Parunit me 14 korrik 1897, në shpatet e Rrjollit, të famshmen Wulfenia Baldaccisiç do ta pagëzonte mbas pak vitesh kolegu i tij hungarez Árpad von Degen. Bahet fjalë për nji ndër katër llojet e kësaj bime endemike e të izolueme që përposë vendit tonë asht zbulue edhe në Kärtnen, Himalaja dhe në Siri.

Edhe botanisti tjetër në za, austriaku Ignaz Dörfler, në katër ekspeditat e tija, ndër të cilat ma të famshmet dy të fundit të viteve 1914 e 1916, zbuloi në bjeshkët e Kelmendit nji lloj të panjohun të familjes së violaceae-ve, që u quejt Vjollca e Skandërbegut (viola Scanderbegii). Në vitin 1916 Dörfler mbërriti me gjetë në Qafën e Shtogut ekzemplarë të Wulfenia Baldaccii. Sot askush nuk ia ven ma veshin këtyne gjanave, por flasim për zbulime aq sensacionale në lamijen e fitologjisë sa që mbahet mend për shembull se Fritz Lemperg vërejti rishtas W. Baldaccii në Shtegun e Dhenve në afërsi të Bogës në datat 16 dhe 20 qershor 1934 në nji ekspeditë ku merrte pjesë edhe etnologu Rrok Zojzi dhe gjuhëtari Ndue Paluca.

Ndërsa Dörfler, i cili ka ba zbulime me randësi edhe në zonën e Shkupit, zbuloi gjithashtu edhe boshtrën (Forsythia europaea) e cila e marrun asokohe prej atyne maleve sot zbukuron lulishtet e Europës. Prej udhtimeve të këtyne botanistëve, por edhe tjerëve, si Árpad von Degen, Franz Schütt, Fritz Lemperg, Friedrich Markgraf dhe studimeve të August von Hayek (ati i ekonomistit të shquem Friedrich von Hayek), edhe dashamiri i thjeshtë i botanikës ka sot mundësi me krijue idenë e pasunisë së florës së asaj zone. Ndër llojet ma interesante që ndeshen, veçojmë: Cytisus albanicus, Astragallus illyricus, Lilium albanicum, Cistus albanicus, Viola Scanderbegii, Iris illyrica, Wulfenia Baldaccii, Gentiana lutea etj. Kjo e fundit e merr emnin prej mbretit taumaturg Gencit dhe ka veti tonike e antiaritmike të njohuna, por edhe Iris illyrica asht e njohtun qysh në antikitet për tregtinë e rizomave që banin ilirët me grekët dhe me romakët. Rizoma, dëshmojnë shkrimtarët antikë, ndër ta edhe Teofrasti, mblidheshin në gusht dhe mbasi thaheshin baheshin topa të vegjël që përshkoheshin në pé dhe shiteshin për përdorim parfumues.

Në malsi ndeshim edhe bimën ma të çmueshme që rritet në Europë, Crocus sativus, safranin, i cili ka nji vlerë të madhe tregut po të merrej kush me të. Në fakt nji gram i pistilit të kësaj bime kushton deri në 60 euro dhe nëse dikush do t’ia hapte sytë banorve të atyne zonave, askush nuk do të merrej ma me cannabis sativa apo do të vuente për bukë.

Për degradimin e territorit nuk ka vetëm nji fajtor, asht nji vistër përgjegjësish: OJF-të e ndryshme që thithin fonde europiane pa prodhue asgja konkrete përposë broshurave, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit me licencat e pafundme që ka dhanë për peshkim, Agjensia Rajonale apo Bashkia e Shkodrës që asht në letargji të kahmotshme në këtë drejtim.

Edhe pse lëvdohet me të drejtë natyra shqiptare, krahasimeve pështjelluese me Zvicrën apo me Norvegjinë i ka dalë boja tashma, mjerisht banorëve të viseve tona u mungon qytetnia e duhun me respektue natyrën. Politika jonë në nji shekull shtet shqiptar ka ba dhe vijon me ba shumë pak. Për fatin tonë të keq në këto njiqind e sa vjet kena pasë shumë adhuruesa të molovit dhe pak dashamirësa të natyrës e kjo e fundit këtë gja e ka ndie dhe ka reague. Natyra jonë asht fisnike, ndërsa ne kemi mbetë barbarë dhe të paqytetnuem kundrejt saj. Kemi ba madje hapa mbrapa, pse barbaria jonë ka përparue, ndërsa qytetnimi asht leskra-leskra. Mjaft me mendue se në dy emisione filatelike të Postave shqiptare kushtue Wulfenies, njena në kohën e komunizmit dhe tjetra mbas ramjes së tij, emni i bimës asht i shkruem gjithnji gabim!

Para gadi 100 vjetësh Hellmut Bertram e niste përshkrimin e tij të bimëve dhe landëve tue nisë prej “Miletbahçes”, lulishtes popullore. Sot llojet janë aq të pakta sa mjaftojnë dy rreshta me i përshkrue, ndërsa na ka mbulue betoni dhe për ma keq betoni i derdhun për me ndërtue të shëmtuemen jo të renë dhe modernen. Do të ishte diçka elementare që në lulishtet e Shkodrës me gjetë bimët që renditëm ma nalt, me përshkrimet dhe me historikun e zbulimit të tyne, nji mini-kopsht botanik për nxansat e shkollave por edhe fillimin e nji dokumentacioni bazë për UNESCO-n.

Nëse ne vetë nuk besojmë tek vetja as të huejt s’kanë me na marrë kurrë seriozisht e këta të fundit na gjykojnë edhe prej emisioneve filatelike me gabime trashamane e edhe prej pasionit idiot për bombat molotov.

17 komente në “Vdekja e ngadaltë e Liqenit të Shkodrës”

  1. Detari says:

    fajin sja u ka shteti por vet ju populli dembel

  2. sunitet nuk bejne shtet,lloji i kafshes......... says:

    po c’llogace[liqen] e Shkodres thua more i vrare se po degradon!?
    ketu per pak dekada do te shkoi per lesh gjithe vatani,keta jane azeret shqipfoles kshq nuk mund te ndodh ndrishe………..gezuar ramazonin!

  3. hako says:

    Ka kohe qe nuk kemi lexuar nje artikull te shkruar me kaq perkushtim.Respekte.

  4. MH says:

    Para sa viteve Liqeni u quejt pasuni kombetar.
    Nga kjo sikur po bahesh pune serioze per ta patur ne mbikqyrje ne gjithe drejtimet.Sidomos ne kontrollin e gjuajtjes se peshkimit me mjete jo te profesionit te gjojes por me korrent e dinamit.
    Ne liqenin e Shkodres ka ekzistue nji lloj peshku nga pamja i ngjashem me peshkaqenin e ky peshk quhesh Bli-ni.Ka shume e shume vite qe nuk ekziston ma ne liqen.

  5. Kevin says:

    Përdor gjuhën letrare o zotëri.

  6. "BOHOTINA" says:

    Ardian Ndreca te falenderoj me zemer. Ke fole per nje problem kaq te madh. E lexova se me terhoqi qe ne fillim. Me hape horizont per gjera qe nuk i dija se jane jashte profilit tim, por jam i qete se nuk kam keputur asnje dege. Shkurt artikull i mrekullueshem qe te ka folur zemra dhe jo xhepi dhe buzet. Bravo.

  7. Artan says:

    Shume interesante. Respekt

  8. Helidon says:

    Gjithshka mire por nje gazete nacionale dhe jo rajonale nuk mund te publikoje nje lajm ne dielekt. Te paret tane thonin feja e Shqiptarit eshte Shqiptaria, gazetare te dashur… moderatore te nedruar ky shkrim eshte injorance gazetarie dhe jo per permbajtjen e ti por per dretjshkrimin!

  9. mik says:

    Cfar shkrimi !! Nje Shqipe e kullume, pa fjale te huja e pa fjale te teperta.
    Keshtu duhet te shkruhet Shqipja, e paster , e kuptueshme per te gjith, qofte ne Gegenisht apo ne Toskenisht.
    Respekt per autorin. Ka shkru per nje fushe qe nuk e lexon shpesh. . . . . e as rralle.

  10. Adi says:

    Kur të krijoni ndonjë Republikë të pamvarun të Shkodnës, mund të shkruani në dialekte sipas dëshirës zotëri. Gjuha e njehsuar shqipe nuk është e detyrueshme për grekët, por për shqiptarët është, sidomos kur shkruani gazetave. Përndryshe mesazhi që kërkoni të jepni me këtë shkrin kalon në plan të dytë ….

  11. Adi says:

    Kur të krijoni ndonjë Republikë të pamvarun të Shkodnës, mund të shkruani në dialekte sipas dëshirës zotëri. Gjuha e njehsuar shqipe nuk është e detyrueshme për grekët, por për shqiptarët është, sidomos kur shkruani gazetave. Përndryshe mesazhi që kërkoni të jepni me këtë shkrim kalon në plan të dytë …

    1. Mësuesi i fillores says:

      Edhe ju ama z. Adi mësoni të shkruani shqipen pa gabime, jo “pamvarun” por e “pavarur”. Keni shkarë edhe ju, si duket ju ka infektuar z. Ndreca.

      1. Ela says:

        Zoti Adi ishte ironik ne komentin e tij…

      2. Adi says:

        Ishte sarkazëm zoti mësues…. duhet të ngiiteni më lart se lëndët e fillores ?

  12. Zgalem says:

    Ky shkrim , per problemin , qe ngre dhe profesionalizmin , qe trajton , meriton te behet analize e pare e Kryetarit te ri te Bashkise Shkoder . Liqeni duhet te organizohet sipas shembullit te Karavastase ne Divjake . Karavastaja eshte shume e vogejl , krahasuar me kete korpus gjigant turistik , qe niset nga kuota zero , deri ne 2000 m. lartesi nga deti . Ardian Ndreca , meriton te dekorohet , per kete denoncim , me vlera shkencore shume dimensionale . Zgalem

  13. X says:

    Cfare jane ato “njerez pa rrenje” more laper. Ti do ti kesh rrenjet ne bythe. Meso te jesh shqiptar more maskara. Ose beju vatikanas. Sa helmin e ke ne trup, dukesh si gjarper.

  14. Mbaresia says:

    O zot, cfare mrekullish ka ky vendi yne, dhe nuk dijme ti shfrytezojme. Do ishte mire qe banoret e ketyre zonave te lexojne kete shkrim te mrekullueshem, e te punojne per kultivimin e ketyre bimeve, qe te rrisin te ardhurat per familjet e tyre. Ju faleminderit Zoti Ndreca.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje