Nga Vera Xhako
Brenda ne sallat e shkreta të Teatrit, kokat e opozitës me kokat e “komitetit të artistëve” sapo kishin firmosur Kontratën e përbashkët, dhe njerëzia që kishte qenë prezent, të lumtur që më në fund i kishin dhënë karar “mbrojtjes së Teatrit”, po dilte jashtë në sheshin para tij.
Në mes të turmës binin në sy do gra bajagi të moshuara, që dukej se po grindeshin e ndërseheshin në mes tyre. Epo plasi, thashë me vete.
Do të jenë kundërshtare për fatin e Teatrit: e shembim, s’e shembim. Flasin ngutas dhe nuk ua kap dot fillin e fjalëve që hedhin e presin.
Por nuk është dhe aq e vështirë të hamendësosh motivin e përplasjes në mes tyre: Njërës palë i dhëmb të prishet ngrehina e teatrit, palës tjetër i duket me vend të shembet e në vend të tij të ngrihet një tjetër modern.
Njëra syresh është një grua rreth të shtatëdhjetave, me pamje të drobitur. E kisha parë këtu para ca muajsh, kur po kaloja nëpër pedonale, dhe ndalova i yshtur nga ca zëra që vinin nga sheshi i Teatrit.
U avita. Në një podium të sajuar fliste një person, që, me ton prej aktori, mëtonte t’ua ngrinte moralin dëgjuesve të paktë, duke u përbetuar se Teatri nuk do të prishej. Ulur në stola ishin disa të tjerë, ndër ta edhe kjo zonja me pamje të drobitur. Bëra habi atë mbrëmje: në fytyrën e saj lodhesha të gjeja ndonjërën nga aktoret e dikurshme. Unë i kam ndjekur shfaqjet e atyre viteve, por fytyra e gruas nuk më kujtonte ndonjë artiste të skenës.
Po, në vend të saj, m’u kujtua nënë Hatixheja, tifozja e thekur e skuadrës së futbollit të qytetit tim, që e ndiqte ekipin në shi e në diell, brenda dhe jashtë qytetit. Ja tashti, gruaja që nuk qenkësh ndonjë artiste veterane, tek është në qendër të shamatës me do gra të tjera, edhe ato në moshë. Njëra syresh mban një Flamur nderur në krah.
Ta shkrep një foto, mendova me vete, ashtu si me hall, se mos po u dhunoj privatësinë. Por jo, i dhashë të drejtë vetes, këtu jemi në protestë dhe protesta, bashkë me pjesëmarrësit në të, nuk ka privatësi, pse ka karakter publik. Frap. Pastaj, si e pashë që nuk më shau njeri, mora guximin dhe shkrepa edhe do foto të tjera.
Do ti që m’u ngjall edhe delli i dikurshëm i gazetares! Dhe u afrohem zonjave. Njëra syresh mbahet mbi një shkop ortopedik. I drejtohem:
Më falni zonjë. Ju jeni për prishjen, apo?..
Jo, jam për mos prishjen.
Po ju? – i drejtohem zonjës tjetër nga pala kundërshtare.
Meazallah! Teatri të rri aty ku është!
Po atëherë, kur të dy grupet jeni për një qëllim, pse grindeni?
Po sepse këto zonjat thonë ç’i duhet opozitës, pse fut hundët në teatër?
Ashtu është – e mori vrik fjalën zonja me shkop ortopedik. – Teatrin e mbrojmë vetë ne, POPULLI. Ç’i duhet partisë politike?!
Hajt, moj grua, se pa partinë s’bëjmë dot gjë ne – u hodh “pala kundërshtare”.
Populli, moj, populli! – dhe gruaja përplasi në beton shkopin ortopedik, sikur donte t’i vinte pikë fjalës së saj.
Shkojmë për një kafe – e tërhoqi gruan me shkop ortopedik shoqja e vet.
Zonja, doni një bidon me ujë të ftohtë? – i ofrohet shitësi i ujit.
Por zonjat largohen duke turfulluar. Zonja me shkop ortopedik nuk zë karar:
Jo po, Teatri është i yni, i popullit. Ç’do opozita, xhanëm…
Hajde tashti, ku do ta pimë atë kafenë?…
Ta prishim a te mos e prishim. Me te meren te gjithe, na duket se diskutojme te ardhmen. Teatri ka pas qene dikur, kur ishin dhe kinemate, qe tani nuk ua hedh syte kush. Po pse gjithe ky sherr? Se nuk meremi dot me gjera te medha dhe s’kemi me cfare ta mbushim kohen.