Sasia në rritje e dioksidit të karbonit mund të bëjë që pemët të shndërrohen në “ekstra larxh” brenda vitit 2100.
Të paktën deri në fund të shekullit bimët do të vazhdojnë të thithin me bollëk gati një të katërtën e CO2-shit të prodhuar nga njeriu, duke prodhuar 12% më shumë biomasë falë bashkëpunimit me mikroorganizmat dhe kërpudhat në tokë që prodhojnë elemente (si azoti dhe fosfori) të nevojshme për të shfrytëzuar gazin me efekt serrë si fertilizues, sipas një studimi ndërkombëtar të koordinuar nga Universiteti Stenford dhe Universiteti Autonom i Barcelonës, si dhe i publikuar në revistën “Nature Climate Change”.
Duke përpunuar rezultatet e 138 studimeve të mëparshme me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe të dhënat satelitore, studiuesit kanë zbuluar se nivelet e CO2-shit që priten në fund të shekullit do të përcaktojnë një rritje të biomasës së bimëve me 12%, duke i mundësuar pemëve dhe bimëve të thithin më shumë CO2.
“Të mbjellësh pemë është sikur të vendosësh para në bankë”, komenton bashkautori i këtij studimi, Rob Jackson, i Universitetit të Stenfordit.
“Rritja që vjen për shkak të CO2-shit është interesi që fitojmë në bilancin tonë, për pasojë duhet të dimë se sa e lartë do të jetë norma e interesit mbi investimin tonë në karbon”, thekson ai.
“Por, deri tani kemi vërejtur vetëm një shpyllëzim që nuk bën dallim të pyjeve tropikale të virgjra që përfaqësojnë rezervën më të madhe në biomasë të planetit. Po humbasim një instrument thelbësor për të limituar ngrohjen globale”, shton koordinatori tjetër i studimit, Cesar Terrer.
Vëmendja është kthyer kryesisht tek pyet tropikale të Amazonës, Kongos dhe Indonezisë, rajonet me potencialin më të lartë të grumbullimit të karbonit që krijohet nga qendrat urbane.