Nga Klajd Heta
Ndonjëherë, më pëlqen të udhëtoj me makinën time të kohës dhe të vërej se si gjërat funksiononin në të shkuarën. Koncepti i takimeve është një prej tyre.
Pjesa më e madhe e filmave prodhuar në vitet ’90 dhe fillimin e viteve 2000 e përshkruajnë si një rrugë lineare: shkëmbim numrash, dalja në takim, dhe mbrëmja jo domosdoshmërisht duhet të përfundojë me seks. Në shekullin që jetojmë, koncepti i takimeve ka ndryshuar në mënyrë drastike.
Me hyrjen e teknologjisë, pothuaj gjithçka ka marrë një kah tjetër. Njerëzit e kanë humbur sensin e takimeve, dhe shumë prej tyre zgjedhin “takimet për seks”. Njëherë lexova në një profil tek një aplikacion takimesh: “Looking for Mr. Right! Until then, Mr. Right Now is welcome, too.” (“Në kërkim të Z. I Duhur! Deri sa të vijë ai, Z. Për Tani është i mirëpritur, gjithashtu.”)
Njerëzit po bëhen çdo ditë e më shumë asocialë. Meshkujt specifikisht janë kthyer në të fiksuar mbas pornografisë dhe masturbimit. Dhe kur vjen momenti që u duhet të kryejnë marrëdhënie seksuale, ata nuk arrijnë ta kënaqin partnerin/en e tyre. Një studim i kryer tregon se pornografia ndikon në erectile dysfunction (keqfunksionim i ereksionit), duke e kthyer këëtë çështje në një problem të raportit “mendje-trup”. Këta meshkuj duan të arrijnë perfeksionin që pornografia profesionale paraqet, por asnjëherë nuk funksionon ashtu. Rrjedhimisht, shumë prej tyre krijojnë ankth ndaj vetes apo probleme vetëbesimi, të cilat çojnë në probleme të tilla fiziologjike. Por jo të gjithë janë të destinuar të përballen me kësi pasojash!
Mesaduket, ka dhe një zgjidhje për këto probleme përveç pilulave: një robot seksi! Ndryshe nga kukullat e seksit (manufactured blow-up dolls) që dolën në treg në vitet 1900, robotët e seksit u mundësojnë më tepër gjallëri “partnerëve” të tyre: këto robotë mund të komunikojmë pasi kanë Inteligjencë Artificiale. Meshkujt zgjedhin robotët e seksit sepse ata munden të gëzojnë më tepër privatësi dhe rehati nëse kanë probleme sociale. Dhe kur bëhet fjalë për probleme ereksioni, nuk kanë pse të ndihen të turpëruar, pasi roboti i seksit nuk ka për t’i gjykuar kurrë! Pra, është gjithçka tërësisht e fijëzuar mes mendjes, trupit, por dhe elementëve teknologjikë!
Por a është kjo një ndihmë për të gjallët?
Vetëm pajisjet elektronike kanë krijuar largësi midis nesh, jo më pastaj robotët që po përdoren për të zëvendësuar ndjenjat, emocionet, prekjet, ngrohtësinë, komunikimin e pastër… njeriun në tërësi! A po e humbim sensin e njerëzimit aq sa po e lëmë gjithçka “në dorë” të teknologjisë?
Fakti që shumë prej robotëve të seksit prodhohen si të gjinisë femërore (në sajë të tipareve) ka prekur një çështje delikate me bazë gjinore. Jay Leno, humorist dhe prezantues amerikan, teksa promovonte këto robotë në emisionin e tij, ai deklaroi se gjëja më e mirë tek këto robotë është që “mund t’ua qepësh gojën me anë të një butoni.”, duke nxjerrë në pah stereotipin që sipas meshkujve, femrave nuk u mbyllet goja. Parë nga një këndvështrim feminist, Leno shtypi në mënyrë të drejtpërdrejtë femrëën, duke e paraqitur atë si një objekt të bindur, të pandjeshëm, që mund të kontrollohet fare lehtë. Fuqia e medias nuk duhet nënvlerësuar kurrë, ndaj një deklaratë e tillë krijon një rrugë me dy drejtime për publikun: një drejtim ku publiku inkurajohet ta blejë këtë produkt dhe të shmangë qeniet njerëzore dhe kontaktin me to, dhe atë ku femra simbolizohet me një copë silikoni e dobësohet deri në atë pikë ku mund ta heshtësh me një buton.
Sot, publikut i transmetohen shumë zhvillime të reja artificiale, të cilat na pëlqejnë: dhëmbë artificialë në yjet e kinemasë, implant gjoksi artificial tek ajo këngëtarja e famshme, apo buzë artificiale në vajzën e re të kopertinës. Pyetja është: po Inteligjenca Artificiale duhet pranuar?/ (Dritare.net)
Përshtatur nga anglishta, artikulli origjinal me të njëjtin autor “It’s empty! My creator forgot to give me a heart.”