Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Spahiu tha se Shqipëria ka një borxh historik ndaj Kosovës dhe se një nga mënyrat për ta adresuar këtë është përmes dhënies së shtetësisë për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë.
“Shqipëria i ka shumë borxhe Kosovës, por sot jemi mbledhur për të diskutuar vetëm për një borxh. Mendoj se vet ekzistenca e sovranitetit dhe pavarësisë së Shqipërisë nuk do të kishte ndodhur pa Kosovën, por edhe Kosova nuk do të ekzistonte pa Shqipërinë”, u shpreh ai.
Spahiu tha se shqiptarët e Kosovës kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë, duke theksuar se ata kanë qenë ndër vizitorët dhe investitorët më të rëndësishëm.
“Shqiptarët e Kosovës janë injoruar me një lloj egoizmi të pakuptimtë”, deklaroi ai.
Sipas tij, për shkak të lidhjeve familjare, historike dhe kombëtare, shqiptarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë të pajisen me pasaportë dhe shtetësi shqiptare.
“Shqiptarët e Kosovës, për shkak të besnikërisë, por edhe për shkak të natyralizimit, pasi kanë prindër, gjak e kombësi shqiptare, duhet të shpërblehen me dhënien e pasaportës, me dhënien e shtetësisë së Shqipërisë. Jam duke lobuar për të filluar një iniciativë që kjo të vlejë për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës dhe shqiptarët kudo që ndodhen”, tha Spahiu.
Lini një Përgjigje