E majta fitoi - rënie e madhe e CDU dhe SPD

27 Tetor 2019, 19:17Bota TEMA

Në zgjedhjet e sotme të zhvilluara në Tyringji u shënuan rezultate pjesërisht të papritura. Humbësit më të mëdhenj – dy partitë e koalicionin qeveritar federal – CDU dhe SPD.

Më së shumti vota në zgjedhjet e landit në Tyringji ka fituar sërish partia E Majta, në krye me kandidatin e saj Bodo Ramelow, i cili edhe deri tani ka qenë kryeministër i këtij landi. Ramelow është kryeministri i vetëm i cili vjen nga partia E Majta në landet e Gjermanisë. E Majta ka shënuar, sipas rezultateve të para, një rezultat rekord, me rreth 29,7 % të votave. Vendin e dytë e ka zënë partia ekstremiste e djathtë, Alternativa për Gjermani, AfD, me rreth 23,8%.

Ndërkohë që humbësit më të mëdhenj të zgjedhjeve janë partia kristiandemokrate CDU e kancelares Angela Merkel, me rreth 22,5% të votave, por kjo do të thotë se partia CDU ka humbur rreth 11 % të votave, krahasur me zgjedhjet e kaluara në këtë land. Njëkohësisht partia socialdemokrate, SPD ka rënë nën numrin dyshifror të votave, me vetëm rreth 8,5% të votave. Janë këto rezultatet më të dobëta të CDU dhe SPD në këtë land.

Në parlamentin e landit janë futur edhe ekologjistët me rreth 5,5 respektivisht liberëlat me rreth  5 % të votave. Pjesëmarrja në zgjedhje me mbi 65% ka qenë shumë më e lartë se në zgjedhjet e kaluara (52,7%).

Kryeministri i deritanishëm Bodo Ramelow ishte i kënaqur me rezultatet e arritura. Ai tha se e ndjen veten të konfirmuar shumë qartë për të krijuar qeverinë e re të landit Tyringjia. Mirëpo krijimi i qeverisë nuk do të jetë fare i lehtë, sepse koalicioni i deritanishëm i majtistëve me SPD dhe ekologjistët, sipas të gjitha gjasve, nuk do të mjaftojë, për shkak të rezultateve të dobëta të dy partive të fundit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje