"Buxheti", Gjonaj: Shqipëria në EUROJUST rrit besueshmërinë në luftën ndaj krimit, ja puna që po bëhet mbi përmirësimin e infrastukturës në burgje

4 Nëntor 2019, 12:00Politika TEMA

Teksa ka folur për buxhetin e vitit 2019, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj është ndalur në një ngjarje të madhe siç është pranimi zyrtarisht i Shqipërisë në EUROJUST.

Gjonaj nënvizoi se kjo do të rrisë më tej besimin e ndërkombëtarëve te vullneti i Shqipërisë për të luftuar krimin.

“Më lejoni të ndaj me ju një lajm pozitiv, atë të pranimit zyrtarisht në Agjencinë e Bashkimit Evropian për bashkëpunim në Drejtësinë Penale, EUROJUST. Ky pranim vjen pas një pune intensive të filluar me nënshkrimin e marrëveshjes në Tetor 2018 dhe të ratifikuar nga Kuvendi, mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencisë EUROJUST.

Përgjigjja pozitive është një notë vlerësuese e punës tonë. Përmes caktimit të shpejtë të një Prokurori në zyrën e EUROJUST në Hagë, do të rrisim më tej besimin e partnerëve tanë tek vullneti i Shqipërisë për të luftuar krimin ndërkufitar. Do të garantojmë shkëmbimin në kohë të informacionit të nevojshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe më gjerë si dhe me grupet e përbashkëta të hetimit me prokurorë të vendeve evropiane do të bëhet më efikase lufta kundër kriminalitetit. Dhe padyshim që në vitin 2020 caktimi i prokurorit të Shqipërisë në hagë do të gjejë edhe mbështetjen financiare edhe nga buxheti i shtetit apo edhe nga mbështetja financiare që Komisioni Europian ka dhënë nëpërmjet projekteve IPA,” u shpreh Gjonaj.

Në fjalën e saj në Kuvend, Gjonaj tha se të gjitha vendet europiane njohin rezultatet e Shqipërisë në reformën në drejtësi dhe se puna e bërë justifikon buxhetin e akorduar.

Pavarësisht vendimit jo pozitiv të Këshillit Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të gjitha vendet evropiane njohin rezultatet e Shqipërisë në reformat shtetformuese.

Vlerësime vijnë edhe nga ato vende Evropiane që kanë një zë të fortë në procesin e vendimmarrjes së çeljes së negociatave, të cilat po na ndihmojnë të ecim më tej në zbatimin e detyrave tona për t’u bërë pjesë e familjes Evropiane.

Por Puna jonë nuk ndalet, përkundrazi, ajo është intensifikuar edhe më shumë me ndihmën e shteteve evropiane dhe të organizmave ndërkombëtarë që operojnë në fushën e drejtësisë për të përmbushur detyrat tona, detyra mjaft të rëndësishme për vetë reformat e ndërmarra për forcimin e shtetit të së drejtës,” tha më tej ministrja Gjonaj.

Sa i përket investimit në burgje, Gjonaj tha se:

“Në sistemin penitenciar përveç reformës në rekrutimin e drejtuesve të burgjeve si dhe të stafit policor dhe civil, ne jemi të vendosur për të përmirësuar kushtet dhe trajtimin e të dënuarve. Për këtë qëllim buxheti i Ministrisë së Drejtësisë gjatë vitit 2019 parashikoi për programin e burgjeve fondin prej 5 miliardë e 853 milionë e 174 mijë lekë.

Gjatë vitit 2019 pajisëm pas 10 vitesh personelin policor të burgjeve  me uniformë. 3.559 punonjës policie. Po ashtu pagat e punonjësve të Policisë së Burgjeve për vitin 2019 janë rritur me 7% ose rreth 181 milionë lekë më shumë ku kjo rritje do të vijojë edhe me miratimin e ligjit për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve dhe ligjin për policinë e burgjeve ku parashikohet një rritje me fasha për 3 vitet e ardhshme. Dëshiroj të theksoj se kjo është rritja e parë që i bëhet pas kaq shumë vitesh punonjësve të  policisë së burgjeve.

Në sajë të rritjes së kërkesës për realizimin e investimeve prej 429 milionë të akorduara për vitin 2019 për Drejtorinë Burgjeve është bërë e mundur përmirësimi i kushteve dhe rritja e sigurisë që është kryefjala e reformës në sistemin penitenciar.

Në fushën e përmirësimit të infrastrukturës ndërtimore, janë realizuar disa projekte për rikonstruksionet në IEVP të ndryshme dhe në DPB në vlerën 190 milionë lekë për vitin 2019.

Për sistemin penitenciar u vunë në dispozicion 95.5 milionë lekë për forcimin e sigurisë me ngritjen e sallës operative, e cila garanton aksesin 24 orë të disa trupave në kamerat dhe skanerët e institucioneve penitenciare, duke e konsideruar projekti i “4 syve”, u shpreh Gjonaj.

Fjala e plotë

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Deputetë,

Pavarësisht vendimit jo pozitiv të Këshillit Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të gjitha vendet evropiane njohin rezultatet e Shqipërisë në reformat shtetformuese.

Vlerësime vijnë edhe nga ato vende Evropiane që kanë një zë të fortë në procesin e vendimmarrjes së çeljes së negociatave, të cilat po na ndihmojnë të ecim më tej në zbatimin e detyrave tona për t’u bërë pjesë e familjes Evropiane.

Por Puna jonë nuk ndalet, përkundrazi, ajo është intensifikuar edhe më shumë me ndihmën e shteteve evropiane dhe të organizmave ndërkombëtarë që operojnë në fushën e drejtësisë për të përmbushur detyrat tona, detyra mjaft të rëndësishme për vetë reformat e ndërmarra për forcimin e shtetit të së drejtës.  

Në këtë kuadër, më lejoni të ndaj me ju një lajm pozitiv, atë të pranimit zyrtarisht në Agjencinë e Bashkimit Evropian për bashkëpunim në Drejtësinë Penale, EUROJUST. Ky pranim vjen pas një pune intensive të filluar me nënshkrimin e marrëveshjes në Tetor 2018 dhe të ratifikuar nga Kuvendi, mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencisë EUROJUST.

Përgjigjja pozitive është një notë vlerësuese e punës tonë. Përmes caktimit të shpejtë të një Prokurori në zyrën e EUROJUST në Hagë, do të rrisim më tej besimin e partnerëve tanë tek vullneti i Shqipërisë për të luftuar krimin ndërkufitar. Do të garantojmë shkëmbimin në kohë të informacionit të nevojshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe më gjerë si dhe me grupet e përbashkëta të hetimit me prokurorë të vendeve evropiane do të bëhet më efikase lufta kundër kriminalitetit. Dhe padyshim që në vitin 2020 caktimi i prokurorit të Shqipërisë në hagë do të gjejë edhe mbështetjen financiare edhe nga buxheti i shtetit apo edhe nga mbështetja financiare që Komisioni Europian ka dhënë nëpërmjet projekteve IPA.  

Të nderuar deputetë,

Nëpërmjet këtij akti normativ do të jepet mundësia për të vijuar më tej objektivat që udhëheqin punën tonë si në zbatimin e Reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe rritjen e sigurisë në institucionet penitenciare si dhe vijimin e investimeve dhe modernizimit të sistemeve.

Me këtë akt normativ që po diskutojmë sot në total Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar 62 milionë e 500 mijë lekë Investime të Brendshme duke rialokuar dhe mirëmenaxhuar një pjesë të shpenzimeve korente të pashpenzuara kjo falë edhe mirëmanxhimit që ju është bërë fondeve.

Vazhdimësia e projektit i investimit për ndërtimin e arkivit elektronik, motorrit të kërkimit të Qëndrës së botimeve zyrtare do të jetë pjesë e këtij akti normativ për të bërë të mundur modernizimin e sistemit dhe lehtësimin në aksesimin e akteve si dhe informimin më mirë të qytetarëve.

Gjithashtu një fond i konsiderueshëm i është rialokuar Drejtorisë së përgjithshme të burgjeve për investim dhe shërbim në pajisje të ndryshme sigurie për sistemin e burgjeve.

Disa zëra financiare që lidhen me shpenzime personeli, zera financiare të kursyer nga ndjekja më e mirë e procedurave të prokurimeve publike janë pikërisht zera të cilët i pakësohen fondit duke u rialokuar në nevojat më imediate dhe vazhdimësinë e projekteve sipas prioriteteve të ministrisë së drejtësisë dhe qeverisëse.

Për vitin 2019, buxheti i parashikuar për Ministrinë e Drejtësisë është në total 12 miliardë 401 milionë lekë. Ky buxhet, i krahasuar me buxhetin e vitit 2018 është rritur me 14%.

Buxheti i akorduar po administrohet me kujdes dhe në interes të qytetarëve. Ministria e Drejtësisë tashmë është e shkëputur nga një periudhë e keqplanifikimit dhe keqadministrimit të parave publike dhe këtë e tregojnë edhe kontrollet dhe auditet e kryera në Ministrinë e Drejtësisë, po vijon mbështetjen qe i ka dhënë buxheti i vitit 2019 dhe ky akt – normativ duke përcaktuar dhe duke vijuar prioritetet që janë vendosur që në fillim të këtij mandati.

Qeveria është angazhuar publikisht për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që qytetarët shqiptarë marrin nga Ministria e Drejtësisë dhe Institucionet e saj të varësisë. Buxheti i vitit 2019 po bën të mundur përmbushjen e këtij angazhimi.

Shërbime më efiçente dhe profesionale të ofruara nga organet ligjzbatuese të sistemit të drejtësisë dhe profesioneve të lira nëpërmjet politikave rregulluese kanë qenë prioritet i vitit 2019 për Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë Shqiptare.

Nëpërmjet ngritjes së Drejtorisë së Ndihmës Juridike falas, Ministria e Drejtësisë, siguron aksesin ne organet e drejtësisë, për të gjithë përdoruesit e sistemit pavarësisht mundësive financiare (përdorimin e sistemit nga shtresat në nevojë). Ministria e Drejtësisë në këtë projekt nëpërmjet buxhetit angazhoi 89 milionë lekë nga buxheti i shtetit.

Këtë vit pati një vëmendje më të shtuar të institucioneve shqiptare në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Përpjekjet e institucioneve të drejtësisë u fokusuan jo vetëm në garantimin e aksesit në drejtësi të të miturit, por edhe në garantimin e të drejtave të tjera të fëmijëve, të bashkërenduara me institucionet e linjës.

Për këtë qëllim po zbatohet  Strategjia e Drejtësisë për të Miturit e cila përbën dokumentin e parë të politikave të Qeverisë Shqiptare që përcakton shtyllat bazë të reformës së drejtësisë për të miturit duke i dhënë vëmëndjen që duhet.

Në këtë kuadër Ministria e Drejtësisë gjatë vitit 2019 angazhoi 140 milion lekë në ngritjen e institucioneve të reja siç janë:

-Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, institucion ky i konceptuar si një mekanizëm në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, i cili është në fazën e hartimit të  programeve parandaluese dhe do të mbikëqyrë për një periudhë 6-mujore të miturit pas përfundimit të dënimit.

Në sistemin penitenciar përveç reformës në rekrutimin e drejtuesve të burgjeve si dhe të stafit policor dhe civil, ne jemi të vendosur për të përmirësuar kushtet dhe trajtimin e të dënuarve. Për këtë qëllim buxheti i Ministrisë së Drejtësisë gjatë vitit 2019 parashikoi për programin e burgjeve fondin prej 5 miliardë e 853 milionë e 174 mijë lekë.

Gjatë vitit 2019 pajisëm pas 10 vitesh personelin policor të burgjeve  me uniformë. 3.559 punonjës policie. Po ashtu pagat e punonjësve të Policisë së Burgjeve për vitin 2019 janë rritur me 7% ose rreth 181 milionë lekë më shumë ku kjo rritje do të vijojë edhe me miratimin e ligjit për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve dhe ligjin për policinë e burgjeve ku parashikohet një rritje me fasha për 3 vitet e ardhshme. Dëshiroj të theksoj se kjo është rritja e parë që i bëhet pas kaq shumë vitesh punonjësve të  policisë së burgjeve.

Në sajë të rritjes së kërkesës për realizimin e investimeve prej 429 milionë të akorduara për vitin 2019 për Drejtorinë Burgjeve është bërë e mundur përmirësimi i kushteve dhe rritja e sigurisë që është kryefjala e reformës në sistemin penitenciar.

Në fushën e përmirësimit të infrastrukturës ndërtimore, janë realizuar disa projekte për rikonstruksionet në IEVP të ndryshme dhe në DPB në vlerën 190 milionë lekë për vitin 2019.

Për sistemin penitenciar u vunë në dispozicion 95.5 milionë lekë për forcimin e sigurisë me ngritjen e sallës operative, e cila garanton aksesin 24 orë të disa trupave në kamerat dhe skanerët e institucioneve penitenciare, duke e konsideruar projekti i “4 syve”.

Kjo ndikoi dukshëm gjatë vitit 2019 në mirëmenaxhimin dhe kontrollin me efikasitet e në kohë reale të të gjithë sistemit penitenciar në Shqipëri.

Buxheti  2019 parashikon edhe investim për blerje pajisjesh të ndryshme për sistemin e burgjeve në funksion të përmirësimit rrënjësor të menaxhimit dhe administrimit në sistemin penitenciar shqiptar nëpërmjet krijimit të bazës së nevojshme logjistike, rritjes së rendimentit të punës, përmirësimit të vazhdueshëm të elementeve të sigurisë.

E fundit por jo nga rëndësia, është nisma dhe angazhimi i Qeverisë Shqiptare dhe i yni si Ministri Drejtësië, në luftën kundër korrupsionit, ku një punë që ka filluar prej 2018 me ngritjen e Task Forcës Antikorrupsion dhe po vijohet më tej me ngritjen e Strukturës Antikorrupsion e cila do të koordinojë me shpejtësi dhe efiçencë çdo rast të ardhur nga qytetarët nga 16 Agjencitë e përzgjedhura në të gjithë vendin.

Ministria e Drejtësisë po punon intensivisht në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për të përmbushur misionin e saj si Koordinatore në luftën antikorrupsion.

Pa dyshim duhet mbështetje me e madhe buxhetore për realizimin e sistemeve të përshtatshme në luftën kundër korrupsionit por njëkohësisht shpreh bindjen që në vitin 2020 edhe nëpërmjet mbështetjes buxhetore por edhe nëpërmjet mbështetjes me asistencë teknike dhe buxhetore nga Komisioni Europian vitin e ardhshëm ky objektiv do të jetë më mirë i mbështetur financiarisht.

Një peshë të konsiderueshme të buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë e zë dhe fondi për kompensimin e pronës që shkon në vlerën prej 4 miliardë lekë dhe 1 miliardë për kompensimin e ndërtimeve informale.

Të nderuar deputetë,

Buxheti 2019 dhe ndryshimet përmes këtij akti normativ që prekin Ministrinë e Drejtësisë janë prova më e mirë që Qeveria është e vendosur për tu siguruar qytetarëve një sistem drejtësie efikas dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit.

Faleminderit

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje