Përse Gjykata Kushtetuese i kall datën Ilir Metës?

14 Nëntor 2019, 15:19Blog TEMA

Nga Armand Mehmeti

A e meriton Ilir Meta të quhet Presidenti i shqiptarëve?
Kjo është pyetja që çdo shqiptar i bën vetes sot, kur sheh për të disatën herë kreun e shtetit në një përpjekje akrobatike për të prodhuar një tjetër ngërç artificial institucional.

Pas lojës së pisët politike me dekretet antikushtetuese për zgjedhjet vendore, lojë që mori ndëshkimin publik të ekspertëve të Komisionit të Venecias, Ilir Meta po dëshmon sërish së është mbërthyer në ankthin për fatin e vet personal.

Dje Meta është përpjekur të fusë në ngërç gjykatën kushtetuese të vendit, duke dekretuar partneren e demokratit Enkelejd Alibeaj për anëtare të kësaj gjykate në vendin që në mënyrë legjitime ishte zënë nga Arta Vorpsi para përfundimit të afatit 30 ditor të presidentit për t’u shprehur mbi listën e propozuar nga KED.

Për këdo që tanimë nuk i bëjnë çudi akorbacitë politike të Metës dhe pangopësia e tij për pushtet me çdo kusht, për pushtet personal mbi atë institucional, për ngërçin e kaosin si mënyrë devijimi nga ligji dhe normat demokratike, këto veprime kanë vetëm një emër: FRIKË!

Formimi i kësaj gjykate, që do të legjitimojë njëherë e mirë shkeljet e tij kushtetuese, është pikërisht arsyeja pse Ilir Meta, kërkon të ngrejë sërish një stuhi rëre në jetën publike dhe institucionale të vendit.

Kaosi që Meta po përpiqet të prodhojë me institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare, është kaosi që prodhohet në mendjen e tij nga frika se më në fund drejtësia do të bëjë drejtësi dhe ai do të shkojë në shtëpi si një president që nuk i përket askujt. Vendimi i gjykatës kushtetuese do të çonte në shkarkimin e tij të turpshëm për historinë e Presidentëve të këtij vendit.

Kompleksi dhe frika e Ilir Metës, thellohen edhe më shumë tanimë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë atij një shuplakë të fortë, mesazhin e qartë se ai nuk mund t’i shpallë një luftë të hapur reformës për të cilën kanë investuar të gjithë, SHBA dhe Bashkimi Europian.

Ai e di mirë, se Gjykata Kushtetuese është institucioni që do të përligjë njëanshmërinë dhe antikushtetueshmërinë, me të cilën ka vepruar në atë detyrë.

E nëse do na duhet të kuptojmë më tej frikën që ka mbërthyer Ilir Metën, mjafton të rikujtojmë deklaratën e Ambasadës së SHBA në Tiranë pas votimit në Kuvend për anëtarët e rinj të Kushtetueses:
“Votimi i sotëm, çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri”, tha ambasada amerikane.

Ilir Metës po i afron dita e llogaridhënies! Formimi i Gjykatës Kushtetuese ishte guri i fundit në ngritjen e murit ndarës mes politikës dhe drejtësisë, mur që Meta, politikani më i korruptuar i viteve të tranzicionit me gjasë nuk ka për ta kaluar dot më.

Presidenti ndihet i vetëm dhe në konflikt me të gjithë, së pari në konflikt me drejtësinë që duhet të bëjë drejtësi, me qytetarët që presin drejtësi, tani edhe me partnerët ndërkombëtarë që i kanë vendosur kufijtë çmendurisë së tij për të dalë mbi çdo normë kushtetuese.

Në këto kushte, Meta vijon me çmendurinë e të qënit agresiv dhe në ofensive ndaj të gjithëve, vendas e të huaj, partnerë dhe ekspertë, duke harruar në injorancën e vet, se sjellja agresive nuk shkaktohet nga burrëria, por nga burracakëria!

3 komente në “Përse Gjykata Kushtetuese i kall datën Ilir Metës?”

  1. Brahoo says:

    Meta sillet keshtu se e ka te sigurte qe nuk do ti ndodhi asgje.
    Mundet te kete ndonje presion nga te huajt por ka garanci te plote nga socialistet,perndryshe nuk kishte pse ta vinte veten ne nje pozite te tille… Ju kujtohet kur mbrojti Llallen perballe Lus,”s’ja beri qerpiku térr”,jo vetem kaq por mbas asaj ngjarje socialistet (me shokun Gramoz) e bene president.
    Prandaj mbajeni e mos beni Zéééééé. Lerini te bejne lojen mes vetes,jo te tallen si gjithmone me popullin.

  2. bravo says:

    Nje bravo e madhe per Armand Mehmetin.

  3. emigranti says:

    meta nuk e meriton per president po ne shqiperi nuk funksionon asgje qe ta shkarkoje ate

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje