Sa përgjegjës është biznesi shqiptar për emigrimin?

16 Nëntor 2019, 17:28Ekonomia TEMA

Nga Shpëtim Luku

Refreni më i shpeshtë që degjoj në takimet e mia me biznesmenë të ndryshëm është ankesa e tyre për mungesë të fuqisë punëtore, e sidomos të punëtorëve të kualifikuar. Dhe shumica e tyre përcaktojnë si “diagnozë” kryesore të këtij deficit punonjësish, emigrimin e popullsisë me ritme frenetike. Konstatimi është i drejtë. Ethet e emigrimit kanë përfshirë një spektër të gjërë të shoqërisë shqiptare, jo vetëm ata që kanë ctë hanë, sikurse thotë pareshtur një pjesë e politikanëve të vendit, por edhe të asaj pjese të popullsisë, që në kushtet e e të qënit një vend i hapur, kërkon e pretendon më tepër se sa “buka e gojës”.

Vetë  kontradikta për të cilën ankohen më së shumti biznesmenë të ndryshëm të vendit, midis ofertës së tyre për punë dhe mungesës e kontigjentit të njerëzve, e konfirmon faktin që ata që dëshirojnë të largohen nga vendi janë të status të larmishëm shoqëror. Mirëpo, teksa ballafaqohesh me një ankesë të tillë të përsëritur shpesh prej biznesit, natyrshëm lind pyetja: po vetë bizesi shqiptar, sa përgjegjesë është për përmasat shqetësuese që ka marrë fenomeni i emigrimit? Sigurisht, një diskutim i tillë ka qenë i pranishëm me biznesmenë të ndryshëm të mirënjohur të vendit dhe shumica e tyre e pranojnë që biznesi shqiptar ka edhe ai peshën e tij të fajit në këtë “arratisje shqiptarësh” prej vendit të tyre.

Ne raport me punëmarrësit, biznesi shqiptar si punëdhënës e ka konkretizuar mekatin e tij në dy aspekte. E para, deri para pak vitesh dominonte puna e zezë. Pra mjaft punonjës punonin ose 100 për qind në të zezë, ose pjesërisht, dmth me paga minimale të deklaruara. Kjo mënyrë të vepruari për vite e vite me radhë, tendenca për të rritur fitimet edhe nëpërmjet gllabërimit të atyre pagesave që në fakt duheshin paguar për punonjësit në adresë të sigurimeve shoqërore, ka krijuar sot një “bombe sociale” , e cila pritet të shpërthejë në një të ardhme të afërt. Aktuaisht ka me mijëra e mijëra persona, të cilët duke punuar prej hallit në të zezë, nuk arrijnë të përmbushin kushtin e kontributit të viteve të punës, ndërkohë, që ky kusht vjen duke u zgjatur. Me pak fjalë, duke rendur pas fitimeve si qëllim në vetëvete, duke futur në xhep edhe atë që nuk iu takojnë, biznesi shqiptar, nëpërmjet biznesmenëve problematikë të tij dhe zyrtarëve publikë të korruptuar, ka prodhuar një kategori fatkeqësh, të cilët sot shikojnë ndoshta si mundësi të kapjes së kohës së humbur(sa cmund të kapet) emigrimin jashtë vendit.

Kurse aspekti i dytë, ai që dëshmon për një kalim të biznesit shqiptar  tashmë në një fazë të re, por me qëllimin e vjetër, fitimin sa më shumë të jetë e mundur është puna e paguar keq. Ky nuk është thjesht perceptim, por një realitet, i cili konfirmohet nga një statistikë e thjeshtë që është paga mesatare. Në vitin 2018, paga mesatare e sektorit publik ishte 63 mijë lekë, kurse në sektorin privat paga mesatare ishte 47 mijë lekë. Ka ndodhur pra një metamorfozë fare e padëshiruar për vendin.

Ndërsa në fillimet e sistemit të ri ekonomik tendenca ishte të lije punën e keqpaguar të shtetit, për ta kaluar në privat, tashmë sektori public rezulton në tërësi më joshës se sa private. Padyshim, që në larminë e biznesit shqiptar ka mjaft kompani të konsoliduara, që kanë një vetëdije të madhe për rëndësinë e punonjesve të tyre si një asset i vyer, ka kompani fryt i investimeve të huaja, të cilat respektojnë të drejtat e punonjësve deri në detaje, por kjo nuk e eleminon dot “fotografinë” jo të mirë që ka biznesi shqiptar në tërësi në rapor me marrëdhëniet me punonjësit, me përgjegjësinë sociale të tij.

Ne panoramën e biznesit shqiptar ka kompani tejet të konsoliduara që arrijnë të kenë një fitim prej 5-6 milionë euro në vit, ndërkohë që në gjirin e tij ka punonjës të diplomuar, të cilët paguhen me 30 mijë lekë të reja në muaj. Cfarë kuptimi ka kjo mënyrë të vepruari? Sigurisht, që për ta egziston justifkimi dhe arsyetimi e akordimit të këtyre pagave të ulta, mirëpo kjo të heq automatikisht të drejtën të ankohesh më pas se pse nuk gjen fuqi punëtore, atëhere kur duhet. Kjo të kthen në protagonist të krijimit të kontigjenteve të njerëzve të palumtur, të pakënaqur, të cilët rrijnë e meditojnë dhe shohin si zgjidhje emigrimin.

Në fund të fundit, ai konkluzioni fatalist që përmenden shpesh poshtë e lart si “sbehet ky vend” apo “e vetmja rrugë që ka ngelur është ikja” ka për kontribues edhe biznesin shqiptar. Një nga biznesmenët e mirënjohur të vendit e pranoi se e vetmja rrugë për reduktimin e kontradiktës mes kërkesës për punonjës dhe gjetjes së tyre është rritja e pagave. Dhe ky hap duhet ndërmarrë sa më parë të jetë e mundur, në raport me efektivitetin e kompanive.

6 komente në “Sa përgjegjës është biznesi shqiptar për emigrimin?”

  1. HAKO says:

    BRAVO ,,ke prekur nje teme mjaft delikate.Punetori duhet trajtuar si pjese perberese e ndermarrjes dhe jo si skllav i pronarit.

  2. Wth says:

    Kjo teme eshte e gjere , por eshte sakte aspekti qe kap. Emigrimi eshte fenomen dhe problem per gjithe vendet e lindjes dhe rajonit tone, por ne aspektin ligjor te deklarimit te pagave qe demtojne thelbesisht punemarresin si nga ana financiare, pasigurise per te ardhmen te tij, motivimit etj,eshte nje krim qe duhet te trajtohet si i tille dhe nuk ka justifikim. Une drejtoj si punedhenes dhe e konsideroj turp dhe krim kete aspekt. Per me keq qe ka biznese te degjuar dhe te shendetshme financiarisht qe pjesen e pageses ne te zeze e shesin, e quajne si favor per punonjesin.
    Duhet qe media te ulumtoj dhe te ndihmoje shoqerine per nje model punedhenesi qe eshte i denje per shoqerine, si edhe te nxise qe praktikisht ligji te veproje ne kete aspekt.
    Pagesa per punemarresin te jete e drejte ne baze te tregut, ne baze te ligjit, ashtu si edhe trajtimi i punonjesve te jete motivues dhe punemarresi te punoje per ngritjen profesionale, jo thjeshte te ankohet se nuk ka punonjes te kualifikuar. Punonjes te kualifikuar ka kudo nese e trajnon ne pune, e ndihmon te rritet profesionalisht, dhe e trajton ne menyre te drejte. Pot duhen biznese dhe biznesmene te shekullit ku jetojme, jo primitive.

  3. emigranti says:

    Shkrim i bukur qe kap thelbin e problemit.
    Per aq kohe qe biznesmenet tane, te cilet korruptojne zyrtaret tane te korruptuar ( kryesisht te nivelit te larte ) nuk do ta kuptojne rendesine e te punesuarit prej tyre nuk do te kete interes per te punuar. Per rrjedhim keta biznesmene do te kene vazhdimisht punetore te pakualifikuar qe rrine ne ate pune perkohesisht ne pritje te nje pune me te paguar, pra emigrim.
    Korrupsioni i perbashket qeveri – biznes dhe babezia per fitim te menjehershem e pronareve te bizneseve sjell pagat e ulta per te punesuarve prej tyre dhe punen ne te zeze.
    Edhe qeveria nuk ngelet prapa .
    Duke filluar qe me kontrollin e rrepte te bizneseve, pa favorizuar ndonje afer X zyrtari te larte e deri tek forcimi i shkollave profesionale dhe pajisjen e tyre me makineri te ndryshme, ose duke lidhur kontrata shkolla me bizneset e ndryshme.

  4. pop says:

    Bizneset shqiptare duan skllever, punetore qe punojne me ore te zgjatur qe nuk paguhen me oret shtese, nen presion, me pagesa te uleta, pa kontrata etj etj…duhen biznesmene te hajrit se punetore ka

  5. Nick says:

    Ky nuk ësht fenomen që ndodh vetëm në Shqipri. Edhe andej jasht, shqiptarët bëjn të njëjtën gjë. Kur bëhet pundhënës shqiptari shndërrohet në kuçedër. Nëse punon për ndonjë pundhënës shqiptar duhet të plotsosh patjetër dy, tre, kushte baz. Nëse ësht e mundur, duhet që të punosh 24 orë në dit, pa pushim. Mos kërko sigurime shoqërore, se sipas tyre ato jan para të hedhura kot dhe ske çi do. Mos guxo të kërkosh të bësh ndonjë dit pushim se do sëmuret pundhënsi. Për leje vjetore, për shpërblime, apo për kushte normale të vendit të punës dhe për sigurim teknik nuk duhet të flasësh kurrë, nëse nuk do që të marin për të çmendur, apo për jasht toksor. As robotët pa inteligjencë atrificjale nuk do donin të punonin për pundhënsat shqiptar në përgjithsi.

  6. asd says:

    Biznesmeni i mesem ne Shqiperi fiton sa nje punetor ne vendet perendimore. Ky eshte problem per pagesat.
    Pagat e mira vijne ne ato kompani ku mundesite e perspektives shkelqejne premtuese.
    Nderkohe , duhet qe ekonomistet te vizatojne harten e levizjes se parave. Do te kuptohej me shume se cfare ndodh, sa para jane dhe ku perfundojne. Pas kesaj analize, punedhenesi shqiptar, ndoshta, do te clirohej nga njolla e “paguesit te keq”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje