Humbi 7 anëtarë të familjes në Thumanë, Albert Cara niset për trajtim të specializuar drejt Italisë

29 Nëntor 2019, 13:17Kronika TEMA

Albert Cara, një nga të mbijetuarit e familjeve Cara, që humbën 7 anëtarë nën rrënojat e pallatit të shembur në Thumanë të Fushë-Krujës u nis sot për mjekim të specializuar në Itali.

Nga tërmeti i 26 nëntorit, Alberti humbi komplet familjen e tij, bashkëshorten, 3 fëmijët (dy djem dhe një vajzë) dhe nusen e djalit, ndërkohë që humbën jetën edhe familjarë të tjerë të tij.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu përcollën sot drejt Italisë Albert Carën, i cili ka pësuar një tragjedi të rëndë në familje në tërmetin e 26 nëntorit.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “kjo është një tragjedi e madhe”. “Takova pak më parë vëllain e tij, që po shkonte në ceremoninë mortore. Një fatkeqësi e madhe”, informoi Manastirliu kryeministrin Rama.

Nga tërmeti i 26 nëntorit, Albertit i ka rënë një pjesë e madhe betoni komplet mbi trup, duke e dëmtuar në shtyllën kurrizore dhe në një pjesë të gjymtyrëve.

“Për fat të mirë nuk është problem i parikuperueshëm, por kërkon një trajtim më të specializuar, ndaj duhet t’ia sigurojmë atë. Është rast shumë i vështirë”, tha Manastirliu.

Kryeministri Rama tha se po ndiqte gjithë operacionin e transportimit të Albertit drejt aeroportit, dhe po imagjinonte se çfarë katastrofe do të ishte me ambulancat e vjetra.

Ministrja Manastirliu tha se “për herë të parë jemi në gjendje që gjithë pjesën e transportit, gjithë elementët t’i sigurojmë vetë”.

“Kemi shumë për të përmirësuar, por kemi përmirësuar standardin qoftë edhe të ekipit të urgjencës mjekësore që me trajnimet në vazhdim nuk kanë ndonjë diferencë të madhe edhe me ekipin italian. Por kemi shumë për të mësuar. Ky është një moment që na vlen për të mësuar se si do të ecim përpara edhe në riorganizimin e Urgjencës Kombëtare”, tha ministrja Manastirliu.

1 komente në “Humbi 7 anëtarë të familjes në Thumanë, Albert Cara niset për trajtim të specializuar drejt Italisë”

  1. Illyria-Shqiperia says:

    Po ta cosh me te shktetin Albert. Oh sa tmerr. Te shohesh tre femijet dhe gruan ne dhe perpara vetes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje