Aventura e Interit në këtë edicion të Ligës së Kampionëve ka përfunduar në mënyrën më të hidhur. Kryesuesit e Serie A u përshëndën mbrëmë me garën më madhore për klubet e kontinentit.
E bënë këtë pas një humbje 2-1 në shtëpi, të martën, kundër një Barcelone tashmë të kualifikuar dhe që aktivizoi lojtarë të rinj.
Për zikaltrit, goli i realizuar nga Lukaku ishte një rreze shprese në paraqitjen plot dritë-hije të tij dhe skuadrës së drejtuar prej Antonio Conte.
Nëse nga njëra anë shënoi golin e barazimit momental 1-1, nga ana tjetër belgu ka shpërdoruar disa mundësi optimale, që mund të kishin qenë të vlefshme për tri pikët e çmuara. Interi do ta rifillojë nga “Europa League” dhe për bomberin belg do të jetë një lloj “déjà vu”.
Një vit më parë, kur ishte një nga pikat kryesore të Manchester United, ai pësoi një eliminim të hidhur nga Barcelona (në fund të një sfide të dyfishtë, në çerekfinale).
Dhe pikërisht në Manchester ka nga ata që nuk e kanë harruar Lukakun, përkundrazi, i kanë rezervuar “vëmendje” pas eliminimit të Interit. Mbrojtësi i “Djajve të Kuq”, Luke Shaw, postoi në Twitter një foto të sulmuesit, shoqëruar me komentin “Welcome back” (Mirë se u ktheve) dhe një buzëqeshje.
Këtë vit, Manchester United është i angazhuar në “Europa League” (kryeson Grupin L, pas tri fitoreve, një barazimi dhe një humbjeje) dhe për këtë arsye ekziston mundësia që brenda disa muajve, rruga europiane të kryqëzohet me ish-sulmuesin, Lukaku.