Operacioni Forca e Ligjit ditën e sotme në njoftimin e saj për median tha se u kishte dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, Orges Jahelezit dhe Pajtim Serjanit.
Serjani dhe Jahelezi duhet që brenda 48 orëve të deklarojnë pasurinë e tyre ose në rast të kundërt do të bëhet bllokimi.
Dy emra jo të panjohur për drejtësinë shqiptare pasi;
Orges Jahelezi, alias Artan Elezi, me pseudonimin “Nita”, nga Tirana është arrestuar nga Prokuroria e Tiranës në vitin 2018 nën akuzën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Ai u arrestua gjatë operacionit “VOL-VO 4” ku u goditën 4 grupe kriminale dhe 27 persona u vunë në pranga brenda një dite, mes tyre dhe grupi i Avdylajve nga Shijaku.
Akuza ndaj Jahelezit u ngrit pasi ai u lidh me ngjarjen e tetorit të vitit 2018 ku në fshatin Brenogë të Hasit u zbulua një laborator heroine.
Sipas Prokurorisë së Posacme pas përgjimeve të bisedave telefonike dhe akt ekspertimeve të tjera, Jahelezi bashkë me disa persona të tjerë janë implikuar në rrjet trafiku të lëndëve narkotike.
Ndërkohë që:
Pajtim Serjani i njohur si miku i ngushtë i Emiljano Shullazit është një emër i njohur për drejtësinë, pasi në janar të vitit 2015 i shpëtoi një atentati për eleminimin e tij, pasi atentatori u qëllua nga efektivi i policisë, që ndodhej me Serjanin.
Pajtim Serjani njihet si person me precedentë penalë, pasi është dënuar për një seri veprash penale nga Gjykata e Tiranës në kohë të ndryshme.
Në shtator 2017 policia i sekestroi Serjanit katër makina të blinduara më vlerë 1 milion euro. Tre prej makinave rezultuan të trafikuara nga vendet e BE, njëra prej të cilave me targa të falsifikuara.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme./abcnews.al