Lufta e përgjakshme në Siri, Donald Trump paralajmërim Rusisë: Ndaloni mbështetjen për mizoritë e regjimit

17 Shkurt 2020, 17:31Bota TEMA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka biseduar në telefon me homologun turk Recep Tayyip Erdogan, të cilit i ka përcjellë “shqetësimin e tij të thellë lidhur me dhunën në Idlib të Sirisë”.

Njoftimin e bëri sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, sipas të cilit Trump ka kërkuar që Rusia të ndalojë menjëherë mbështetjen e saj për “mizoritë” e regjimit sirian.

Kreu I administratës amerikane po kështu ka shprehur dëshirën që të shohë “fundin e mbështetjes ruse” për presidentin sirian, Bashar al-Assad dhe një “zgjidhje politike të konfliktit në Siri”, i cili ka nisur që në vitin 2011.

Ushtria siriane njoftoi sot se ka arritur të avancojë në kohë rekord në veriperëndimin e Sirisë ku ndodhet Idlibi, që është dhe bastioni i fundit i rebelëve anti-qeveritarë.

Turqia ndërkohë, e cila mbështet rebelët që kërkojnë përmbysjen e Assadit, i ka bërë thirrje Moskës të ndalojë sulmet në Idlib, duke paralajmëruar se do të përdorë fuqinë ushtarake kundër forcave siriane, nëse ato nuk tërhiqen deri në fund të muajit.

Turqia ka 12 postblloqe në Idlib, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur në 2018-tën mes Ankarasë dhe Moskës për parandalimin e një ofensive qeveritare, por forcat e Assadit kanë përparuar pavarësisht pranisë së tyre.

 

1 komente në “Lufta e përgjakshme në Siri, Donald Trump paralajmërim Rusisë: Ndaloni mbështetjen për mizoritë e regjimit”

  1. abc says:

    Leksione se si mund te behet e Bardha e Zeze.
    Kulmi i hipokrizis, denohet Asadi me aleatin Rus qe mbrojn atdheun e tyre dhe nuk denohet pushtuesi Turk, qe ka bere krime lufte, flet hapur per Neo-Otomanizem dhe per “kufinjt e zemres”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje