Ministrat e BE-së për Çështjet Europiane paralajmërojnë se negociatat e ardhshme tregtare me Britaninë e Madhe do të jenë sfiduese.
“Lamë pas negociata shumë të vështira”, deklaroi ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth, lidhur me bisedimet për Brexit-in.
“Por, tani do të jetë përsëri e vështirë”, paralajmëroi ai duke shtuar se dispozitat për ruajtjen e standardeve të barabarta janë kryesore për Gjermaninë.
“Negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, do të përballet me një detyrë të vështirë. Së pari, është më e rëndësishme të gjejmë një marrëveshje të mirë sesa t’i dorëzohemi presioneve kalendarike”, shtoi ministrja franceze e Çështjeve Europiane, Amelie de Montchalin.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rumun, Bogdan Aurescu, shpreson se afati i vendosur në fund të vitit, do të ndihmojë në përqendrimin e pozicioneve dhe përpjekjeve të palëve drejt një përfundimi të mirë.