PERGENJESHTRIMI/ Richard Grenell: Kurrë nuk është biseduar për ndarjen e Kosovës në praninë time

7 Mars 2020, 21:15Rajoni TEMA

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell, hodhi poshtë të shtunën pohimet se në takimin e së hënës në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar për një marrëveshje mbi idenë e ndarjes së Kosovës.

Analisti, Edward Josepf, profesor nw Universitetin John Hopkins, i tha Zëri të Amerikës në gjuhën serbe se takimi ishte mbajtur për të diskutuar pikërisht këtë çështje, ndarjen e Kosovës.

Ambasadori Grenell, shkroi në rrjetin twitter se ky është “lajm i rremë. Kjo nuk është diskutuar kurrë në praninë time”.

Pas kësaj reagoi edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit “është zhgënjyese të shohësh se si disa analistë me lehtësi krijojnë planet e tyre të trilluara (shkëmbim të territoreve, ndarje, autonomi) dhe ua veshin atyre që janë duke u përpjekur të arrijnë një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës e Serbisë. Përhapja e planeve dhe lajmeve të rreme nuk do të ndihmojnë procesi”, shkroi presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, u takun në Shtëpinë e Bardhë me 2 mars në një periudhë kur zyrtarët amerikanë po u kërkojnë të dyja palëve që të krijojnë kushte për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje politike.

Në këtë kuadër ata po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, që çuan në pezullimin e bisedimeve, meqë Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave.

Ambasadori Grenell, tha të enjten se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i është bërë e qartë se mbajtja e tarifave në mënyrë të pjesshme dëmton ekonominë dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të shpenzojnë ndihmat për Kosovën nëse udhëheqësit e saj dëmtojnë qytetarët e tyre në këtë mënyrë.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë se pala amerikane nuk u ka thënë atyre se do të ndalin ndonjë ndihmë në fushën ekonomike për Kosovën. Por, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për televizionin 21, tha se gjatë një bisede telefonike, ambasadori Grenell, ka paralajmëruar për sanksione rreth fondeve të Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit”, në rast se nuk hiqen tërësisht tarifat.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që është partnere koalicioni, ka kërkuar që tarifat të hiqen menjëherë, ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk janë pajtuar me siç është thënë, “masat gjysmake” të kryeministrit Kurti.

Të shtunën, ambasadori Grenell, tha se “Washingtoni është i përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, të cilat besojmë se janë injoruar gjatë bisedimeve. Por, në nuk mund ta ndihmojmë derisa tarifat e qeverisë së Kosovës vazhdojnë ta dëmtojnë Kosovën. Ato duhet të hiqen së pari. Po ashtu, çështjet politike duhet të zgjidhen nga të dyja palët – jo nga Washingtoni”, shkroi ai në twitter.

Për një pjesë të politikës së Prishtinës, marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara janë duke u sfiduar për shkak të refuzimit të qeverisë që të përmbushë kërkesat amerikane për heqjen e tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe për t’u hapur rrugën bisedimeve që do të çonin në një marrëveshje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një shkrim për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, theksoi se marrëveshjet e arritura me detyrim dhe kërcënime nuk do të kenë vlerë. Në një shkrim të gjatë, kryeministri Kurti thotë se një marrëveshje e shpejtë në mes të Kosovës e Serbisë do të ishte mirë, por një marrëveshje e mirë do të ishte shumë mirë.

Ai thotë se “megjithatë, një marrëveshje e mirë duhet të bazohet në parime demokratike në mënyrë që të kurorëzohet me sukses afatgjatë”.

Kryeministri Kurti thekson në shkrim se politika që synon hakmarrjen është jetëshkurtër dhe pa perspektivë. Ai u bën thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të vëzhgojnë procesin dhe të përcaktojnë veprimet që duhen ndërmarrë nëse nuk respektohen parimet dhe shkelet ndonjë marrëveshje.

Ai thekson se në rast se “Serbia nuk respekton vullnetin e mirë të qeverisë së Kosovës për të hequr pengesat ekonomike, tregtare dhe politike, dhe rrjedhimisht vazhdon fushatën e saj ndërkombëtare kundër, qeveria e Kosovës do të fillojë më 1 prill zbatimin e parimit të reciprocitetit, së pari në tregti, pastaj edhe në biznes në përgjithësi dhe në politikë”, shkroi ai.

Duke reaguar ndaj shkrimit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u tha medieve serbe se “pajtohet me Albin Kurtin që asgjë nuk arrihet me forcë”, duke përmendur siç tha “forcën dhe agresionin e ushtruar nga NATO-ja me fushatën e bombardimeve kundër ish Jugosllavisë”.

Ai tha se këtë do t’ia përmend në çdo takim zotit Kurti ndërsa theksoi se me këtë shkrim, Prishtina po u kthen shpinën Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po kërkon mbështetje në dy shtete të forta evropiane.

1 komente në “PERGENJESHTRIMI/ Richard Grenell: Kurrë nuk është biseduar për ndarjen e Kosovës në praninë time”

  1. spartak says:

    Me qe preferojne vazhdimisht , si BE-ja dhe SHBA-ja , me bisedu me Thacin , dhe ky , shkon neper takime, duke anashkalu e mos perfill aspak qeverine e vet legjitime , si kur ishte Ramushi , para Ramushit dhe tani me Albinin , atehere t’ja heqi Taksen Serbise Hashimi , e jo te takojne Hashimin e te sulmojne sikur te ishin lecka sa Ramushin e sa Albinin e sa qeverine e Kosoves , duke i vene ne pozita aspak serioze e te mira dhe mardheniet e koalicioneve nder-partiake e qeveritare .
    Prandaj , kur doni mos te ndodhin keto keqkuptime e keq interpetrime , respektoni e thirrni ne takime te zotet e punes e mos i injoroni dhe anatemoni ata pa asnje lloj shkaku .
    Nuk e dij si e gjykoni Ju z. Grenell bashke me udheheqesit e juaj pozicionin e Serbise ne raport me Kosoven , mbas gjithe asaj historie mbi dhjete shekullore dhe asaj te 100-150 viteve te fundit , ku dhuna , genocidi , vrasjet , perdhunimet , plackitjet e grabitjet e tokave e pronave te shqiptareve kane qene te pa para mu ne zemer te Europes e jo pak here me bekimin e miratimin e tyre ? Akoma Vucici deklaron publikisht , se kerkon te dale i fituar ne pazaret e fundit ne kurriz te Kosoves . E per keto pazare qe Vucici kerkon , ai ka taku vazhdimisht vetem me Thacin ne prezence te Mogherinerave europiane dhe te derguarve te qeverise se SHBA-se , nje prej te cileve jeni edhe Ju .
    Por mos harroni , se , kur Vucici pretendon , qe te dalin edhe ai edhe Serbia te fituar nga pazaret me , dhe per Kosoven , ai aludon haptazi , qe ne keto pazare keni dhe ju gisht e dore , ashtu sic ka patur vazhdimisht edhe BE-ja me Mogherinin e saj . A e kuptoni se si po veproni ne favor te Serbise , kur mundoheni t’i imponoheni shtetit te Kosoves , qe SHBA-ja e inkurajoi dhe e njohu e para per Pavaresine , madje duke e injoruar ate e mos perfillur qeverte e saj legjitime . Pa pjesmarrjen normale legjitime ne bisedime te qeverise dhe parlamentit te Kosoves , as mos t’ju shkoje mendja se do t’i zgjidhni ju problemet midis shqiptareve dhe serbeve , e do pesoni fiasko , ashtu sic perfunduan edhe me perpara negociatat e drejtuara e udhehequra po ne kete ide e menyre te gabuar prej gati 10 vjetesh nga BE-ja .
    Shqiptaret , e vecanerisht ato te Kosoves , si dhe ato , nden Serbi e me gjere , kane derdhur gjakun lume nder shekuj e nuk mundet ta zhbeje asnje e te mos i perfilli fare faktet e te vertetat historike te vuajtjeve , kushdo qofte ai , madje dhe vete presidenti i sotem i SHBA-se .
    Te drejten per t’i dale zot fateve te vendit te vet , Kosoves , e kane vetem organet e zgjedhura legjitimisht nga vete populli i
    Kosoves , dhe ju nuk duhet kurrsesi t’i jepni arme sulmi Serbise gjaksore e nacional-shoviniste e kahershme dhe e e pandryshueshme , duke i injoruar keto organe legjitime . Marreveshjet e juaja ne prapaskene , mbrapa kurrizit te ketyre organeve legjitime , qe i ka zgjedhur populli shqiptar i Kosoves , nuk kane per te pire uje cfardo forme presioni e shantazhi te perdorni . Ato , vetem do shtojne presionin e Serbise e te Rusise , si ndaj Kosoves e Shqiperise , por edhe ndaj vete SHBA-se , por dhe do rrisin mosbesimin ne perkrahjen epike
    e historike te Amerikes ndaj kombit me te madh mik ne bote karshi Amerikes , shqiptareve .
    Mos harroni , se deklarata e Vucicit , ne demtimin e imazhit tuaj dhe vete presidentit tuaj , shkon dicka edhe me pertej , mbasi aludohet per perfitime edhe personale te tij ne bashkepunim , ne kurriz te te drejtave te shqiptareve dhe shtetit shqiptar te Kosoves .
    Prandaj Z. Grenell , edhe njehere ju bej thirrje te jeni me i kujdesshem me serbet e pabese , si dhe te mos anashkaloni ne bisedimet per normalizimin e mardhenjeve e njohjen reciproke te ketyre dy shteteve , historine , faktet , dokumentat e mbi te gjitha qeverine dhe parlamentin e saj .
    Nuk besoj se do te ndodhi kurre , qe SHBA-ja , Amerika e Lirise dhe Demokracise , vendi i adhuruar maksimalisht nga shqiptaret , nje nga aleatet me besnik ne NATO , do te lihet i pa perkrahur e mbeshtetur me drejtesi dhe ne menyre serioze e parimore ne kete stad te finalizimit te njohjes legjitime nderkombetare te Kosoves edhe ne OKB , me apo pa pelqimin e Serbise .
    Ta beje mre hesapin Serbia bashke me mbeturinat e nacional-shovinizmit te vet . Kur te zhduket nga faqja e dheut edhe shqiptari
    i fundit atehere mund te fuse kembet nder trojet shqiptare , por ndoshta mund te ndodhe shume shpejt dhe e kunderta . Do laje
    shume borxhe te vjetra .Populli shqiptar ka jetuar e triumfuar gjithmone ne qindra shekuj e do vazhdoje edhe ne te ardhmen te jete zot ne Ballkanin e saj , aty ku ishin dhe e lane te paret .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje