“Profesor Bujar Hoxha, është autor i shkrimeve dhe punës armiqësore kundër Jugosllavisë, të mos i jepen dokumenta nga…", kur gazeta “Borba” e Beogradit akuzonte

13 Mars 2020, 17:58Dossier TEMA

Nga Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon një dokument arkivor ta panjohur më parë të nxjerrë nga Arkivi i Ministris së Punëve të Jashtëme në Tiranë që mban datën 30 maj 1989, ku jepet i plotë një artikull i gazetës “Borba” të Beogradit, ku aotori i saj, Dragan… pasi akuzonte profesorin e njohur shqiptar nga Tirana, Bujar Hoxha, si autor të shkrimeve armiqësore kundër Jugosllavisë, pas ngjarjeve të protestave dhe demonstratave të Kosovës të 81-it, ai akuzonte autoritetet zyrtare jugosllave që kishin lejuar prof. dr. Hoxhën dhe docent Burhan Çirakun, që nëpërmjet Arkivit të Kosovës, të studjonin dhe të merrnin fotokopje të dokumenteve arkivore që dispononte Sekretariati për Punët e Jashtëme i Beogradit, pasi ato ishin përdorur edhe nga Enver Hoxha, në “pamfletet” e tij kundër Jugosllavisë.

39 vite më parë, më 11 mars të vitit 1981, në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, shpërthyen protestat e demonstratat studentore të Universitetit të Kosovës, me të cilat më pas do të u solidarizohej i gjithë populli shqiptar i Kosovës, duke mbështetur bijtë e bijat e tyre që dolën nga konviktet e auditorët e tyre në rrugë, për të kërkuar më shumë liri dhe të drejta, ashtu si gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë së asaj kohe.

Ndonëse Beogradi zyrtar arriti që t’i shtypte me dhunë policore brenda ditës, duke nxjerrë edhe ushtrinë në rrugë, pasi nuk i kishte harruar dhe i kishte të freskëta protestat e studentëve të Kosovës të vitit 1968 (që u frymëzuan nga protestat e studentëve në mbarë Europën dhe detyruan regjimin titist që në 1974-ën, t’i jepte Kosovës stautusin e Krahinës Autonome), studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës u rirganizuan përsëri dhe disa ditë më vonë, më datën 26 mars, dolën përsëri në demonstrata për të protestuar për të drejtat e tyre të ligjshme, por përsëri u përballën me dhunën e egër që Beogradi zyrtar ushtroi ndaj tyre, duke nxjerrë edhe tanket në rrugë.

Por edhe pse fillimisht u duk sikur ato protesta studentore po shuheshin, disa ditë më vonë, më datat 1 dhe 2 prill, ato rifilluan përsëri për të vazhduar gjatë, aq sa e vuri jo pak në vështirësi regjimin titist të Beogradit, pasi Kosova dhe protestat studentore me të cilat tashmë ishte bashkuar i gjithë populli shqiptar i asaj “krahine autonome”, duke hedhur parrullën “Kosova Republikë”, u bënë lajm i ditës për të gjitha stacionet radio-televizive në mbarë botën. Ku ato më prestigjozet si: BBC, CCN, Asociatet Press, Reuters, etj., dërguan korrespodentët e tyre në Kosovë, duke trasmetuar live ato protesta tashmë të përshkallëzuara që u mbytën me gjak nga makina ushtarake e Beogradit.

Sipas shumë të dhënave, thuhet se në ato protesta e demonstrate që u nisën tepër paqësore, u vranë 9 veta dhe u plagosën 15 të tjerë, ndërsa nga forcat e policisë serbe, mbetën 2 të vrarë dhe 17 të tjerë të plagosur. Po kështu nga disa burime tepër të besueshme (siç është p.sh. Lidhja e Historianëve të Kosovës) edhe katër vjet më pas atyre demonstratave, nga shërbimet e fshehta të Beogradit, janë arrestuar dhe dënuar rreth 4 mijë veta, (shqiptarë të Kosovës), dhe deri në vitin 1990-të, janë vrarë 183 qytetarë civilë të Kosovës, dhe 63 ushtarë shqiptarë që kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Armatën e Jugosllavisë, u sollën të vdekur në shtëpitë e tyre, shumica e tyre me arkivole të salduara.

Po kështu thuhet të jenë dënuar me gjyqe të montuara edhe 1.346 ushtarë shqiptarë dhe rreth 10.000 civilë, të gjithë me akuza politike. Ndërsa këto ngjarje tashmë janë të njohura edhe për shkak të faktorit ndërkombëtar dhe mediave të tyre që asokohe i pasqyruan gjerësisht ato, disi e paqartë, për të mos thënë e mjegullt, ka mbetur roli që Tirana zyrtare pati në ato ngjarje. Pasi, ndonëse regjimi komunist i Tiranës me në krye Enver Hoxhën, ngjarjet e ’81-it, “në sytë e botës”, i mbështeti publikisht dhe pa rezerva, duke i quajtur të drejta kërkesat e studentëve dhe popullsisë shqiptare të Kosovës, ndryshe kishte vepruar dhe i kishte trajtuar emigrantët kosovarë që kishin ardhur në atdheun amë ilegalisht, që pas prishjes zyrtare të Tiranës me Beogradin në vitin 1949.

Ku pjesa më e madhe e tyre, kishin përfunduar burgjeve dhe internimeve, duke u akuzuar si “agjentë të UDB-së”, madje në fillimet e viteve ’50-të, aq i madh ishte numri i emigrantëve kosovarë të ardhur ilegalisht në Shqipëri, saqë Tirana zyrtare hapi një kamp internimi për ta, në fshatin Llakatund të Vlorës. Por, si për ironi të fatit, regjimi komunist i Tiranës me në krye Enver Hoxhën, ndryshe nga sa vepronte me vëllezërit tanë kosovarë që vinin në atdheun amë për t’i shpëtuar ndjekjeve dhe persekucionit nga regjimi tistist i Beogradit, iu bënte një trajtim shëmbullur emigrantëve jugosllavë që arratisteshin nga vëndi i tyre dhe vinin në Shqipëri, për shkak se ndiqeshin nga regjimi i Beogradit, prej bindjeve të tyre staliniste dhe pro Enver Hoxhës, kundër politikës së Marshallit Josif Broz Tito.

Ndaj këtyre shtetsave jugosllave, jo vetëm që u mbajt një qëndrim kryekëput i kundërt ndaj atyre kosovarë, por atyre iu lejua dhe një gazetë (në shqip dhe serbo-kroatisht), si dhe një program ditor në Radio-Tirana, por përfaqësuesi i tyre në Shqipëri, ftohej në të gjitha kongreset e PPSH-së, (në krah të Enver Hoxhës), duke përshendetur “arritjet e Shqipërisë Socialiste dhe politikën e drejtë të PPSH-së me në krye Enver Hoxhën”?!

Ndërsa këto ngjarje tashmë i përkisnin një periudhe më të hershme, ndryshe nga sa kishte vepruar në fakt me emigrantët kosovarë që kishin ardhur në Shqipëri, ku në atë kohë që ndodhën ngjarjet e njohura si “Pranvera e Kosovës”, shumë prej tyre vazhdonin të ishin në burgje dhe internime, Tirana zyrtare përkrahu publikisht edhe në arenën ndërkombëtare kërkesat e drejta dhe legjitime të popullsisë shqiptare të Kosovës, duke iu kundërvënë regjimit titist të Beogradit. Janë të njohura tashmë edhe fjalimet publike të Enver Hoxhës, që u përcollën me bujë nga Radio-Televizioni Shqiptar, shtypi i Tiranës me në krye gazetën më të madhe “Zëri i Popullit”, Agjensinë Telegrafike Shqiptare etj., e deri tek librat voluminozë në disa vëllime, me titull “Ç’thonë dhe ç’këkrojnë kosovarët”, me përmbledhje të shtypit botëror për ngjarjet e Kosovës.

Thuhet se; më shumë se sa për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës, në ngjarjet e ’81-it, Enver Hoxha dhe Tirana zyrtare “u solidarizuan me kosovarët” dhe “denoncuan” politikën shtypëse dhe diskriminuese që Beogradi zyrtar po aplikonte dhe ushtronte ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, ai e bënte pasi urrente tmerrsisht Josif Broz Titon, (ish-padronin e tij tashmë i vdekur), i cili kishte fituar një emër dhe famë të madhe në botë, (si lider i vëndeve të paangazhuara, ku në varrimin e tij në fillimin e majit 1980-të, morrën pjesë rreth 150 kryetar shtetesh, princër e mbretër nga e gjithë bota), aqsa edhe Kina e madhe e Mao Ce Dunit, tashmë nën udhëheqjen e Hua Kuo Fen-it, ishte shëndrruar si mikja ma e madhe e Beogradit zyrtar, pak pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë komuniste të Hoxhës.

Jo vetëm kaq, por thuhet se Enver Hoxha nuk donte kurrsesi që Kosova të shpallje republikë, pasi atij nuk i interesonin dy shtetet shqiptare, ku Shqipëria komuniste do defaktorizohej dhe gjithë vëmëndja e faktorit ndërkombëtar mund dhe do shkonte nga Kosova, e cila edhe pse në Jugosllavinë e pasuesëve të Titos, do kishte më shumë vëmndje dhe përkrahje nga faktori ndërkombëtar. Dhe pikërisht kësaj, (si paranojë më shumë), thuhej se Enver Hoxha i trembej si “djalli temjanit”

Në këtë kontekst, vetëm pak kohë pas ngjarjeve të “Pranverës së Kosovës”, për të ulur disi imazhin e kosovarëve në sy të popullit shqiptar dhe për “konsum të brendshëm”, Enver Hoxha rifilloj dënimet e emigrantëve kosovarë që ishin në Shqipëri, duke i burgosur ata me akuza të karakterit politik, nga më të ndrshmet, ku si bazë ishte ajo si “agjentë të UDB-së”. Në këtë kontekst, pra atë të uljes së imazhit të kosovarëve në sytë e opinionit publik në Shqipëri, ndërsa prej vitesh emigrantët kosovarë dënoheshin si “agjentë të UDB-së” dhe për “agjitacion e propagandë” vetëm pak kohë pas ngjarjeve të “Parnverës së Kosovës”, në vitin 1983-’84, u arrestuan dhe u dënuan një grup intelektualësh kosovarë emigrantë në Shqipëri (Namik Luci, Selim Kelmendi, Estref Kelmendi, Shefqet Kelmendi, etj., me banim në rrethet e Krujës, Lezhës dhe Shkodrës), duke i akuzuar edhe si: “terroristë, që kishin dashur që ta vrisnin Sekretarin e parë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, shokun Enver Hoxha me atentat gjatë vizitës që ai do të bënte në Muzeun Kombëtar të Skënderbeut në Krujë në vitin 1981”.

Pra, ndryshe sa vepronte në fakt, në qëndrimin që mbajti Enver Hoxha dhe Tirana zyrtare publikisht në mbështjetje të kërkesave të drejta dhe të ligjshme të popullsisë shqiptare të Kosovës, ku më kryesorja ishte “Kosova Republikë”, është thënë se një kontribut kryesor dhe vendimtar në artikujt redaksional që publikonte “Zëri i Popullit”, kishte Prof. Dr. Bujar Hoxha, (i biri patriotit të njohur, Hoxha Kadri Prishtinës, ish-Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit, Luigj Guralkuqit dhe Avni Rustemit që në vitet ’20-të të shekullit të kaluar), i cili asokohe ishte pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

Nisur dhe nga origjina e familjes së tij, (nga Prishtina), prof. Bujar Hoxha, ishte një njohës i thellë, sa i historisë së Kosovës dhe gjithë Jugosllavisë, aq dhe i politikës që regjimi titist i Beogradit, kishte ndjekur që pas Luftës ndaj popujve dhe kombeve që kishte përfshirë jo pa dhunë që nga viti 1945-së, në Federatën Jugosllave.

Në këtë kontekst, duket se Beogradit zyrtar i dhimbnin më shumë artikujt e tillë, ku ata e dinin se ishte dora e prof. Hoxhës, ( i biri i Hoxha Kadrisë, armikut të tyre të vjetër që nga vitet ’20-të), gjë të cilën e ka thënë hapur edhe gazeta “Borba” e Beogradit, e datës 30 maj të vitit 1989, ku autori i saj, gazetari Dragan…., në një artikull të gjatë, pasi e akuzon hapur prof. Bujar Hoxhën, si: “autor i shkrimeve armiqësore dhe punën e tij kundër Jugosllavisë që nga Turqia ku sherbente si diplomat i Tiranës, pas ngjarjeve të marsit të vitit 1981”, ai ngre akuza edhe kundrejt autoriteteve zyrtare jugosllave, që e kishin lejuar atë që nëpërmjet Arkivit të Kosovës, të studjonte dhe të merrte dokumenta arkivore edhe nga Arkivi Diplomatik i Sekretariatit të Punëve të Jashtëme të Beogradit, pasi sipas tij, ato ishin shfrytëzuar edhe nga Enver Hoxha.

Për më shumë sa më sipër dhe të tjera, na njeh dokumenti arkivor që Memorie.al ka arritur të sigurojë pranë Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, (i deklasifikuar), ku jepet i plotë artikulli i gazetës “Borba” të Beogradit, të cilin asokohe e ka zbardhur edhe Agjensia Telegrafike Shqiptare. Gjë të cilin Memorie.al e publikon me rastin e përvjetorit të demostratave të Kosovës që nisën pikërisht si sot 39 vjet më parë, më 11 mars të vitit 1981, për të cilat, ish-lideri karizmatik i Bosnjës, Franio Tuxhman, ishte shprehur: “Të parët që na mësuan se si t’i vëmë kazmën Jugosllavisë së vjetër, ishin protestat e shqiptarëve të Kosovës dhe më pas ato të republikave të tjera….”.

Artikulli i gazetës “Borba” të Beogradit i datës 30 maj 1989, kundër prof. dr. Bujar Hoxhës

 

AGJENSIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE                                                                 30 maj 1989                                                                                            SHERBIM KARTOTEKE

Si kanë bashkëpunuar në studimet shkencore Kosova dhe Shqipëria

                                        SHQIPTARET NË ARKIVIN DIPLOMATIK

Profesor Bujar Hoxha, këshilltar i Enver Hoxhës dhe një nga strategët e politikës paternaliste të Shqipërisë ndaj Kosovës, në vitin 1979 iu krijua mundësia që, nëpërmjet Arkivit të Kosovës, të studjojë materiale të diplomacisë serbe, që nga fillimi i shekullit në Shërbimin e Sekretariatit të Federativ të Punëve të Jashtëme, për çështjet dokumentare dhe arkivore.

Materiali i politikës shtetërore shqiptaromadhe, i shprehur midis të tjerash, edhe në slloganin “Dardania i përket dardanëve”, gjeti një terren të përshtatëshëm në bashkëpuinimin intensive “ndërshtetëror” Kosovë-Shqipëri, sidomos në pjesën e bashkëpunimit e në planin kulturor e arsimor, në kohën e shkallëzimit të nacional-separatizmit shqiptar në Kosovë, në dhjetvjeçarin e shtatë të këtij shekulli.

Duke ndjekur udhëzimet e Byrosë Politike të PPSH-së të vitit 1952, për detyrat e historiografisë shqiptare e platformat e Komitetit Qendror të PPSH-së, “Për traditën e popullit tonë”, si dhe fjalimet e shumta të të Enver Hoxhës për këtë temë, Akademia Shqiptare e Shkencave në Tiranë, këtë gjë e konkretizoi.

Në organin e saj, “Iliria”, (Nr.6.1976), kritikon rreptë shkencëtarët shqiptarë për angazhimin e tyre të pamjaftueshëm në këtë plan, pra në truallin e Dardanisë. Në atë kohë, shkruanin: “Studimet tona në të ardhmen duhet të shtrihen në Dardani, e cila është një krahinë e rëndësishme ilire. Interesi i pamjaftueshëm që kanë treguar deri tani shkencëtarët tanë ndaj kësaj krahine, ka bërë të mundur krijimin e një boshllëku dhe për një farë kohe do t’u lërë vend koncepteve dhe interpretimeve arbitrare për një sërë problemesh të historisë ilire”.

Për ata që e njohin mirë historinë, Dardania nënkupton Kosovën e sotme dhe një pjesë të madhe të Maqedonisë, pjesë jugore dhe perendimore të Serbisë. Tani, kur po zbulohen gabimet e shumta jugosllave lidhur me Kosovën dhe politikën e saj ndaj Shqipërisë, politikë e cila është hartuar dhe zbatuar që andej gjithmonë, me synimin e hegjemonizmit të dy pjesëve të popullit shqiptar, u provua qartë edhe me shumë dokumenta se si shqiptarët nga Shqipëria kanë studjuar në historinë e “tyre”, në territorine Jugosllavisë. Shmëbull më tipik i naivitetit, i pakujdesisë, i plogështisë apo diçkaje tjetër jugosllave, është dhënia mundësi e studimit në Arkivin Diplomatik të Sekretariatit të Punëve të Jashtëme të Jugosllavisë, këshilltarit të Enver Hoxhës dhe një nga strategët e politikës paternaliste të Shqipërisë ndaj Kosovës, prof. dr. Bujar Hoxhës.

Sekretairiati i Universitetit të Prishtinës, me aktin e vet, Nr.243 të 5 shkurtit 1979, kërkoi nga Sekretariati Federativ i Punëve të Jashtëme të Beogradit, që t’u bëhet e mundur profesorëve nga Shqipëria, punonjësve shkencorë të Universitetit të Tiranës, prof. Bujar Hoxhës dhe docentit, Bujar Çirakut, që të merren me studimet e Arkivit për “Rilindjen Kombëtare Shqiptare”. Duke iu referuar marrëveshjes për bashkëpunimin shkencor-arsimor, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Feriz Krasniqi, i cili dhe ka nënshkruar kërkesën, kërkoi që këta profesorë të studiojnë:

“Meqënse Arkivi juaj disponon materiale të shumta nga këto fusha, ju lutemi, në kuadrin e mundësive tuaja, t’u bëni të mundur punonjësve shkencorë të Universitetit të Tiranës (të cilat momentalisht punojnë në Arkivin e Kosovës), që të punojnë te ju rreth një muaj. Me ta do të jetë dhe një profesor i Universitetit të Prishtinës”, thuhet në këtë shkresë. Shoqëruesi i këtyre dy shkencëtarëve shqiptarë, ishte Sadulla Breztovci.

“Rëndësia e studimeve”

Me të marrë kërkesën e Universitetit të Prishtinës,  Shërbimi për Çështjet Dokumentare dhe Arshivore, siç quhet zyrtarisht Arkivi Diplomatik i Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme, i kërkoi nënsekretarit të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme që ky t’u miratoi shkëncëtarëve shqiptar, shikimin dhe zgjedhjen e dokumentave. Kjo kërkesë është bërë me 1 mars 1979, 25 ditë pas marrjes së kërkesës nga Kosova dhe atë e ka nënshkruar shefi, Lazar Zharkoviç.

Gjatë kohës prej 25 ditësh, punonjësi i Arkivit, Dragutin Koçoviçi, pati aq kohë sa të “kontrollojë”, se çfarë materialesh lidhur me tëmën “Rilindja shqiptare” ka në Arkivin Diplomatik të Sekretariatit Federative të Punëve të Jashtëme, dhe këtë kërkesë të nënsekretarit e konkretizon: Në arkivin Diplomatik ka dokumente për temën e lartpërmëndur dhe këto janë në fondet:

Përveç kësaj, theksohet se materialet e arkivit janë të lejuara për përdorim sipas rregullores mbi kushtet për përdorimin dhe regjistrimin e materialeve të Arkivit të Sekretariatit Federativ të Punqëve të Jashtëme.

Në bazë të kësaj kërkese drejtuar Shërbimit për Çështjet Dokumentare dhe Arkivore, nënsekretari i Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme, Mirko Kosin, morri vendimin me të cilin u lejohet (shokëve Bujar Hoxha dhe Burhan Çiraku nga Tirana, Shqipëri, që të studjojnë në Arkivin Diplomatik), siç kishte propozuar shërbimi.

Para kësaj, pikërisht më 26 shkurt 1979, edhe Drejtoria e Parë e Sekretariatit Federative të Punëve të Jashtëme, kishte dhënë pëlqimin e saj dhe për këtë kishte informuar kolegjumin e Sekretariatit Federativ. Pëlqimin në emër të Drejtorisë së Parë, e nënshkroi T. Troja. Shërbimi për Çështje Dokumentare dhe Arkivore të Sekretariatit të Punëve të Jashtëme, me 6 nëntor 1980-të, i dërgon një akt, të cilin e nënshkroi ambasadori, Mihajllo Stevoviç dhe e sigloi punoinjësi i Arkivit, Dragutin Kiçovi, Drejtorisë së Parë të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme, me nr. 623/15, ku i informon se atyre si shtojcë u vihen në dispoizicion materiale të zgjedhura nga ana e prof. Bujar Hoxhës dhe Burhan Çirakut për periudhën 1910, 1911, 1912.

Gjithashtu, vihet në dukje se Drejtoria e Parë e Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme, me postën diplomatike i dërgoi dokumentat e zgjedhura ambasadës jugosllave në Tiranë, me propozimin se kujt dhe në ç’mënyrë do t’u dorzohet shqiptarëve.

Në fund pasoi edhe fatura që Sekretariati Federati i Punëve të Jaashtëme, i dërgoi më 29 maj 1980, me nr. 217/15-79, Universitetit të Prishtinës, në të cilën kërkon që Universiteti të paguaj në llogarinë rrjedhëse të Sekretariatit Federative të Punëve të Jashtëme, 60811-637-5218, shumën prej 4.110.000 dinarë, për fotokopjimin e 1370 fletëve të dokumenteve (që në Arkivin e Dokumentave Diplomatike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme, vunë në dispozicion për nevojat tuaja, Sadulla Brezoviç dhe për nevojat e Universitetit të Tiranës, Bujar Hoxha dhe Burhan Çiraku).

Faturën gjithashtu e nënshkroi edhe ambasadori Mihajllo Stevoviç dhe e sigloi Dragutin Kiçoviç.

“Rëndësia e këtyre studimeve në Arkivin Diplomatik në Sekretariatin Diplomatik të Punëve të Jashtëme, mundi të kuptohej vetëm atëhere, kur u mësua se kush është prof. dr. Bujar Hoxha, (nga Universiteti i Tiranës).

Ai ka lindur në Kosovë, ku ka lidhje të shumta familjare dhe miqësie. Në jehonën e shkallëzimit gjithnjë e më të madh të nacional-separatizmit shqiptar në Kosovë, ai ishte Drejtor i Institutit të Marksizëm-Leninizmit, ku punonte dhe Nexhmije Hoxha, gruaja e Enver Hoxhës.

Bujar Hoxha ka qenë këshilltar i parë i Enver Hoxhës, për çështjet e Kosovës dhe një nga krijuesit e politikës të paternalizmit. Ai ka përgatitur edhe fjalime për Enver Hoxhën.

Gjatë kohës së ardhjes në Jugosllavi në kuadrin e bashkëpunimit të dy universiteteve, të Prishtinës dhe të Tiranës, ka bërë mjaft takime shumë interesante me një numër të madh profesorësh të kombësisë shqiptare. Pas ngjarjeve kundër-revolucionare të vitit 1981, kur u ndërpre bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, Bujar Hoxha u bë një nga autorët më me tirazh të pamfleteve armiqësore kundër Jugosllavisë. Pastaj u transferua si nënpunës i lartë diplomatik në Ankara, Turqi, prej nga ku organizoi punën armiqësore kundër Jugosllavisë. Pas një aksidenti me makinë, u kthye në Shqipëri.

Edhe prof. Burhan Çiraku, pas vitit 1981, del në fushatën anti-jugosllave. Meqënse, në të njëjtën kohë, Bujar Hoxha dhe Burhan Çiraku studjuan në Arkivin e Kosovës, Arkivi i Kosovës, me shkresën me Nr. 622, datë 10.XII.1979, kërkoi nga Arkivi Diplomatik i Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme, miratimin për vazhdimin e punës së ndërprerë studimore. Duke arsyetuar kërkesën e vet, Arkivi i Kosovës theksoi se dikur i është lejuar studimi dhe mikrofilmimi në këtë Arkiv, kryesisht nëpërmjet punonjësit të Arkivit Diplomatik, Dragutin Kiçoviç dhe në veçanti janë bërë studime në vitin 1969 dhe në vitin 1970 në Seksionin Politik për periudhën deri në vitin 1921. Sipas kërkesës së Arkivit të Kosovës, të cilën e nënshkroi drejtori Fejzullah Çerkini, ndërprerja u bë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ”kështu që duke marrë parasysh se u siguran mjetet e nevojshme financiare në saje të bashkësisë krahinore për punën shkencore, jemi të lirë t’i drejtohemi këtij Arkivi për leje”.

Si shtojcë e këtij akti sillet një fotokoje e aktit të Arkivit të Kosovës dhe të Metohisë numër 612 të 11 dhjetorit 1969, i cili gjithashtu, para dhjetë vjetësh, i është dërguar Seksionit të Historisë të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme. Në atë kohë u konstatua se Arkivi Diplomatik e lejoi Arkivin e Kosovës që të shihte dhe të regjistronte dokumente në Seksionin Politik dhe në Seksionin Arsimoro-propogandistik të Mbretërisë së Serbisë. Aty përmendej edhe lejimi i mikrofilmimit. Në këtë akt gjithashtu thuhet se zgjedhjen e rreth 5.000 dokumenteve prej disa mijra faqesh për nevojat e Arkivit të Kosovës, e kishte bërë gjatë dy vjetëve Dragutin Kiçoviç, drejtor i Arkivit Diplomatic të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme. Këtë kërkesë e ka nënshkruar drejtori i Arkivit të Kosovës, Ismet Dërmaku.

Materiale edhe për Enver Hoxhën

Mbi bazën e një kërkese paraprake të Arkivit të Kosovës, Shërbimi për Çështje Dokumentare dhe Arkivore i dërgoi më 2 dhjetor 1979 mjë akt nënsekretarit të Sekretariatit Federativ për Punët e Jashtëme, në të cilin kërkohet miratimi që Arkivi i Kosovës të lejohet të shohë Arkivin Diplomatik, sidomos që Dragutin Kiçoviç, shef i Seksionit për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e materialeve në Sekretariatin Federativ të Punëve të Jashtme, jashtë orarit të punës të studjojë për nevojat e Arkivit të Kosovës.

“Propozojmë që të miratohet vazhdimi i punës nga ana e Arkivit të Kosovës dhe shoku Kiçoviç për studimin, rregullimin dhe mikrofilmimin e materialeve të Arkivit që kanë të bëjnë me të kaluarën e Kosovës. Në përputhje me dispozitat përkatëse, Arkivi i Kosovës materialin e siguruar në këtë mënyrë nuk mund ta botojë në përmbledhje dokumentash ose t’ua japë për përdorim studjuesëve të huaj, pa pëlqimin e Sekretariatit Federativ të Punës të Jashtme”, thuhet në këtë dokument që e ka nënshkruar ambasadori Mihajllo Stevoviç.

Me këtë u pajtua nënsekretari i Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme, Aleksandër Voinoviç. Pas marrjes së këtij pëlqimi, Shërbimi për Çështje Dokumentare dhe Arkivore më 11 janar 1980, numër 1202/15 informon Arkivin e Kosovës se: është miratuar studimi i materialeve të Arkivit lidhur me historinë e Kosovës në Arkivin Diplomatik dhe se këtë punë do ta bëjë Dragutin Kiçoviç, jashtë orarit të punës.

Dragutin Kiçoviç për të gjithë punën e vet për nevojat e arkivit të Kosovës sin ë fillimin e viteve shtatëdhjetë, ashtu edhe më vonë, është shpërblyer mirë. Në librin e honorareve të Arkivit të Kosovës përcaktohet saktë se sa është paguar Kiçoviçi për çdo studim, fotokopjim dhe faqe të mikrofilmuara në Arkivin diplomatik.

A mund të jetë e rastësishme që arkivin e Kosovës dhe Arkivin Diplomatic të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme, kanë arritur ta shfrytëzojnë profesorë nga Shqipëria, e ndërkohë Arkivi i Kosovës kërkoi nga Arkivi Diplomatik leje për të parë materiale që kishin lidhje të drejtpërdrejta me ato materiale për të cilat u kërkua leje për profesorët Shqiptar. Në asnjë mënyrë –Jo

Siç u bind më vonë pas vitit 1981, edhe opinion i gjërë politik Jugosllav, diplomatët Shqiptar i kanë shfrytëzuar disa nga këto materiale për qëndrimet e tyre anti Jugosllave në Kombet e Bashkuara, e disa prej tyre i ka shfrytëzuar edhe vetë Enver Hoxha në pamfletet e tij siç është rasti me “Titistët”.

Thëniet e shumë politikanëve, të cilët ndodheshin në funksione drejtuese shtetërore dhe partiake të Jugosllavisë, në kohën e shkallzimit të nacionalizmit dhe të seperatizmit shqiptar në Kosovë, se nuk kishin informacione dhe nuk dinin çfarë po ndodh në Kosovë, janë thjesht përpjekje për të hequr përgjegjësinë nga vetja.

Eshtë shprehur bile edhe habi se si ndodhi kunderrrevolucioni. Një përmbajtje të tillë ka dhe vetë pyetja: Në emër të cilave parimeve u pranua që të vendoseshin marëdhënie kulturore, sportive, turistike, etj., midis Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

E ndërkohë diheshin mjaf gjëra. Dihej se shqiptarët nga Shqipëria kishin arritur të vinin dorë në Arkivin Diplomatik të Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtëme, gjë që, siç mendojmë ne, ka qenë e pakuptimt në marrëdhëniet Jugosllave-Shqiptare.

XH.Ke /M/ ATSH/

(Marrë nga gazeta “Borba” dt. 20 prill 1989 shkruar nga Dragan ….)(memorie.al)

4 komente në ““Profesor Bujar Hoxha, është autor i shkrimeve dhe punës armiqësore kundër Jugosllavisë, të mos i jepen dokumenta nga…”, kur gazeta “Borba” e Beogradit akuzonte”

  1. nevila nika says:

    bujar hoxha spiun i dyfishte, agjent udb, bashke me biberaj organizuan ardhjen ne fuqi te sales.

    Krushku i Bab Myslymit, babai i shoqes se karroqit, nevila nikas.

    Organizoi ne shtepine e pashkos mbledhjet e Para dhe strategjine per shkaterimin e Shqiperine e me pas Kosoves sipas strategjine udbashe e agjentures greke

    1. ec aty says:

      ENVER HOXHA – HERO KOMBETAR I SHQIPTAREVE!
      Ne kohen e tij Shqiperia kishte SHTET!
      Karlocet dhe gjithe halabaket si ai, jane funderrina te shoqerise shqiptare …

  2. Bergenzug says:

    Ky shkruesi është turpi i Shqiptarisë dhe njeriu më i ndyrë në aspektin moral. Të mbrosh Bujar Hoxhën, është një shërbim i çmuar për të mbuluar aktivitetin e tij kriminal, në bashkëlidhje të ngushtë me S. Berishën, ndaj popullit shqiptar.
    Sigurisht, sebët donin të mbulonin aktivitetin e njeriut të tyre, duke aktivizuar gazeten Borba kunder tij. Autori e di fare mirë këtë dhe shkrimi i tij, ashtu si edhe shumica e aryre që shkruan, janë të porositura dhe me qëllimin e vetëm godtja e shqiptarizmit. Do të pendohet rënde për atë që po mundohet të bëjë.

  3. Kosovari says:

    bujar hoxha spiun i dyfishte, agjent udb, bashke me biberaj organizuan ardhjen ne fuqi te sales.

    Krushku i Bab Myslymit, babai i shoqes se karroqit, nevila nikas.

    Organizoi ne shtepine e pashkos mbledhjet e Para dhe strategjine per shkaterimin e Shqiperine e me pas Kosoves sipas strategjine udbashe e agjentures greke

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje